Rossi: Vështirë të konkurrojmë me Hondan dhe Ducatin
Edhe pse 40-vjeçar, Valentino Rossit nuk i pëlqen të mos garojë për titull, për fitoren e garës apo për një vend në podium.
Piloti italian ka mbetur i zhgënjyer nga gara e zhvilluar ditën e diel në Austri, ku startoi nga vendi i 14-t dhe në fund u rendit i gjashti, maksimumi për të dhe motorin Yamaha. “Honda e Ducati janë shumë më të shpejtë se ne, ndaj është zhgënjyese kur sheh se nuk ke mundësi të garosh për fitore. Ne jemi Yamaha zyrtare dhe duhet të jemi njësoj si ata, të garojmë për fitore dhe jo për një renditje sa më të mirë. Nuk ia vlen të fshihemi pas gishtit. Diferenca me kryesuesit është shumë e madhe”, ka thënë Rossi.
“E dinim se kjo pistë do të ishte e vështirë për ne, por fakt është se kemi gjithë vitin që përballemi me këto situata. Në Austri nuk mund të shkoja më shumë se vendi i gjashtë. Më vjen keq të them se në këtë çast e kemi të vështirë të duelojmë edhe për një vend në podium në Moto GP”, ka shtuar Rossi.