Roth për pasivizimin e adresave të shqiptarëve nga Serbia: Asgjë më pak se spastrim etnik
Roth ka konsideruar se pasivizimi i adresave të shqiptarëve nga ana e shtetit serb përbën “një shkelje të qartë të së drejtës ndërkombëtare nga ana e Serbisë”.
Kryetari i Komitetit për Punë të Jashtme në Parlamentin e Gjermanisë, Michael Roth, duke folur për pasivizimin e adresave të shqiptarëve të Luginës së Preshevës, posaçërisht në Medvegjë, nga ana e Serbisë, ka thënë se ky veprim nuk është asgjë me pak se sa spastrim etnik.
Të enjten, zëdhënësja e Komisionit Evropian, Ana Pisonero, ka thënë se Bashkimi Evropian është në dijeni për shqetësimin e shqiptarëve në Luginë të Preshevës sa i përket pasivizimit të adresave, derisa u bëri thirrje autoriteteve serbe që ta shpjegojnë në detaje këtë çështje.
Prandaj, duke shpërndarë këtë qëndrim të BE-së, përmes një postimi në platformën X, Roth ka theksuar se Komisioni i BE-së më në fund po ndërmerr masa ndaj pasivizimit të adresave të shqiptarëve etnikë në jug të Serbisë.
Nga këndvështrimi i tij, ky veprim i Serbisë përbën “një shkelje të qartë të së drejtës ndërkombëtare nga ana e Serbisë”.
“Asgjë më pak se spastrim etnik”, e ka konsideruar deputeti gjerman.
Ndryshe, të enjten, zëdhënësja e KE-së Pisonero, deklaroi se janë në dijeni rreth shqetësimeve për pasivizimin e adresave të komunitetit shqiptar në Serbi.
“Jemi duke ndjekur këto zhvillime në frymën e obligimeve që ka marrë Serbia në kuadër të negociatave të anëtarësimit, sidomos ato që kanë të bëjnë me të drejtat e pakicave”, potencoi ajo.
Sipas liderëve politikë të shqiptarëve në Serbi, janë mbi 6 mijë adresa të shqiptarëve që shteti serb i ka pasivizuar.
Ky pasivizim ka qenë sistematik. Ka ndodhur kryesisht në raste kur shqipatrët janë në pushime, në udhëtime ose kur nuk janë në shtëpi për një periudhë të shkurtër kohore.
Pasivizimi i adresave nënkupton humbjen e shtetësisë dhe të gjitha të drejtat civile, përfshirë të drejtën për të votuar, për të pasur pronë, për të pasur shërbime mjekësore ose asistencë sociale.
Madje, Gjykata Kushtetuese e Serbisë, gjatë kësaj jave, e ka legjitimuar vendimin e autoriteteve serbe për të ndërmarrë këso veprimesh, kjo pasi që ka hedhur poshtë ankesën e një qytetari shqiptar nga Medvegja për kthimin e adresës së banimit.
Pasivizimi i adresave është një çështje që është ngritur edhe në Senatin Amerikan, por edhe në institucionet e Bashkimit Evropian.
Liderët politikë shqiptarë atje e kanë konsideruar si spastrim etnik pasivizimin e adresave, derisa u kanë bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar që të reagojë.