Roth: Izraeli ka të drejtë të përgjigjet, por jo të bëjë çfarë të dojë
Si Hamasi, ashtu edhe Izraeli janë duke kryer krime lufte në konfliktin aktual, thotë për “Radion Evropa e Lirë” Kenneth Roth, ish-drejtor ekzekutiv i organizatës Human Rights Watch.
Sipas tij, të dyja palët po luftojnë pa respektuar siç duhet parimet e së drejtës ndërkombëtare humanitare.
Roth thotë se Izraeli ka të drejtë t’iu përgjigjet “mizorive të tmerrshme” të Hamasit, por se kjo “nuk ia jep lirinë të bëjë çfarë të dojë”.
Ai kritikon rrethimin e Gazës dhe moslejimin e ndihmave humanitare për njerëzit në nevojë, ndërsa i dënon sulmet e të dyja palëve në zonat civile.
“Detyra për ta respektuar ligjin ndërkombëtar humanitar, për të mos kryer krime lufte, është detyrë absolute”, thotë Roth, i cili ka shërbyer gati tri dekada në njërën prej organizatave kryesore ndërkombëtare të të drejtave të njeriut në botë.
Në pyetjen se edhe Hamasi, edhe Izraeli akuzohen për akte të paligjshme në konfliktin aktual. Si i shihni ju sjelljet e tyre deri më tani?, Roth është përgjigjur: “Qartazi, të dyja palët po kryejnë krime lufte. Hamasi ka kryer mizori të tmerrshme, duke vrarë qindra civilë izraelitë dhe duke marrë pengje afro 200 izraelitë. Këto janë krime lufte, ashtu si edhe sulmet e tij periodike me raketa në zonat e banuara me civilë izraelitë. Qeveria izraelite ka kryer gjithashtu krime lufte, duke qëlluar pa dallim në lagjet palestineze, duke goditur vërtet lagje të tëra në përpjekjet e saj për të ndjekur objektivat e Hamasit. Por, duke qëlluar më gjerësisht, ka sulmuar edhe ndërtesa të mëdha banimi dhe qindra familje kanë humbur shtëpitë e tyre. Izraeli, po ashtu, e ka vendosur [Gazën] nën rrethim, duke ia bllokuar ushqimin, ujin, karburantet dhe energjinë elektrike. Kjo është një formë e ndëshkimit kolektiv të të gjithë popullatës palestineze të Gazës. Pra, qartazi, ka krime lufte nga të dyja palët. Është e rëndësishme të theksohet se ligji ndërkombëtar humanitar nuk e shfajëson njërën palë, vetëm se pala tjetër nuk e respekton atë. Detyra për ta respektuar ligjin ndërkombëtar humanitar, për të mos kryer krime lufte, është një detyrë absolute, që nuk kushtëzohet nga sjellja reciproke e kundërshtarit”.
Ai ka theksuar se gjatë luftës mund të hapet zjarr kundër luftëtarëve në anën tjetër, por nuk mund të shënjestrohen civilët.
“Ju nuk mund të qëlloni pa dallim në zonat civile dhe, madje, nuk mund të shënjestroni as edhe një objektiv ushtarak, nëse ndikimi mbi civilët do të jetë joproporcional. Po ashtu, nuk mund ta bllokoni dërgimin e ndihmave humanitare për njerëzit në nevojë. Pra, këto janë rregullat themelore. Ato janë të përpunuara në shumë detaje, por ky është thelbi i tyre. Dhe, fatkeqësisht, të dyja palët po i injorojnë këto rregulla”, ka pohuar Roth.