Roshi: Në Angli shkojmë për të luajtur shanset tona
Odise Roshi në konferencën për shtyp nga grumbullimi i Kombëtares në Durrës u shpreh se ekipi do të japë maksimumin në ndeshjen ndaj Anglisë në Uembli, teksa theksoi se shpreson që të zërë një vend titullari në formacionin ndaj anglezëve.
Mesfushori theksoi se ekipi kuqezi është rritur si dhe i vendosi edhe një notë Kombëtares për ndeshjet e këtij edicioni kualifikuesesh.
“Të gjithë e dimë që me Anglinë është një ndeshje shumë e vështirë. Të gjithë e dinim kualitetin që Anglia ka shfaqur dhe ka. Kurse puna e trajnerit, se si do të luajë në fushë, atë po e bëjmë në stërvitje. Ende nuk e ka vendosur me çfarë taktike do të luajmë. Po shpresojmë të bëjë atë që ka bërë gjithmonë dhe kur të futemi të japim më të mirën dhe tani, nëse themi do të fitojmë, këtë kemi thënë gjithmonë. Do të shkojmë në Uembli të luajmë dhe të japim maksimumin”.
Mesfusha? – “Mesfushën e kemi shumë të mirë. Jemi mirë dhe jemi rritur shumë si ekip”.
Titullar ndaj Anglisë? – “Trajneri nuk e ka vendosur ende se cilët do të jenë 11 lojtarët që do të zbresin në fushë. Është kënaqësi shumë e madhe të luash kundër një kualiteti shumë të madh siç është Anglia, por shpresoj që të luaj në formacion”.
Çfarë note do t’i vija Kombëtares? – “Nota 10 është më e mira, por besoj se notën 8”.
Vendi në formacion – “Çdo lojtar që vjen në Kombëtare do të japë maksimumin dhe do të luajë në formacion, por gjithmonë e kam thënë, çdo herë që futem, që nga minuta e parë te minuta e fundit, apo edhe pesë minutat e fundit, unë gjithmonë jap më të mirën”.
A besoj te kualifikimi? – “Mrekullitë kanë ndodhur dhe prandaj janë të bukura. Shpresoj që të ndodhë kjo gjë. Kështu kemi shkuar edhe në Portugali në 2014 dhe e kemi fituar ndeshjet. Tani lojtarët janë në formë, si Cikalleshi që ka qenë edhe lojtari i javës në formacion në Turqi. Ashtu ka edhe lojtarë të tjerë, si Bare, Kumbulla, Ismajli, që luajnë në nivele shumë të mira. Shpresojmë”.