Rrahman Jasharaj: Greva në arsim do të vazhdojë
Edhe dita e tretë e grevës së përgjithshme të SBASHK-ut ka dëshmuar unitetin dhe këmbëngulësinë për realizimin e kërkesës për ngritje të koeficienteve për 30 për qind për tërë sektorin e arsimit, duke filluar nga çerdhet, arsimi parauniversitar dhe universitetet.
Raportet që kanë arritur në Këshillin Qendror nga këshillat greviste nga komunat e Kosovës dhe të universitetet tregojnë se çerdhet dhe të gjitha institucionet tjera të arsimit vazhdojnë të qëndrojnë të pa luhatur në grevën e përgjithshme.
Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, me anëtarë të Këshillit Qendror Grevist dhe me përfaqësuesen e çerdheve në Këshillin Drejtues të SBASHK, Flora Gashi kanë vizituar komunën e Lipjanit për t’u takuar me grevistët në Shkollën Fillore e të Mesme të Ulët “Vëllezërit Frashëri” dhe në çerdhen e kësaj qyteze, raporton “Epoka e re”.
Kryetari i SBASHK-ut ka përgëzuar edhe punëtorët e arsimit në Lipjan për unitetin e treguar dhe ka përsëritur se do të jetë zë i tyre në angazhimin për realizimin e kërkesave legjitime.
Ai ka thënë se duke respektuar zërin e punëtorëve të arsimit dhe vendimin Këshillit Drejtues greva do të vazhdojë deri në plotësimin e kërkesës legjitime të SBASHK-ut lidhur me përmirësimin e koeficienteve.
/Epoka e re/