Rossi: Jemi më të shpejtë se në vitin e kaluar
Testet e zhvilluara në Sepang kanë kënaqur shumë pilotin italian Valentino Rossi, i cili ka qenë konstant në paraqitjet e tij në pistën malajziane, ndërkohë që motori Yamaha ka qenë më i shpejtë krahasuar me një vit më parë.
“Kemi bërë një punë të mirë dhe kjo është më e rëndësishmja. I kemi idetë e qarta se çfarë kemi bërë dhe çfarë duhet të bëjmë ditët në vijim. Vuajtëm pak adaptimin e duhur të gomave me pistën dhe me motorin duke humbur pak kohë në xhiro. Por, duke bërë një krahasim me vitin e kaluar, kemi përmirësuar ndjeshëm paraqitjen tonë, ndaj rezultati i testeve është pozitiv”, ka thënë Rossi.
I kënaqur edhe shoku i tij i skuadrës Maverick Vinales, që në ditën e dytë dha kohën më të mirë në pistë. “Nga dita në ditë situata ka ndryshuar dhe në fund patëm pak vështirësi, por mendoj se motori i ri është mjaft i mirë dhe i shpejtë krahasuar me vjet. Ndjeva një përmirësim në paraqitje dhe kjo më jep besim, sidomos në momentin që shtyp gazin dhe jemi në pjesën e drejtë”, u shpreh Vinales.
Testet dimërore në Moto GP do të vijojnë javën e ardhshme, me pilotët që do t’i provojnë ndryshimet e radhës në motorët e tyre.