Ronaldo: Të gjithë do të flasim për Valladolidin
Ish-sulmuesi i Brazilit, “Fenomeni” Ronaldo, dëshiron ta bëjë Real Valladolidin një skuadër të madhe për futbollin evropian.
Legjenda e Real Madridit dhe Interit bleu pjesën më të madhe të aksioneve të ekipit në fillim të muajit. Pas shakasë në lidhje me rolin e tij si president i bordit drejtues, duke thënë se është shumë më e vështirë se jeta e tij e mëparshme si lojtar, 42-vjeçari zbuloi planet e tij për klubin.
“Jam shumë i lumtur dhe do të jap gjithë përvojën time, të gjitha ëndrrat e mia, gjithë emocionet e mia për këtë projekt që të jetë i suksesshëm”, ka thënë ai.
“Këtu nuk është në lojë vetëm reputacioni i klubit, por mbështetja e tifozëve dhe shpresa e gjithë qytetit. Ne presim ta bëjmë të gjithë vendin të flasë për ne, pse jo edhe për Evropën. Ne kemi një ëndërr dhe kjo është ajo ku duam të jemi (Evropa). Kështu që kemi shumë punë përpara dhe jemi gati për ta bërë këtë”, ka deklaruar Ronaldo. Valladolidi momentalisht renditet në vendin e parafundit në tabelë, në kërkim të fitores së parë në kampionat.