Rrëfen qytetari që u arrestua se largoi flamurin serb në Zveçan: Po na provokojnë, na vendosën një flamur serb e një rus

09 maj 2023 | 19:00

Kujtim Boletini, qytetari që largoi flamurin serb në Zveçan dhe u arrestua nga policia, ka thënë se fqinjët serb po i provokojnë me vendosjen e flamujve serb në fshatin Boletin.

“Kemi marrë një iniciativë, kemi shkuar me i kemi largua ata flamuj, tani ndodhi çfarë ndodhi. Policia erdhi dhe më arrestuan”, ka thënë Boletini për arrestimin e tij në ditën e djeshme në orën 14:00.

“Afër 100 policë kanë marrë pjesë, më kanë rrethuar shtëpitë, fëmijët pak janë frikësuar”, deklaroi ai në RTV Dukagjini.

Boletini ka treguar se që prej 24 vitesh kanë provokime të përditshme, “por kjo e fundit më ka prekë pak më shumë se ka qenë një flamur serb dhe një rus në atë vend, ajo më ka prekë shumë”.

Ai ka shtuar se si ushtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) e kanë një ndjenjë më të veçantë në këso raste, derisa thekson se këta flamuj janë vendosur tek vendi i njohur si “Kërshi i Xhemes”.

Tutje ai ka kërkuar nga institucionet e vendit që ta “kontrollojnë” këtë situatë e mos t’ua lënë në dorë qytetarëve, gjersa potencon se “jam i vendosur se sa herë që të vendoset ai flamur unë do të shkoj të largoj, pa marrë parasysh çfarë pengesash më dalin rrugës”.

“Unë jam betuar në vitin 1998, e kam dhënë një betim, atë betim akoma e mbaj. Mua nuk më lë rehat varri i Isa Boletinit, 100 metra prej këtij varri me m’i vendos flamujt serb, më vjen shumë rëndë. Për të gjithë veteranët e Shalës kjo ka qenë fyerje, një fyerje e rëndë”, ka deklaruar Boletini.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në një nga stërvitjet më të mëdha ushtarake të Zvicrës…