Rrahmani përplaset me ministren Nagavci për kurrikulën për edukatën seksuale në shkolla
Deputeti pavarur i Kuvendit të Kosovës, Eman Rrahmani, ka akuzuar ministren e Arsimit, Arbërie Nagavci, për ndarjet buxhetore për disa kategori, teksa ka kërkuar nga ajo të tregojë për mjetet që janë shpenzuar për LGBT e për kurrikulën për edukatën seksuale dhe shëndetin riprodhues.
Rrahmani ka treguar se çka përfshihet në kurrikullën për edukatën seksuale.
“Do të duhej të tregohej sa mjete janë shpenzuar për kalimin e ligjit që lejon martesat burri me burrë; sa mjete i janë jep mbrojtjes së komunitetit LGBT, sa mjete ka jep Ministria i Shëndetësisë; sa mjete janë jep për surrogaci që fëmija mos me pasë të drejtë të di kënd e ka babë e nanë. Ish dashtë ministrja Nagavci me tregu se çfarë ka bërë me kurrikulën për arsim në edukatën seksuale dhe shëndetin riprodhues. Në atë kurrikulë mësohen se si mësimdhënësit u tregojnë fëmijëve prej klasës së parë deri në 12-të se si i kryejnë marrëdhëniet e tyre seksuale në shtëpitë e tyre. Çka ju pengon familja? Për mu pak rëndësi ka ku shkon ky buxhet, ka rëndësia mbrojtja e fëmijëve”, ka thënë ai në seancën e Kuvendit ku po debatohet për projektbuxhetin për vitin 2025.
I menjëhershëm ishte reagimi i ministres Nagavci, e cila ka thënë se deputeti Rrahmani është duke e përdorur foltoren e Kuvendit për interesa personale.
Më tutje, ajo ka pyetur Rrahmanin se pse nuk u deklaruar edhe për udhëzimin administrative për lejimin e vajzave me mbulesë në institucionet arsimore.
“Është për keqardhje të përdoret kjo foltore siç keni bërë gjithmonë për interesa personale apo të një grupi. Kurrikulat tona kanë të bëjnë me edukimin dhe mirëedukimin e vajzave dhe djemve. Pse nuk folët sot për Udhëzimin Administrativ, sepse sot nuk kemi asnjë vajzë që nuk e vijon mësimin. Sa do që jeni munduar të manipuloni me vajza e me familje, nuk e kemi asnjë vajzë që nuk e vijon mësimin. Kurrikulat janë dokumente publike”, ka thënë Nagavci.