Ronaldo: Për trofe erdha te Juventusi
Cristiano Ronaldo është “juventizuar” në maksimum sepse, ndryshe nga e kaluara, tashmë ai është gati të mendojë mbi të gjitha për skuadrën dhe ndoshta “stili Juventus” e ka përfshirë menjëherë edhe heroin e derbit të Torinos, i cili vendosi sfidën e parë të qytetit me një penallti.
Për portugezin ishte goli i 11-të në kampionat dhe i 12-ti sezonal, duke u konfirmuar goleadori më i mirë i Serisë A bashkë me Piatekun e Genoas deri në këtë moment, por edhe golashënuesi më i mirë i bardhezinjve.
“Jam shumë i lumtur për fitoren dhe golin e parë në derbi, pasi ishte një ndeshje tepër e vështirë. Fusha nuk na ndihmonte aspak, ishte skandaloze, topi kërcente shumë keq edhe për faj të të ftohtit dhe lojës së ashpër që u luajt. Gjithsesi, edhe një herë tjetër u treguam shumë të zotët, të duruar dhe e shfrytëzuam menjëherë rastin që na u dha për ta ‘thyer’ ndeshjen”, ka thënë 33-vjeçari, i cili vë Juventusin përpara golit jubilar. “Goli numër 5 000 në historinë e Juves në Serinë A? Qëkur vendosa të vija këtu e thashë dhe e kam konfirmuar edhe së fundmi: jam këtu për ta ndihmuar skuadrën, për ta çuar Juventusin te fitoret dhe trofetë që kërkon, së bashku me ndihmën e shokëve të mi. Sigurisht të realizosh një gol jubilar apo qoftë edhe vetëm golin që vendosi një sfidë kaq të ndjerë sa derbi, më lumturon, por unë preferoj të fitoj me Juventusin kundrejt numrave të mi”, ka deklaruar Ronaldo.
Në fund, në lidhje me përplasjen me portierin Ikazo, të cilin kërkoi ta “fërkojë” me trup pas goditjes së penalltisë, por në mënyrë miqësore, Cristiano Ronaldo shpjegon: “Ikazo u tregua shumë i zoti, por unë e godita shumë fort topin dhe ai hyri në rrjetë. E rëndësishme është që shënuam, pavarësisht prekjes së bërë prej tij. Fërkimi me të? Ishte një mënyrë për ta komplimentuar, por e sqaruam pas fare pak sekondash dhe gjithçka mbaroi aty”.