Ronaldo: Nuk më ka mbetur shumë kohë, po e shijoj çdo moment
Cristiano Ronaldo ishte prapë protagonist në fitoren e Al-Nassr ndaj Al-Rayyan me rezultat 2-1 në AFC Champions League. Ylli portugez e realizoi një gol mjaft të bukur me të majtën në minutën e 76-të për t’ia siguruar fitoren ekipit saudit.
Me këtë rast, 39-vjeçari arriti në kuotën e 71 golave, ndërsa i ka bërë edhe 17 asistime me klubin nga Pro Saudi League. Përkundër moshës së shtyrë, portugezi nuk ka shfaqur shenja lodhjeje apo rënie të formës fizike apo teknike. Ai i realizoi 50 gola me ekipin nga Arabia Saudite në vitin e kaluar, ndërsa synon të vazhdojë të shënojë gola të tjerë, ndonëse e pranon se nuk i ka mbetur shumë kohë e gjatë për të luajtur futboll. Goli i mbrëmshëm i Ronaldos ishte special pasi atë ia dedikoi babait të tij të ndjerë, i cili kishte ndërruar jetë në vitin 2005.
“Ne e bëmë një paraqitje të shkëlqyeshme, krijuam shumë raste. Goli i sotëm ka shije tjetër. Do të doja që babai im të jetë gjallë sepse sot është ditëlindja e tij”, ka thënë ish-futbollisti i Sporting Lisbonës, Manchester Unitedit, Real Madridit dhe Juventusit. Ronaldo e shënoi golin e 904-t në karrierë dhe ai nuk e ka fshehur dëshirën për ta arritur numrin jubilar prej 1000 golash në karrierë. CR7 ka kontratë me Al-Nassr deri në vitin 2025, por palët po negociojnë që ajo të vazhdohet edhe për një vit. Synim tjetër i Ronaldos është që të luajë në Kupën e Botës 2026 me Portugalinë dhe pas tij, me gjasë, të pensionohet nga futbolli.
“Unë ende kam dëshirë të luaj futboll dhe e di se nuk më ka mbetur shumë kohë në fushën e blertë. Gjëja më e rëndësishme është që të mos konsiderohesh lojtari më i mirë apo të fitosh trofe gjithsesi. Gjëja më e rëndësishme është që ta shijosh këtë sport dhe të jesh i përdorshëm dhe i dobishëm për klubin dhe për Kombëtaren. Rekordet janë pjesë e imja dhe jam mësuar t’i thyej ato. E kam ndier presionin që nga dita e parë dhe mendoj se do ta ndiej deri në ditën e fundit”, ka përfunduar Ronaldo.
Ajo që e bën më madhështor këtë super-lojtar është se portugezi ka shënuar më shumë gola pas moshës 30-vjeçare sesa para saj. Në fakt, para se t’i mbushte 30 vjet, Ronaldo i kishte realizuar 440 gola në 596 ndeshje zyrtare. E pas të 30-tave, CR7 i ka shënuar 441 gola, pra një më shumë, në 523 ndeshje zyrtare. Pra, Ronaldo po tregohet si vera e kuqe, sa më i vjetër, aq më i mirë.