Futbollisti serb që pranoi të luajë për Kosovën: Nuk më intereson politika
Në një rrëfim të fundit për mediet serbe, futbollisti Ilija Iviç insistoi se atij nuk i intereson politika dhe se e ka pranuar ftesën e ekipit Përfaqësues U19 të Kosovës pasi që ndihet i vlerësuar për punën që e ka bërë në fushën e lojës.
Vendimi i futbollistit serb që luan që tri vjet në skuadrën e Flamurtarit, Ilija Iviçit, për ta përfaqësuar Kosovën ngjalli një debat të madh në mediumet serbe, të cilët e akuzuan atë për tradhti, përderisa nëna e tij u largua nga puna në Komunën e Graçanicës.
“Ndihem normal, sikur në shtëpi”, tha Iviç. Kur u pyet se si reagoi pasi u ftua të luajë për grupmoshën e ekipit përfaqësues të Kosovës, Iviç, ka thënë se ishte ndierë i lumtur. “Sinqerisht, isha i lumtur sepse dikush e kishte vlerësuar punën time të madhe dhe përkushtimin tim. Ndihesha në mënyrë fenomenale. U ndjeva ashtu si ndihet një futbollist kur ftohet nga një ekip kombëtar”, shtoi Iviç.
I pyetur se si ndikuan raportimet e medieve serbe pas pranimit të ftesës, Iviç ka thënë se i intereson vetëm për futboll. “Mua s’më intereson politika. Unë dua të luaj futboll në fushën e lojës dhe të bëj gjithçka në mënyrën më të mirë të mundshme. Sinqerisht nuk më intereson politika aspak”, ka thënë Iviç, i cili bëri me dije se shokët e shoqet në shkollën ku shkon në Graçanicë e kanë mbështetur atë gjatë kësaj periudhe, ndërkohë që shtoi se vetëm nëna i është pushuar nga puna, ndërsa babanë ia kanë kërcënuar.