Rrahje dhe ofendime në Kuvend gjatë vitit 2023
Kuvendi i Kosovës gjatë vitit 2023 u përcoll me mungesë kuorumi, akuza dhe sharje që kulmuan në rrahje të paprecedentë ndërmjet deputetëve të PDK-së dhe disa prej ministrave të kabinetit qeveritar në seancën e 13 korrikut.
Në partinë në pushtet akuzojnë opozitën se gjatë tërë vitit ka përdorur kauza fiktive për të dëmtuar mazhorancën. Por të kundërtën e thonë nga opozita, të cilët vlerësojnë se Lëvizja Vetëvendosje nuk ka pasur vullnet politik për të bashkëpunuar me opozitën as për çështje të interesit nacional. Opozitarët kritikojnë pushtetin edhe për mos përmbushje të agjendës legjislative, si dhe moslejim të mbikëqyrjes parlamentare.
Monitoruesja e punës së Kuvendit të Kosovës, Violeta Haxholli, thotë për KosovaPress se legjislativi gjatë vitit 2023 ka miratuar vetëm 71 ligje apo vetëm 25 për qind të agjendës legjislative të vitit 2023. Ajo thekson se shumë seanca kanë dështuar për shkak të kuorumit, derisa konsideron se Kuvendi ka dështuar në aspektin e mbikëqyrjes parlamentare ndaj qeverisë.
“Ky vit është pak më i dobët sesa ai i vitit të kaluar të Kuvendit të Kosovës, pasi ka më pak ligje të miratuar në krahasim me vitin e kaluar ku janë miratuar mbi 100 ligje, ndërsa kësaj radhe kemi diku afro vetëm 60 ligje që janë miratuar në Kuvend. Kuvendi në përgjithësi është karakterizuar me shumë fenomene, ka pasur përdorim të gjuhës jo parlamentare mes deputetëve që eskalojë në dhunë gjatë muajit korrik. Po ashtu, ka pasur mungesa të mëdha të deputetëve, kështu për pasojë shumë seanca kanë dështuar si pasojë e mungesës së kuorumit.
Pastaj mbikëqyrja nuk ka qenë në nivel, ka pasur pak aktivitete të mbikëqyrjes nga ana e deputetëve ndaj përfaqësueseve të qeverisë. Ka pasur disa fenomene, ku vetë qeveria ka bllokuar rolin mbikëqyrës të Kuvendit. Kemi parë kur kryeministri ka refuzuar t’i përgjigjet pyetjeve parlamentare të opozitës, i cili ka qenë një rast i paprecedent në Kuvend…Kemi pasur mungesë të madhe të konsensusit politik ndërmjet pozitës dhe opozitës për marrëveshjet ndërkombëtare. Për tetë muaj me radhë gjatë vitit nuk kanë mundur të miratohet marrëveshjet ndërkombëtare nga ana e Kuvendit për shkak të mungesës së këtij konsensusi”, thotë ajo.
Në anën tjetër, shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, thotë se Kuvendi gjatë këtij viti ka pasur performancë të mirë, por në faza të caktuara ka pasur ngecje, që sipas saj kanë ndodhur kur ka pasur bllokadë nga partitë opozitare.
Ajo arsyetohet për mos miratimin as këtë vit të Kodit civil, derisa zotohet se viti i ardhshëm do të ketë një dinamikë të shtuar të punës për të përmbushur premtimet elektorale.
“Çka e ka karakterizuar Kuvendin në tri vite mund të themi funksionim me etapa të dinamikës së shtuar apo ngecjeve. Kjo ka qenë një karakteristik e vazhdueshme. Ngecjet kanë ardhur kur ka pasur bllokadë apo mospajtime mes pozitës dhe opozitës… Jemi munduar që komunikimin dhe natyrisht edhe diskutimin në aspektin e nivelit të parlamentarizmit të mbajnë edhe opozitën, përkundër që vështirësitë kanë qenë evidente. E përmendët rrahjen, që është lidhur me një kauzë që opozita është munduar të shtyjë përmes publikimit të përgjimeve të bisedave të mija me ish-përfaqësuesin e Listës Serbe në Kuvend.
Përkundër që është bërë investim shumë i madh doli se kauza prapë nuk ishte e qëndrueshme për çfarëdo veprimi apo rezultati që dëshironin. Në fund kemi mbetur me ngujimin e tyre me mos votim as të marrëveshjeve ndërkombëtare…21:14Ne kemi mbetur të përkushtuar në përmbushjen e agjendës legjislative dhe programit zgjedhor që kemi garuar.
Sa i përket kodit civil ende nuk ka ardhur nga qeveria. Kjo ka qenë si rrjedhojë e diskutimit pak më të gjerë dhe arritjes së konsensusit që shkon përtej të pozitës për votim të tij 22:12 Viti i ardhshëm duhet të jetë viti me dinamikën më të madhe për arsye se ne kemi marrë obligime në premtimet tona elektorale dhe ato obligime janë një kontratë me qytetarët që i ka dhënë besim në masë LVV-së. Konsiderojmë se duhet një aktivitet i ngjeshur në legjislativ dhe ekzekutiv që sa më shumë të përafrojmë programin që kemi fituar zgjedhjet”, thekson Kusari-Lila.
Por kritika ndaj mazhorancën në Kuvend adreson deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, e cila thotë se pushteti ka mbetur prapa në përmbushjen e agjendës legjislative, derisa shumica prej ligjeve të miratuara sipas saj kanë shkuar me procedura të përshpejtuara.
Siç deklaron ajo edhe përmbajta e ligjeve ka qenë e dobët, andaj disa prej tyre edhe janë dërguar në Gjykatë Kushtetuese, ku përmend Ligjin për fondin sovran.
“Nuk kemi pa vullnet politik të shumicës për tu koordinuar edhe për çështjen që kanë pasur interes nacional. Agjenda legjislative ka qenë e përmbushur në një nivel tejet të dobët në raport me pritjet që kanë qenë që në fillim. E dini se qeveria ka sjellë një agjendë shumë ambicioze dhe që në start kemi pasur dilemat tona nëse kjo do të përmbushej në Kuvend. Çka kemi pa gjatë këtij viti janë kryesisht shkelje të procedurave, procedura të përshpejtuara në miratimin e ligjeve dhe mungesë ose më mirë të them tejkalim i debatit publik brenda Kuvendit për t’i trajtuar çështjet me interes. Po ashtu një papërgjegjësi e qeverisë në raport me Kuvendit për të dhënë llogari për ligjet dhe mungesë e transparencës e cila ka qenë e mbyllur.
Arbitrariteti më i madh ka qenë pamundësia që qeveria t’i kthejë përgjigje deputetëve të Kuvendit. Arroganca e pushtetit për t’u përgjigjur në çështjet e deputetëve, për herë të parë në demokraci kemi pa një demokraci të roleve, ku ministra kanë zgjedhur se cilëve deputetë do t’iu përgjigjen në pyetjet parlamentare”, deklaron Deliu-Kodra.
Ndërkaq, deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, thotë se puna e legjislativit në aspektin përmbajtjesor ka qenë e dobët për shkak të ndërhyrjeve të qeverisë dhe shumicës në Kuvend.
Ai përmend bllokimin e disa komisioneve hetimore, që sipas tij nuk ka lejuar mbikëqyrjen parlamentare.
“Puna e Kuvendit në aspektin përmbajtjesor ka qenë e dobët për shkak të ndërhyrjeve të shumicës. Po ashtu edhe për shkak të asaj që ne e quajmë paaftësi për të menaxhuar me Kuvendin, por edhe me strategjinë legjislative…Moslejimi i mbikëqyrjes parlamentare duke bllokuar komisionet funksionale, duke bllokuar me arrogancën e numrave propozimet e opozitës, por duke bllokuar edhe kritikën elementare për dhënien e alternativën për një qeverisje më të mirë. Ky vit ka qenë më i keqi në vitet e fundit edhe për shkak të mos përmbushjes së agjendës së legjislative, arrogancës për të mos raportuar para deputetëve dhe për shkak të asaj që nuk kemi pa një cilësi të ligjeve që kanë ardhur, pasi janë kanë ligje të dobëta”, thotë Zemaj.
Kuvendi gjatë vitit 2023 ka mbajtur gjithsej 78 seanca të cilat për shkak të planifikimit të dobët dhe mungesës së deputetëve prodhuan 27 vazhdime, ndërkaq u mbajtën edhe 13 seanca të jashtëzakonshme dhe dy seanca solemne.