Rrahim Pacolli: Nëse ministri Sefaj nuk e vazhdon punën, AKR do të largohet nga koalicioni
Sekretari i AKR-së, Rrahim Pacolli, i ka reaguar Jetlir Zyberajt këshilltarit të ministrit të Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, rreth deklaratës së tij ku theksoi se AKR ka pranuar kërkesën e kryeministrit Ramush Haradinaj për shkarkimin e ministrit të MPB-së, Flamur Sefaj.
Zyberaj në një deklaratë dhënë për televizionin “T7” deklaroi se nesër do të zyrtarizohet shkarkimi i ministrit Sefaj, mirëpo një gjë të tillë e ka mohuar Rrahim Pacolli.
Pacolli përmes një postimi në profilin e tij në “Facebook”, ka shkruar se deklarata e Zyberajt nuk përfaqëson qëndrimin unik të AKR-së, duke thënë se AKR do të largohet nga koalicioni nëse ndodh diçka e tillë.
Postimi i plotë i Pacollit:
AKR nuk ka pranuar kërkesën e Haradinajt për shkarkimin e Ministrit të Punëve të Brendshme, Flamur Sefaj. Deklaratat e Jetlir Zyberaj, këshilltari i ministrit të Punëve të Jashtme të Kosovës, nuk përfaqëson qëndrimin unik të Aleancës Kosova e Re. I bëjmë me dije kryeministrit Ramush Haradinaj, se nëse ministri Sefaj nuk vazhdon punën në ministri, Aleanca Kosova e Re do të largohet nga koalicioni qeverisës. Rr.P