Rrahman Jasharaj: Mësimi nis nesër, greva mund të ketë pas zgjedhjeve
Mësimi në shkollat e Kosovës do të rifillojë nesër (e mërkurë).
Ky moment shënon rikthimin e nxënësve dhe mësimdhënësve nëpër klasa në gjysmë vjetorin e dytë, pas pushimit dyjavor dimëror.
Shkollat janë përgatitur për këtë periudhë të re mësimore, ndërsa drejtuesit e arsimit dhe sindikatat po monitorojnë me kujdes situatën për çdo zhvillim të mundshëm në lidhje me kërkesat e punonjësve të arsimit dhe politikat e qeverisë.
Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit (SBAShK), Rrahman Jasharaj, nuk ka përjashtuar se gjatë këtij gjysmëvjetori mund të ketë veprime sindikale si greva e protesta.
Jasharaj për “Front Online” ka bërë të ditur se pas rikthimit të mësimdhënësve në shkolla do të zhvillohet një bisedë me ta për të shqyrtuar situatën dhe masat sindikale që mund të merren.
“Të mërkurën do të fillojë gjysmë vjetori i dytë. Kur të kthehet mësimdhënësit në shkolla do të bashkëbisedojmë me ta dhe të shohim se çfarë vendime po marrim”, ka thënë Jasharaj.
Ai theksoi se Sindikata do të jetë e kujdesshme në veprimet e saj, duke pasur parasysh fillimin e fushatës politike dhe frikën se çdo vendim mund të keqinterpretohet, veçanërisht, siç ka thënë ai, nga qeveria.
“Do të jemi shumë të matur për veprime sindikale pasi fillon fushata politike që mos të na lexojnë si mesazh të gabuar qoftë qeveria që e ka zakon të hedh fjalë se jemi herë me ta e herë me dikë tjetër. Nëse mbajmë grevë mund të na akuzojë siç e ka traditë partia në pushtet se qenkemi me ata apo me këta”, ka thënë Jasharaj.
Sipas Jasharajt, punëtorët e arsimit janë të zhgënjyer me veprimet e qeverisë dhe Ministrisë së arsimit, duke u shprehur se protestat dhe grevat deri më tani nuk kanë pasur ndikim në realizimin e kërkesave të tyre.
“Punëtorët e arsimit janë të zhgënjyer edhe me Kurtin edhe Nagavcin”, ka theksuar ai.