Rrahmani e Zyba: Ndaj Andorrës luajmë për fitore
“Dardanët” kanë përfunduar stërvitjen e fundit parëse të udhëtojnë drejtë Andorrës, derisa futbollistët Albion Rrahmani dhe Qëndrim Zyba kanë paralajmëruar se Kosova nga kjo ndeshje synojnë fitoren e parë në kualifikimet për “Euro 2024”.
Përfaqësuesja e Kosovës në futboll të martën e ka zhvilluar seancën e dytë stërvitore dhe të fundit në Kosovë në kuadër të përgatitjeve për ndeshjen kundër Andorrës. “Dardanët” të enjten përballen me Andorrën nga ora 20:45 në kuadër të kualifikimeve për “Euro 2024”. Sulmuesi Albion Rrahmani
ka thënë se “dardanët” synojnë rezultat pozitiv nga kjo ndeshje, derisa nuk ka hezituar të jep edhe një premtim të madh se do të jap shpirtin në fushë për të arritur synimin. “Gjendja e ekipit është jashtëzakonisht e mirë. Shpresoj se të gjithë bashkëlojtarët të jenë në fizikun 100 përqind. Na pret një ndeshje e vështirë, por besoj që me kualitetin që kemi do të marrim rezultatin pozitiv dhe pse jo tre pikë. Është ndjenjë e veçantë ta kesh barrën kryesore te kombëtarja, të cilën e kam ëndërruar me vite që të jem pjesë e saj. Jam shumë krenar që tashmë do të kem hapësirë që ta ndihmojë kombëtaren. Besoj që në këtë ndeshje të shënoj dhe ta ndihmoj ekipin. Shpresoj që gjithçka të shkoj mirë. Unë do ta lë shpirtin në fushë për këtë fanellë, sepse është nder dhe krenari ta kesh në trup”, ka thënë Albion Rrahmani.
Sulmuesi i Rapid Bukureshtit pritet të jetë titullar pas mungesës së Vedat Muriqit. Për këtë ndeshje foli edhe mesfushori i Ballkanit, Qëndrim Zyba, i cili është ftuar për herë të parë në përfaqësuese. Zyba ka bërë me dije se tash po i realizohet ëndrra që e ka pasur nga fëmijëria për të luajtur për Kosovën, kurse sa i përket synimeve ai bëri me dije se “dardanët” do të luajnë për fitore.
“Më të vërtetë është një prej ëndrrave që kam pasur që nga fëmijëria dhe më është realizuar. Çdo moment që i duhemi shtetit tonë jemi në gjendje për të dhënë më të mirën tonë. Falë Zotit jam me një formë mjaft të mirë dhe shpresoj që atë që di të bëj më së miri ta ndihmoj ekipin nëse më jepet mundësia. Djemtë janë të shkëlqyeshëm. Ata na kanë pritur shumë mirë neve që jemi më të rinj dhe i falënderoj shumë sepse na kanë afruar shumë shpejt në grup. Andorra? Çdo kundërshtar është i vështirë, por ne do të japim maksimumin dhe do t’i bëjmë detyrat që na cakton trajneri. Patjetër duhet të shkojmë për fitore”, ka thënë Zyba.