Rossi: Në Silverstone nis rikthimi im si kampion
Valentino Rossi beson se gara e radhës e botërorit të Moto GP, në pistën e Silverstones, do të jetë sërish pozitive për të dhe motorin Yamaha.
Në garën e fundit në Austri piloti italian u rendit në vendin e katërt. “Në dy garat e fundit motori ka qenë ndryshe, më i shpejtë dhe i fuqishëm. Kemi punuar mirë për t’i bërë ndryshimet e duhura. Fakti që në Austri, një pistë e keqe për Yamaha, ne u paraqitëm mirë, është sinjal inkurajues”, ka thënë Rossi.
Gara e radhës në Silverstone. “Ne synojmë që këtë ritëm ta kemi edhe në Angli, një pistë fantastike për mua, të cilën e adhuroj. Pistë e gjerë, teknike, e shpejtë dhe këtë vit me një asfalt të ri. Mezi pres ta provoj. Nëse paraqitemi mirë edhe këtu, atëherë për mua dhe Yamaha do të jetë një fillim i ri. Shpresoj që kushtet e motit të jenë të mira (vjet u anulua gara prej shiut). Kjo është një pistë që do t’i testojë pretendimet tona”, ka deklaruar Rossi.