Ronaldo pritet të qëndrojë në Juventus

05 korrik 2021 | 12:21

Duket se Cristiano Ronaldo ka vendosur përfundimisht t’ia përkushtojë të ardhmen Juventusit, pasi menaxheri i tij Jorge Mendes u ka kërkuar bardhezinjve zgjatjen e kontratës së portugezit edhe për një vjet.

Ish-ylli i Manchester Unitedit dhe Real Madridit e ka vetëm edhe një vit në kontratën e tanishme me Juventusin dhe, sipas mediave italiane, ai dëshiron të qëndrojë në Torino për edhe një sezon tjetër.

Sipas “Gazzetta dello Sport”, bisedimet mes palëve nuk kanë nisur ende, por Juventusi është njoftuar me dëshirën e Ronaldos për ta vazhduar marrëveshjen deri në verën e vitit 2023. Juventusi është i vetëdijshëm se Mendesi ia ofroi Ronaldon PSG-së dhe Manchester Unitedit në fund të sezonit, por asnjëri prej këtyre dy klubeve nuk shfaqi interesim për 36-vjeçarin.

Juventusi ka kërkuar kohë për ta marrë vendimin, duke qenë se Ronaldo është lojtari më i paguar në klub me pagë vjetore prej 31 milionë eurove. Megjithëse ai i shënoi 100 gola gjatë tre vjetëve në Torino, pandemia e koronavirusit e ka bërë të vështirë për bardhezinjtë që ta mbajnë portugezin edhe më gjatë me një pagë aq të lartë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Qeveria e Indonezisë i urdhëroi prodhuesit që t’i japin përparësi…