Rossi: Jemi më mirë se vitin e kaluar
Piloti i Yamahas, Valentino Rossi, është shprehur i kënaqur me testet e ditës së parë në Katar dhe ka shprehur optimizëm për vitin 2020.
Rossi ka bërë me dije se është i kënaqur me përmirësimet e motoçikletës së tij dhe beson se këtë vit janë më të shpejtë sesa vitin e kaluar. “Ishte ditë pozitive, pasi kemi konfirmuar atë që kemi parë më herët. Në fund, përfundova në P7. Por, isha konstant dhe me shpejtësi të mirë” ka thënë Rossi për faqen zyrtare të ‘Moto GP’.
“Jemi të lumtur sepse duket se motoçikleta po përmirësohet nga viti i kaluar, por edhe nga testet e kaluara. Jemi të aftë të përmirësohemi”, ka shtuar italiani. “Është vetëm dita e parë e testeve në Katar, por jemi më të shpejtë sesa vitin e kaluar dhe kam një ndjesi të mirë për motoçikletën” ka thënë numri 46 i Yamaha. Mbetet të shihet se si do të jetë sezoni për Valentino Rossi.