Rraklli për “EURO 2027” në Shqipëri: Eveniment historik, të lëmë larg politikën nga sporti
Në një intervistë për “Euronews”, Altin Rraklli, një nga ish sulmuesit e Kombëtares Shqiptare, theksoi se duhet të bëhet një ndarje e qartë midis ngjarjeve politike dhe atyre sportive në organizimin e një eventi të rëndësishëm si ai i UEFA-s.
Ai theksoi se, pavarësisht përfshirjes së Shqipërisë dhe Serbisë në këtë ngjarje, nuk bëhet fjalë për bashkimin e administratave apo popujve, por vetëm për punën e dy shteteve brenda kufijve të tyre.
“Duhet të ndajmë historitë, ngjarjet politike se çfarë ka ndodhur mes Serbisë dhe shqiptarëve të Kosovës dhe Shqipërisë me një event sportiv që organizohet. Organizimi i këtij evenimenti bëhet nga UEFA, një institucion mbi palët. Ne thjesht japim stadiumet, organizimet e njerëzve në Shqipëri dhe ata në Serbi. Nuk do të thotë që ne po bashkojmë administratat, stadiumet dhe popujt me Serbinë. Ky është gabim. Ne do të bëjmë pjesën tonë në Shqipëri. Nëse ne do të kishim 7 stadiume, do të bënim kërkesë për ta bërë të vetëm këtë event. Por duke qenë se nuk i plotësojmë dot këto kushte, i vetmi shtet që kishte bërë kërkesë për pritjen e këtij eventi ishte Serbia. Nëse do bënte kërkesë Kroacia apo një shtet tjetër, do ishte ndryshe situata.
Nuk duhet t’i ngatërrojmë gjërat. Organizimi i eventit është i UEFA-s dhe jo i Shqipërisë dhe Serbisë bashkë. Ne thjesht bëjmë punën tonë brenda territorit tonë. Shqipëria do i luajë ndeshjet në Shqipëri. Edhe nëse kualifikohet Kosova, do i luajë ndeshjet në Shqipëri. Është logjike. Në këtë aspekt them se është gabim që ngatërrohen këto gjëra. Në letër shkruhet që po e organizon Shqipëria me Serbinë. Kjo nuk do të thotë se ne duhet të harrojmë vuajtet e Kosovës nga Serbia. Kjo nuk harrohet vetëm nga ky event. Por që ne duhet të shohim përpara, si ne, si Kosova. Kemi një fqinj që nuk e heqim dot nga aty. Duhet të gjejmë një mënyrë komunikimi dhe zbutje. Sporti është një nga elementet që bashkon.
Nëse do të dalim në pjesën sportive, them se eveniment më të madh në të gjithë historinë e popullit shqiptar ne nuk kemi pasur. Është një arritje shumë e madhe dhe vlerësim shumë i madh nga UEFA. Patjetër që luan një rol shumë të madh edhe ekzistenca e FSHF-së brenda UEFA-s, me anë të Presidentit, Sekretarit. Janë shumë faktorë që luajnë rol në këtë vendimmarrje që flet për futbollin tonë. Finalja do të luhet në Shqipëri. Janë evenimente që i bëjnë shumë mirë vlerave dhe futbollit tonë në përgjithësi”, tha Rraklli.