Rossi para garës së 400: Jam një gjysh në Moto GP, por dua të fitoj
Këtë fundjavë do të zhvillohet gara e Çmimit të Madh të Australisë në Moto GP. Kjo do të jetë gara e 400 në këtë kategori për pilotin italian Valentino Rossi.
“Është e bukur të arrij këtë shifër, mbi të gjitha në një pistë ikonë të Moto GP. Kur debutova në këtë sport nuk e kisha imagjinuar kurrë se do të arrija deri këtu”, ka thënë Rossi. “Kur debutova në këtë sport, nëse do të shihja një pilot 40-vjeçar që garonte, do ta konsideroja gjysh. Tani ai gjysh jam unë. Megjithatë, jam i motivuar ende për të fituar dhe kjo më bën të garoj”, u shpreh piloti italian, me nëntë tituj të fituar.
“Kur je i ri nuk mendon se do të garosh kaq gjatë në një sport. Nuk i ke idetë e qarta, por tani është ndryshe. Kur debutova isha 17-vjeçar, kisha gjithë jetën përpara. Tani jam një gjysh që ndihem po aq i ri në zemër si ata që garojnë për herë të parë. Sot në Moto GP duhet të vendosim për të ardhmen dy vjet më herët ndaj më duhet të mendoj edhe për vitin 2021”, ka deklaruar Rossi.