Rrahmani: Nëse vazhdojmë kështu e fitojmë ‘Scudetton’
Kapiteni i Përfaqësueses së Kosovës në futboll, Amir Rrahmani, po shkëlqen me fanellën e Napolit në këtë edicion. Futbollisti “dardan” është ndër pikat më të forta të klubit italian i cili po ecën sigurt drejt titullit kampion në Serinë A.
Rrahmani për “Radio Kiss Kiss Napoli” nuk e fsheh dëshirën për ta fituar “Scudetton” dhe për të shkuar sa më larg në Ligën e Kampionëve.
“Jemi në gjysmë të rrugës. Mund ta shqiptojmë fjalën ‘Scudetto’. Kanë mbetur edhe shumë ndeshje dhe ne po përgatitemi lojë pas loje. Nuk mendojmë për fundin. Mund ta fitojmë titullin vetëm nëse i zhvillojmë ndeshjet ashtu siç dimë. Nuk ka nevojë për fjalë. Sa i përket Ligës së Kampionëve, besojmë në objektivin për ta arritur çerekfinalen. E kemi bërë një rrugëtim të madh. Shpresojmë të bëjmë diçka të shkëlqyeshme”, ka thënë Rrahmani për “Radio Kiss Kiss Napoli”.
Ish-mbrojtësi i Prishtinës, Drenicës dhe Dinamo Zagrebit ka kujtuar edhe kohën e vështirë kur ishte i lënduar, por ai është ringjallur nën drejtimin e Luciano Spallettit, të cilin e ka lartësuar për punën që po e bën me ekipin. Gjithashtu, i ka falënderuar edhe tifozët për mbështetjen që po ia japin ekipit.