Rrahmani, ‘ylli i javës’ në Superligën e futbollit
Edhe në sezonin pranveror vazhdon ndarja e çmimit “ylli i javës” nga Federata e Futbollit e Kosovës dhe sponsori i Superligës, Albi Mall. Ky çmim për javën e 19-të në Albi Mall Superligë i ka takuar futbollistit të FC Ballkani, Albion Rrahmani.
Vlerësimi i më të mirit të javës është bërë nga komisioni i veteranëve të futbollit.
Sulmuesi i portokallezinjve ka qenë protagonist i kësaj jave, ngase shënoi tre gola në fitoren që skuadra e tij e realizoi si mysafire kundër Malishevës (4-2).
Çmimin “ylli i javës” për futbollistin e Ballkanit e dorëzoi Arianit Bobaj, mexhaneri marketingut në Albi Commerce dhe Albi Market. Pas marrjes së këtij çmimi, Albion D. Rrahmani u shpreh i lumtur dhe premtoi se do të vazhdojë me paraqitje të mira edhe në të ardhmen. “Për mua është hera e parë që shpallem ‘ylli i javës’ dhe sinqerisht jam shumë i lumtur. Të shpërblehesh si më i miri i xhiros është një motiv shtesë për të vazhduar punën dhe për të synuar ende më shumë. Gjithsesi ky çmim nuk do të ishte i mundur pa ndihmën e bashkëlojtarëve dhe shtabit teknik për çka i falënderoj shumë”, ka theksuar Rrahmani për faqen zyrtare të FFK-së. Ai tutje ka folur edhe për objektivat e portokallezinjve në këtë edicion.
“Ballkanin këtë edicion e shoh sërish kampion të Kosovës. Rruga për ta mbrojtur titullin nuk do të jetë e lehtë por ne do të punojmë maksimalisht dhe do t’i marrim ndeshjet radhazi. Besoj që me këtë grup të lojtarëve, me përkushtimin e shtabit teknik dhe organizimin e mirë të klubit, do ta përsërisim suksesin e vitit të kaluar”, ka shtuar Rrahmani.