Rrahmani humb ndeshjen ndaj Empolit për të luajtur për Kosovën
Napoli do të paraqitet të dielën kundër Empolit pa mbrojtësin Amir Rrahmani. Rrahmani do të luajë të dielën për Kosovën kundër Izraelit. Kështu kanë raportuar të hënën mediumet në Itali.
“Amir Rrahmani do të jetë në dispozicion të Napolit të mërkurën për ndeshjen kundër Union Berlinit në Ligën e Kampionëve, por do të mungojë të dielën shkaku që FIFA ka caktuar që ndeshja e shtyrë në mes të Kosovës dhe Izraelit të luhet në ditën e njëjtë kur Napoli do të luajë ndaj Empolit në shtëpi”, shkruan “Corriere dello Sport”.
Mediumi italian shkruan se Napoli është pajtuar ta lirojë Rrahmanin t’i bashkohet Kosovës për ndeshjen kualifikuese për “Euro 2024”. Ndeshja Kosovë – Izrael e planifikuar të luhej më 15 tetor, u shty për shkak të situatës në Lindjen e Mesme.