Rrahje në Qendrën e Paraburgimit në Prishtinë, i paraburgosuri e grushton oficerin
Edhe pse prapa grilave, shpeshherë të paraburgosurit e të dënuarit përfshihen në sherre brenda qendrave korrektuese. Ka raste kur rrahen mes vete, por jo rrallëherë ndodhë që viktima të jenë edhe personat zyrtarë, raporton Sinjali.
Një rast i tillë ka ndodhur mëngjesin e sotëm në Qendrën e Paraburgimit në Hajvali të Prishtinës dhe kësaj radhe viktimë është një gardian.
Sinjali ka mësuar se një i paraburgosur i cili ishte dërguar në këtë qendër para disa ditëve, e ka sulmuar fizikisht një oficer në hapësirat e pavijonit.
Sipas informacioneve të para, incidenti ndodhi gjatë shërbimit të ushqimit, ku viktima u përballë me të dyshuarin – i cili e grushtoi në fytyrë, thonë tutje të njëjtat burime.
Oficeri që ishte cak i sulmit ka marrë trajtim mjekësor, ndërsa lidhur me rastin është vënë në dijeni edhe Policia.
Pas konsultimit me Prokurorin e Shtetit, është iniciuar hetimi ndaj të dyshuarit, në drejtim të veprës penale “Sulm ndaj personit zyrtar”.
Kujtojmë se incidente të tilla po ndodhin pikërisht në kohën kur ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu po krekoset se po udhëheq suksesshëm me ministrinë dhe ka rritur nivelin e sigurisë në burgje.