Rrahman Rama foli për tranzicionin e FSK-së në konferencën ‘Karta e Adriatikut A5’
Komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama, ka marrë pjesë në takimin vjetor të shefave të Mbrojtjes në kuadër të ‘Kartës së Adriatikut A-5’, që u mbajt në Budva, Mali i Zi, nga data 3 deri më datën 5 tetor.
Gjenerallejtënant Rrahman Rama, në adresimin e tij në kuadër të konferencës ‘SHBA-Karta e Adriatikut A5’, i ka njoftuar homologët e tij lidhur me tranzicionin e FSK-së dhe zgjerimin e kompetencave të saj.
Rama me theks të veçantë ka folur për nevojën e zgjerimit të bashkëpunimit në nivel rajonal; me qëllim të rritjes së ndërveprueshmërisë, besimit dhe shkëmbimit të përvojave në sektorin e Sigurisë dhe Mbrojtjes.
Komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama, dhe komandanti i Gardës Kombëtare të Ajovës gjeneralmajor, Timothy Orr ,të shoqëruar edhe nga atasheu ushtarak amerikan koloneli, Nichols Ryan, zhvilluan një takim të përbashkët me zëvendëskomandantin e Komandës së Ushtrisë Amerikane për Evropë (EUCOM) gjenerallejtënant Stephen M. Twitty, ku së bashku diskutuan për marrëdhëniet e shkëlqyera dypalëshe.
Me këtë rast, gjeneral Rama e ka njoftuar gjeneralin Twitty lidhur me procesin e tranzicionit, zhvillimin profesional të FSK-së, integrimin e komunitetit joshumicë, bashkëpunimin e shkëlqyeshëm me Gardën Kombëtare të Ajovës-SHBA, si dhe sfidat me të cilat po ballafaqohet FSK-ja.
/Epoka e re/