Rrëfime dhe dëshmi nga masakra e familjes Delijaj

21 maj 2021 | 14:35

Rrëfim i bashkëshortëve Bajram dhe Zoja Seferi, Likoc

 Bajram dhe Zoja Seferi janë bashkëshortë nga Likoci i Skenderajt. Që të dy afër të 70-ve. Ishin në miqësi të dyfishtë me familjen e Salih Deliut. Vajzën e madhe, Lumnijen, e kishin të martuar për Imer Deliun. Po ashtu, motra e Imerit, Bedrija, është e martuar me djalin e tyre. Në masakrën e Deliajve këtyre prindërve u masakrohen vajza, fëmija i tyre i parë, Lumnija, nipi Jetoni dhe mbesa Menduhija. Mbesa tjetër, Dituria, e cila mbijetoi masakrën nën trupin e së ëmës, jetoi vetëm edhe 54 ditë pas masakrës. Gjatë këtyre ditëve për të janë kujdesur halla, Bedrija dhe gjithë familja e Bajram dhe Zojë Seferit.

 Baca Bajram, kur u larguat nga shtëpia në ofensivën e shtatorit 1998, ku shkuat?

Kemi qenë këtu në shtëpi. Ka pas ardh vajza e madhe Lumnija me ndejt që, sipas traditës, vajza duhet t’i mbushë pesë javë në familjen e dajve. Dituria këtu i ka mbushë pesë javë. Prej këtu, kur ofensiva erdhi deri në Rezallë, kemi shku në lagjen e Deliajve dhe jemi ba bashkë me familjen e Ademit. Pastaj, kur ra terri, me dy traktorë kemi nis për Gllobar. Aty kemi ndejt afërsisht dy javë. Kur u zgjeru ofensiva ikëm për Vërboc dhe u vendosëm në Fushë-Mollë. Edhe aty na rrethuan shkijet. Jetoni diqysh më humbi para syve (i rrjedhin lotët, qan… heshtje…). Erdhi Ademi e po thotë me shkue për Abri. Unë me gjithë Bedrijen i thamë: “Jo Adem… N’Abri jena kan’ e nuk ban me shkue”. Katër herë i kom thanë po rrimë qitu. Çka t’bahet me të gjithë,  le t’bahet edhe me neve”. Megjithatë, Ademi me familje shkoi. Po, u ngushtue rrethi dhe na dhanë urdhën me ec nëpër fshatra. U nisëm me u kthye në Gllobar. Kur më thanë se familja e Ademit ka shkue për Abri, diqysh kambët më kanë lëshue, si me m’pas tregue Zoti se me ta ka me ndodhë diçka.

 Kur dëgjuat për herë të parë se ç’ndodhi në Abri?

Na, familja jonë, ishim vendosë në shtëpinë e Feratit në Gllobar. Ishte daja i nuses së djalit tim. Për herë të parë kam ndëgju nga Ferati, po u mor vesh edhe nga lajmet, se nji radio të vogël e mbajsha gjithmonë me vete. Bedrijes i ra të fikët. Ajo e kishte të gjithë familjen e vet atje. Nuk arritëm as të marrim pjesë në varrimin e tyre. Bedrija vazhdimisht qante. Asaj i shkoi gati krejt familja, neve fëmija i parë, Lumnija, bashkë me dy fëmijët, Jetonin dhe Mendohijen.

 Halla Zoje, po ju çka mbani mend nga ato ditë?

Qaty, n’Fushë-Mollë, ma s’mrami herë jena përshëndet e jena nda me ata kur janë nisë për Abri. U kanë kah 4 ora kur janë nisë. Me ta u shku edhe çika jem, Lumnija, me nipa e me mbesa. Na tanaj mbetem qaty dej kanë ardhur shkijet. Na u nisëm për në xhaminë e Vërbovcit e Bajramin e nalen shkijet.

 Kur ke dëgjuar se çfarë ndodhi me familjen e Ademit në Abri?

N’qatë ditë që kanë ndie burrat. Bedrijes i ra t’lig’ e u përplas shkallëve poshtë… Mbas dy a tri dite e prunë çikën, Diturijen. M’erdhi aq randë si kur kam ndie qe iu mbyt e ama. Me ardhë çika pa nanë… (e tradhtojnë lotët). Jena kujdes për çikë me tana senet çka kena pasë, po e kish pas dekën…

 Bajrami: Atë natë pati temperaturë t’madhe. Tanë kohën fytyrën e saj e kom mbajt në shuplakë të dorës tem. E kam thirrë Sejdinë, një kushëri temin me kerr, e i thashë me na çu te mjeku në Tërdevc. Kur kemi mbrri, bash ku janë sot Vorret e Deliajve, qaty e ka lëshu shpirti (qanë…heshtje…).

 Rrëfen Bedrija: Edhe pse kanë kalue njëzet vjet nga ngjarja, për neve asht sikur me pas ndodhë sot. Unë e kam përjetu mas rani, si vajzë e si motër e asaj familje. Aty m’u ka masakru nana Hamide, vllau Ademi, tre fëmija e vllaznive, dy fëmija e Imerit, Jetoni dhe Menduhija, Valmiri i Ademit, tri kunatat, njana prej tyne shtatzanë në mujin e nantë. Pastaj halla jem, motra Havë. Dhe, në fund, vdekja e mori edhe Diturijen mbas gati dy muejve që u gjet në vend të ngjarjes. Nana jem e ka pas kasavetin e krejt familjes, u mundu me kanë e drejtë me secilën. I ka pas hije fjala… Më kujtohet çdo moment dhe çdo lëvizje që ato ditë e kam ba me anëtarët e familjes tem. U ndava me ta në Fushë-Mollë tue shpresue se i takoj prapë. Aty për herë të fundit jemi nda. Kur kam ndëgju ma s’pari, s’kam besu që mund të jetoj mbas vdekjes së tyne (lot… heshtje…). Ish ba tmerr mbi ta. S’kam mujt as me marrë pjesë në varrim. Kur i ka pru në Gllobar dy fëmijët baci Imer, veç fuqia e Zotit me ka ruajt. Kadalë kam fillu me marrë veten dhe me ngushllue veten me Besnikun, Albertin, Liridonën, Arlindën dhe me Diturijen që kishin pshtu. Njeri ish ma i fort se hekri. Kanë kalue 20 vjet e unë kurrë nuk kam gjetë fuqi dhe s’kam mujt me shku në vend të ngjarjes ku asht masakrue familja jem.

Nji gja e kam kuptu, se vetëm atëherë kur jep gjak nga gjaku yt, e kupton se sa e vlefshme asht liria e vendit tand…[1]

 Baca Bajram, deri sot nuk kemi dëgjuar se është dënuar dikush nga kriminelët serbë që e kanë bërë këtë krim, edhe pse kanë kaluar 20 vjet.

Ky rast asht dashtë të kryhet moti. Ngjarja ma e randë që ka ndodhë në histori, ka ndodh në Abri. Tana janë të randa, po ky asht rasti që bota ka marrë hovin me pa çka po ndodh këtu. Këtu s’kanë ba kurrgja. S’asht dënu asnji njeri, asnja deri tash. M’u vra fëmijë, gra e burra, pleq të paarmatosun e mos m’u denue askush!? Po më çudit bota që s’po kërkon prej Serbisë m’i denu kriminelët. Neve kurrë kush derën s’na e ka çelë me na vetë diçka për këtë ngjarje tragjike që na ka ndodhun.[2]

Rrëfimi i Blerim Bajram Seferit nga Likoci

Blerim, çfarë kujtoni nga ofensiva e shtatorit 1998?

Gjatë ofensivës së shtatorit, kur kanë ardhur forcat serbe në Likoc, familja ime i është bashkangjitur familjes së Imer Deliut në Abri të Epërme. Ne jemi miq mes vete. Për shkak të gjuajtjeve të mëdha nga Likoci, familjet në mbrëmje janë detyruar të largohen nga Abria. Ata janë tërhequr nga aty dhe kanë shkuar në Gllobar. Atje kanë qëndruar afërsisht dy javë. Pasi ka filluar ofensiva edhe në atë pjesë, kanë kaluar në vendin e quajtur “Fusha e Mollës” për të qenë më të sigurt. Edhe gjatë qëndrimit të popullatës aty forcat ushtarake serbe i kanë futur në një rreth të madh. Atëherë disa familje kanë filluar të shpërndahen duke kërkuar vendstrehime më të sigurta. Ademi është ndarë me familjet e dajëve të vet dhe të familjes sime dhe është nisur për t’u kthyer në Abri. Një natë e kanë kaluar në Tërstenik.

Njësiti ynë në atë kohë ishte i pozicionuar në malet që ndanin fshatrat Tërstenik dhe Abri, te “Kroni i Arave”. Ka qenë e mërkurë ajo ditë kur e kam par` një familje duke u ngjitur kodrës përpjetë. I kisha diku 400-500 metra distancë. Në fillim nuk i dalloja se cilët ishin. Kam parë me dylbi dhe dallova Ademin me familje. I prita derisa u ngjitën. Aty janë ulur për të pushuar. Më njoftuan se për ku ishin nisur. Ishin të lodhur dhe të rraskapitur nga rruga e gjatë dhe e rrezikshme që e kishin kaluar. Kanë qëndruar rreth 15-20 minuta, pastaj janë nisur për Abri, ndërsa unë te njësiti im.

 Blerim, ti kishe edhe lidhje familjare me Ademin. E kishe motrën të martuar për Imerin, njëkohësisht ishe edhe dhëndër i kësaj familjeje.

Po. Nga Ademi u njoftova se familja ime kishte mbetur në “Fushë-Mollë”. Mundësia të shkoja e ta vizitoja familjen time të ngushtë ishte me rreziqe të mëdha. Në mbrëmje, siç i premtova Ademit, vendosa të shkoja tek ata në Lagjen Deliu. Në mbrëmje pashë se ishin vendosur në një mal, jo shumë larg lagjes. Natën e parë të gjithë kemi fjetur nën qiellin e hapur, veç me disa batanije jemi mbuluar. Edhe unë kam fjetur aty.

 Kjo, tri ditë pa ndodhur ngjarja, apo jo?

Po. Në fakt, unë kam fjetur dy net aty, edhe të mërkurën, edhe të enjten në mbrëmje. Të nesërmen në mëngjes është kthyer nga ndërrimi Imeri dhe ka ardhur aty. Nuk kishim informacione se çfarë ka ndodhur me familjen time dhe me dajtë e Imerit në “Fushë-Mollë”, sepse atje forcat serbe i kishin futur në rreth të ngushtë. Të enjten me Imerin kemi vendosur të shkojmë në Gllabar, se mos merrnim vesh për familjen time dhe të dajëve të Imerit. Atje kemi arritur pas tri orësh dhe jemi takuar me familjarët e mi dhe familjet e dajve të Imerit. Të gjithë ishin mirë. Pastaj u kthyem. Atë natë kemi fjetur aty. Të nesërmen Imeri ka dalë më herët, se e ka pasur ndërrimin prej orës shtatë.

 Ku ishe dhe nga kush e dëgjove lajmin për masakrën e familjes Deliu?

Të hënën kam dëgjuar për masakër nga ‘Radio Dojçe Wele’ dhe menjëherë me disa shokë jemi nisur për në vendin e ngjarjes. Kemi kaluar nëpër disa lagje të Abrisë së Ulët dhe kemi mbërritur në Lagjen Deliu. Në vendin e ngjarjes së pari kam takuar Imerin. Aty kam takuar edhe disa ushtarë të njësiteve të Abrisë së Epërme si dhe disa gazetarë duke bërë incizimin e të masakruarve. Unë nuk mund ta përshkruaj me fjalë. E kam të vështirë. Aty kisha motrën, nipin, mbesën. S’kishte veçse dy ditë që isha ndarë me ta. Më vonë kemi shkuar në shtëpi të Afrimit. Të nesërmen në mëngjes, me Imerin, jemi nisur për në Lagjen Deliu. Në rrugë e sipër, kur e kemi kaluar pjesën që lidh Abrinë e Epërme me Likocin, kemi hasur në dy kufoma të masakruara. Ishin të Habib Deliut dhe të vëllait të tij, Hysenit. Pastaj gjatë gjithë kohës i kam ndihmuar Imerit dhe i kemi varrosur një për një kufomat.

  Së bashku me familjen tuaj ka jetuar edhe 54 ditë pas masakrës, Dituria. Si e kujtoni?

Dituria ka mbijetuar dy ditë e dy net në vendin e ngjarjes, midis të masakruarve, pa ushqim dhe përkujdesje, në shi e në të ftohtë. Ishte në gjendje shumë të rëndë. Me Imerin e kemi dërguar te familja ime në Gllobar. Aty i ka marrë në përkujdesje bashkëshortja ime, Bedrija, duke qenë njëkohësisht edhe hallë e tyre. Pas stabilizimit për një kohë, një natë ajo kishte temperaturë të lartë. Babai dhe gruaja ime e kanë nisur për vizitë te dr. Gani Halilaj në Tërdevc. Në vendin ku sot ndodhet Kompleksi i Varrezave të Deliajve, Dituria ndërron jetë, më 19 nëntor 1998. Vdekja e saj na tronditi edhe një herë të gjithëve, ngaqë shpresonim të paktën që Dituria të shpëtonte nga gjithë ajo tragjedi.

Unë nuk mund të them se patëm dhimbje sa familja e Imerit, por neve na ra fati i rëndë që si familje dyanshëm ta përjetonim atë.[3]

Rrëfimi i Hasan Sadri Hazirajt, Grykas (ish-Tërdevci)

I nderuar Hasan, në masakrën e familjes Deliu ka pësuar edhe motra juaj, por kanë shpëtuar tre fëmijët e saj. Si e kujtoni ngjarjen?

Në ofensivën e shtatorit kemi qenë të strehuar në Grykë të Vuçakut. Ka qenë popullatë e madhe aty, ka qenë krejt familja. Kanë ardhur çetnikët serbë dhe na kanë rrethuar të gjithëve. E kam pasur në prehër çikën teme. Veç sa pat fillu me ec. Pa ardhur çetnikët te shatori ku ishim tuj nejt, vajza jem njëvjeçare i përmendke emnat e nipit tim dhe mbesës sime “Dona… Besi… Dona… Besi…”, Besnikut dhe Liridonës. Erdhën çetnikët aty dhe na çuan në këmbë. Babës i kërkuan pare. Aty shpëtuam, për fat. Kur u kthyem në Tërdevc, pasi kaluan forcat e çetnikve, djali i mixhës më njoftoi se shkijet e kanë zanë krejt familjen e Deliajve. Shkova në shtëpi dhe i njoftova prindërit se familjen e Salihit të Deliajve (miku tonë) e kishin nxanë çetnikët. Në atë moment unë me nji nipin tim nga fshati Shtaricë kemi hipur në traktor dhe jemi nisë për Abri të Epërme. Kur kemi mbrri te Lagjja e Hysenajve kemi dashtë m’u zhdjerg tek vendi ku ishte strehuar familja Deliu. Në ato momente na kanë hetue shkijet nga Likoci dhe na kanë granatu me armë të randa dhe na kanë gjujt me snajperka. Aty na ka ndalë dikush dhe e kemi skajue traktorin, e kemi lanë aty dhe jemi lëshu këmbë teposhtë. Njerin e parë që e kem taku para se me hy tek të masakruarit ka qenë Imeri. Ja shnosha kryet dhe ma shnoshi kryt. Kam hi e i kam këqyr kufomat rend. Ka qenë ora diku 12 masdite.

Aty i kam takue tre diplomatë të huej tue fotografue të masakruarit. Janë kanë amerikanë, anglezë dhe Fred Abrahamsi për të Drejtat e Njeriut. Bile e mbaj mend kur njëri nga ta iu drejtue Imerit e i tha kismet nesër në mëngjes, në orën 05.00 çka ekziston njeri mbi rruzullin tokësor do t’i shohë këto foto. Në ato momente kam shkuar deri te motra. U kanë e mbulume me qebe dhe e kam këqyr, si e kemi adet, i kam ra për fytyre. E pyeta Imerin edhe për fëmijët dhe më tha se janë të strehuem në Lagjen e Hysenve te dy pleq. Kur jena kthy në Tërdevc ua kam shënoshë kryet babës e nanës. Më pyetën për fëmijët. U tregova se fëmija kanë shpëtu. Mbasi asht krye varrimi ka shkue në Abri vllau i dytë dhe motra e tretë e i kanë marrë të tre fëmijët.[4]

Rrëfimi i dr. Gani Ilaz Halilajt, Grykas

I nderuar doktor, në opinion njiheni si “Doktori i luftës”. Shumë ngjarje të rënda kanë kaluar përmes punës suaj gjatë luftës. Do të ndalemi t’ju pyesim vetëm për masakrën e Deliajve të Abrisë.

Po, vërtet kam trajtuar dhe përjetuar shumë raste gjatë luftës, civile dhe ushtarake, të plagosur rëndë, më lehtë e deri tek ato me strese e përjetime nga më të ndryshmet. Rasti që më ka prekur rëndë, jo vetëm mua, por dhe të tjerët, është masakra e familjes Deliu. Unë për të kam dëgjuar po atë ditë që ka ndodhur, por ishin rrethanat e pamundura të shkoja në vendin e ngjarjes. Megjithatë, të nesërmen kam kontaktuar me Imer Deliun, i cili më ka njoftuar për katër fëmijët që kanë mbijetuar.

 Mbaheni mend si mjeku neuropsikiatër që i keni trajtuar edhe katër fëmijët e familjes Deliu, që i shpëtuan masakrës, Besniku pesëvjeçar, Liridona tre, Arlinda një dhe Alberti dy vjeç e gjysmë. Ç’mund të na thoni?

Jam marrë me trajtimin e Besnikut, Liridonës, Arlindës dhe Albertit. Që të katërtit kishin plagë në pjesë të ndryshme të trupit. Gjendja e tyre ishte tepër e rëndë, sidomos e Besnikut. Me Imerin u konsultuam se këta fëmijë kanë nevojë për një përcjellje psiko-sociale dhe trajtim adekuat mjekësor. Pasi unë isha edhe neuropsikiatër më ndihmoi shumë për një trajtim adekuat psikiatriko-psikologjik, si me barnat e nevojshme, po ashtu dhe trajtim psikoterapeutik. Kam vazhduar trajtimin për disa dite rresht. Pas dy apo tre ditësh ata ishin të vendosur te familja Haziraj në fshatin Terdec, me të cilët ishin në raporte miqësore familjare. Kam shkuar për t’i vizituar disa herë. Fatbardhësisht, këtij misioni dhe trajtimi i është bashkëngjitur edhe një psikologe e quajtur Lina. Nuk di më tepër për të, pos se është prezantuar “Jam psikologe klinike dhe, nëse më pranoni, dua t’ju bashkëngjitëm në këtë të fëmijëve”. Ajo ishte në kuadër të misionit ndërkombëtar të mjekëve lidhur me rastet e personave që ishin nën ndikimin e streseve të luftës. Më ka ndihmuar së tepërmi. Pas një kohe gjendja e tyre u përmirësua dukshëm. [5]

 Rrëfimi i Qamil Mujë Morinës (infermier), Gullboc, Klinë

Më 26 shtator 1998, kur forcat serbe ndërmorën ofensivën dhe vranë, plagosën dhe torturuan njerëz dhe dogjën çdo gjë që gjetën përpara, u detyrova të kaloja në rajonin e Drenicës. Strehohem në fshatin Tërdevc. Në momentet e para më tregojnë se janë tre fëmijë të strehuar tek dajat e tyre aty, meqë i kishin mbijetuar masakrës së Deliajve. Unë tashmë isha në dijeni për këtë masakër e cila rrinte pranë me masakrën e Gollubocit në të njëjtën kohë. Ata tre fëmijë, dy motra e një vëlla, nëse s’gaboj, kishin emrat Besnik, Arlinda dhe Liridona Deliu nga Abria e Epërme. Qenë strehuar te daja, Sadri Haziraj në Tërdevc, meqë nënën ua kishin masakruar bashkë me anëtarët e tjerë. Më kujtohet se në natën e parë të strehimit tim në Tërdevc, mund të ishte fundi i shtatorit 1998 ose fillimi i tetorit 1998, familja ku strehoheshin këta tre fëmijë më kanë zgjuar në mesnatë. Më treguan se ata gjatë natës kanë një gjendje të papërshkrueshme nga traumat e gjithë atij tmerri që kishin parë e përjetuar nga masakra.

Marr çantën dhe shkoj diku rreth orës 2.00 të natës. Ata ishin jashtë kësaj bote. As në gjumë e as zgjuar. Ata luftonin me shpirtin e tyre, me diçka që s’mund ta imagjinonte njeriu. Përpëliteshin sa andej-këndej, qanin, rënkonin. Sikur kërkonin diçka, sikur donin të kapnin diçka. Nganjëherë kisha përshtypjen si të kishin hyrë fantazmat në shpirtrat e tyre të trazuar. Gjatë ditës ata rrinin të heshtur, nuk flisnin, nuk luanin, ishin të zbehtë. Kjo ka zgjatur disa net, derisa në atë kohë kanë ardhur disa mjekë nga organizata të ndryshme botërore. Ua kam prezantuar rastin. Ata kishin pasur të dhënat për ta.

Në këtë periudhë kam punuar me stafin e dr. Gani Halilajt dhe dr. Fadil Bekës, në një ambulancë të improvizuar në Tërdevc. Pas një kohe jemi zhvendosur në ambulancën e Baicës. Kam marrë pjesë me këta dy doktorë në nxjerrjen e kufomës së Hajriz Deliut nga një pus në një livadh, nën vendin e masakrës së Deliajve.[6]

Rrëfimi i dr. Muharrem Morinës, Bletar (ish-Gllobari)

Muharrem Morina para luftës ka qenë i lidhur ngushtë me Lagjen e Deliajve. Gjatë studimeve ishte edhe koleg e mik i dr. Sami Deliut. Në odën e Samiut ka qëndruar shumë herë, ndaj e ka njohur pothuajse gjithë Lagjen Deliu. Ngjarja e Deliajve e ka prekur thellë ngaqë ka qenë mik i tyre. I emocionuar shton “…kam hangër shumë bukë në atë lagje…”.

Doktor, kur ke dëgjuar për herë të parë për Masakrën e Abrisë?

Kam dëgjuar ditën e hënë, më 28 shtator 1998. Në ofensivën e shtatorit që kishte filluar më 21 shtator, kemi ikur dhe jemi vendosur në Fushë-Mollë. Në kerrin tim e kam pasur plot bagazhin të ngarkuar me barna për popullatën. Më është bllokuar rruga dhe e kam lënë kerrin në rrugë. Kemi shkuar në Krasmirovc. Në Reznik kemi qëndruar dy ditë e dy net. Kur jam kthyer te xhamia e Verbovcit e kam parë kerrin te djegur dhe barnat e djegura anash kerrit. Disa ampula kishin shpëtuar. I kam tubuar ato që kanë shpëtuar sepse e dija se do të na duheshin dhe i kam kthyer në shtëpi. Ofensiva ka vazhduar në fshatrat e Drenicës perëndimore. Ne jemi kthyer në shtëpitë tona në fshat. Ndërkohë kam dëgjuar se kanë ardhur pjesëtarët e familjes Deliu që kanë shpëtuar. Jam kthyer në familjen time dhe kam marrë qumështin për bebe (pluhur) të fëmijëve të mi, sepse edhe unë në atë kohë i kisha fëmijët e vegjël, dhe ia kam dërguar familjes së Imerit për t’i ushqyer dy fëmijët e vegjël… Tash ka kaluar një kohë e gjatë, pothuajse 20 vjet. Është e pamundur ta kujtoi sepse nuk kemi mbajtur protokoll që ta di saktë. Gjendja e tyre, e fëmijëve dhe e motrës, më kujtohet se ishte shumë e rëndë. Ata kishin përjetuar një tmerr të vërtetë. Unë sa kam pasur mundësi u kam dalë në ndihmë natën e ditën.[7]

Rrëfimi i Hysni Shabanit, Açarevë, Skenderaj

Hysni Shabani është nga fshati Açarevë. Një ndër njerëzit e hershëm që i ishte bashkëngjitur ilegales së UÇK-së. Në strukturën e UÇK-së ishte komandant i Brigadës 113 “Mujë Krasniqi” deri në përfundimin e luftës. Kjo brigadë kishte zonë të përgjegjësisë edhe fshatin Abri e Epërme. Hysniu, për ngjarjen në familjen Delijaj, rrëfen: Ato ditë të ofensivës së shtatorit të vitit 1998 të gjithë ushtarët po i kryenin detyrat sipas rekomandimeve që i kishim marrë, pavarësisht prej faktit se Brigada 113 nuk kishte mjaft pajisje dhe armatim të mirë ushtarak, por kishte motivim të madh për mbrojtjen e popullatës. Popullata e zonës kishte fituar një besim të madh tek ushtarët e kësaj brigade dhe shumë familje nuk ishin larguar nga vatrat e veta ose qenë strehuar në malet përreth lagjes së tyre. Një ditë para se të ndodhte masakra pjesëtarët e të dy brigadave 111 dhe 113 ishin ballafaquar në një front me forcat serbe shumë për së afërmi. Përballja kishte ndodhur afërsisht 250-400 metra. Afër lagjeve Muliqi dhe Deliaj, në rrugën që lidh Abrinë dhe Likocin, një automjet i forcave serbe bie në mina, ku gjejnë vdekjen më shumë se 10 pjesëtarë të ushtrisë serbe. Po atë ditë nga forcat tona bie një dëshmor dhe plagosen disa pjesëtarë. Forcat serbe u vendosën aty me tërë arsenalin e vet. Me urdhër të shtabit madhor të UÇK-së, forcat tona urdhërohen të bëjnë tërheqje taktike për ruajtjen e municionit dhe vëzhgimin e terrenit.

Të nesërmen forcat serbe arrijnë të hyjnë në lagje dhe të masakrojnë 23 anëtarë të Deliajve. Të gjithë kemi qenë të shokuar me atë se çfarë kishte ndodhur mbi fëmijë, gra dhe pleq të paarmatosur. Dua ta shtoj edhe këtë fakt, Imerin, si pjesëtar të familjes Deliu, që iu kishin masakruar dhjetë anëtarë të familjes, e kam vizituar ato ditë dhe e kam liruar nga përgjegjësitë dhe detyrat ushtarake që i kishte si zëvendëskomandant i batalionit. Megjithatë, këmbëngulësia e tij ka qenë befasuese: “Komandant, për asnjë moment nuk dua të lirohem nga obligimet, përgjegjësitë dhe detyrat e mia ushtarake. Çdo detyrë do ta kryej pa marrë parasysh rastin tim. Secilit ushtar ka mund t’i ndodhë kjo që më ka ndodhur mua. Liri pa gjak nuk ka”.

Masakra e Deliajve të Abrisë e ka forcuar moralin te të gjithë pjesëtarët e UÇK-së në rajonin e Drenicës për ta vazhduar luftën e drejtë për çlirim të vendit. Njëkohësisht i ka treguar bashkësisë ndërkombëtare dhe gjithë botës, se kriminelët e Beogradit duan ta shfarosin një popull të tërë nga vatrat e veta etnike duke masakruar fëmijë, gra dhe pleq të paarmatosur.[8]

 Rrëfimi i Fadil Haxhi Demakut, Abri e Epërme

I nderuar Fadil, me veprimtarinë tuaj të luftës dhe të pas luftës jeni personalitet i njohur për opinionin e Kosovës. Na përshkruani ofansivën e shtatorit të 1998-s në fshatin Abri të Epërme.

Ofensiva e forcave serbe e vitit 1998 në Drenicë kishte filluar më 22 shtator. Njëherë në pjesën territoriale që e mbulonte Brigada 114, pastaj vjen duke u zgjeruar edhe në territorin e Brigadës 111 dhe 113. Sulmi i forcave serbe ishte jo vetëm nga një drejtim, por nga disa drejtime, me një arsenal të jashtëzakonshëm trupash e armatimesh. Rezistenca e forcave të UÇK-së ishte e madhe në shumë pika, gjë që kishte bërë që të ketë luftime të mëdha nga data 22, 23, 24, 25 e deri më 26 shtator 1998, që ishte edhe dita kur forcat serbe arrijnë edhe në fshatin Abri të Epërme. Në Abri të Epërme, më datën 25 dhe 26 shtator 1998, janë zhvilluar luftime të fuqishme nga pjesëtarët e brigadave 111 dhe 113 në disa lagje të fshatit, ku bien dëshmorë Afrim Kiçina (më 25 shtator), Valdet Xhemajli, Vesel Demaku dhe Afrim Hajdari (më 26 shtator 1998). Po ashtu, kishte edhe dhjetëra të plagosur, ushtarë të UÇK-së dhe shumë civilë të vrarë e të masakruar. Natyrisht edhe forcat serbe kishin pësuar dëme të mëdha në njerëz dhe makineri luftarake, çka detyrohen edhe me helikopter t’i bartin trupat e tyre.

Kur keni dëgjuar për herë të parë për masakrën e familjes Deliu?

Për masakrën e familjes Deliu kam dëgjuar të nesërmen dhe nuk kisha dilemë. Isha i sigurt se ka mundur të ndodhë, meqë një natë më parë e kisha takuar edhe Imer Deliun me disa bashkëluftëtarë, natën vonë, mes fshatrave Abri dhe Tërdevc, kur po ktheheshim nga luftimet në Baicë. Isha bashkë me Rasim Kiçinën, Imer Xhemajlin dhe Haki Xhemajlin. Aty kemi pushuar bashkë me këta bashkëluftëtarë dhe na treguan për luftimet që kishin ndodhur gjatë ditës në Abri dhe për banorët që ishin te Lagjja Deliu.

I vizituat të masakruarit?

Kam qenë bashkë me Muharrem Xhemajlin dhe disa të tjerë kur i kam parë të masakruarit. Shumë prej tyre edhe i njihja mirë. Antigonën e kisha pasur nxënëse. Pa dyshim ishte momenti më i rëndë në jetën time. Nuk e përshkruajnë fjalët atë që e kam ndjerë në ato çaste. Ishte e pabesueshme si mund ta bëjnë njerëzit një gjë të tillë. Më kishte mbërthyer urrejtja dhe mllefi.

Çfarë ndërmorët?

Të them të drejtën të gjithë ishim të tronditur. Më ka habitur qëndrimi i Imer Deliut. Ai kishte humbur shumicën e familjarëve dhe, pavarësisht prej dhimbjes së madhe, ai asnjëherë s’e humbi arsyen. Qëndrimi i tij na e ka bërë më të lehtë të gjithëve atë situatë.

Po sot, pas njëzet vjetëve, ç’opinion keni për atë ngjarje?

Çfarë të them, shumë gjëra kanë ndryshuar. Koha edhe i ndryshon njerëzit, por masakrat e tilla si ajo në Lagjen Deliu mbajnë peng shumëçka. Kur gjërat nuk kanë ecur si duhet, ato janë përpara ndërgjegjes së atyre që mundohen të ndërtojnë të ardhme dhe ura. Zbrazëtitë gjatë rrugës janë tepër të mëdha dhe, fatkeqësisht, është bërë shumë pak për t’i mbuluar. Njëzet vjet më pas ata që i kanë bërë këto masakra dhe këto krime mbi popullin shqiptar as janë dënuar, as janë akuzuar, as janë ndjekur. Kriminelët serbë janë të lirë. Institucionet tona kanë përgjegjësi të madhe lidhur me këtë.

Është e vërtetë se masakrat që kanë bërë gjatë luftës forcat serbe në Kosovë kanë sensibilizuar botën demokratike, që ata të bëjnë gjithçka në mbrojtje të një populli dhe lirisë së tij. Po vendi ynë, e sidomos institucionet tona, kanë bërë shumë pak në këtë drejtim.[9]

Rrëfimi i Isa Hamëz Xhemajlit, Abri e Epërme

Në fund të shtatorit forca të mëdha policore, paramilitare dhe ushtarake serbe, kanë filluar sulmin dhe ofensivën kundër pozicioneve të UÇK-së. Ato luftime janë zhvilluar më 22, 23, 24 e deri më 25 shtator 1998. Forcat serbe kanë sjellë përforcime shumë të mëdha në tentimin për të depërtuar në fshatin Abri të Epërme. Në ditën e katërt të sulmit, tek ushtarët e batalionit tonë është vërejtur mungesë e madhe e armatimit, përkatësisht harxhim i madh i municionit. Shumica e ushtarëve, ndër ta edhe unë, kishim mbetur vetëm me nga 16 fishekë. Njëkohësisht është vërejtur edhe mungesë e madhe e furnizimit me ushqim për ushtarët e batalionit. Në ditën e katërt, në marrëveshje me hierarkinë e UÇK-së, jemi tërhequr në kuptimin e ruajtjes së municionit. Ishte një situatë shumë e rëndë. I kam ftuar përgjegjësit e togjeve dhe kompanive në një lugshtajë mes fshatrave Baicë dhe Abri dhe i kam njoftuar se tani do të kalojmë nga lufta frontale në atë guerile me grupe të vogla, deri në urdhrat që do të marrim më vonë. Në mungesë të municionit dhe ushqimit, më 25. 9. 1998 me një grup prej 3 ushtarësh të Abrisë kam kaluar në Lagjen Strumcaku, në veri të fshatit. Aty na është bashkuar edhe një grup prej 20 e më shumë ushtarësh në krye me Ymer Deliun.

Kur mora informatat prej ushtarëve të UÇK-së që ishin në vëzhgim, se forcat serbe, vonë në mbrëmjen e 27 shtatorit 1998, janë tërhequr nga fshati, në mëngjesin e hershëm, më 28 shtator, kam vendosur që me dy grupe nga dy ushtarë të fillojmë të futemi në dy lagjet e para më të afërta, në Lagjen Hysenaj dhe Kurti. Për në Lagjen Hysenaj janë nisur Ymer Deliu dhe Afrim Hysenaj, ndërsa në Lagjen Kurtaj janë nisur dy ushtarë të tjerë. Grupi i Kurtajve u kthye pas një ore dhe na ka njoftuar se deri në Lagjen e Hajdarajve nuk ka ndonjë forcë të armikut dhe terreni është i pastër nga minat. Pas një orë e gjysmë u kthye nga grupi tjetër vetëm Afrimi. Ky na njoftoi se ku na pret Imeri, i cili ishte takuar me kushëririn e vet, Bashkimin, dhe se terreni në Lagjen e Hysenajve deri aty ku është ndarë me Imerin është pa ndonjë rrezik. Ndërkohë vërejmë se Imeri po vinte drejt nesh, malit të rrallë, dhe se në duar mbante dicka të bardhë. Më është drejtuar: “Qe ku është e tërë familja jeme!” Nuk e dija as ç’po më thoshe. Më është ofruar, m’i ka zgjatur duart dhe ma dha foshnjën gjashtëjavëshe, Diturien. E kam marrë foshnjën dhe ua kam dhënë tri ushtareve të UÇK-së, Hamides, Rahimes dhe Lenditës. U kam thënë që ta marrin në përkujdesje. Imeri ishte i zbehtë, por me një qëndrim stabil e të dinjitetshëm. “Komandant, prej krejt familjes tem të ngushtë, vetëm kjo foshnje më ka shpëtuar, – më ka thënë. Të tjerët janë të gjithë të vrarë e të masakruar në mënyrat më mizore”. Pastaj është ulur në oborr ku ishim të gjithë dhe e ka ndezur një cigare…

Pastaj më kujtohet momenti kur Afrimi më është ofruar dhe e ka dhënë një propozim që mundësisht, para se ta fillojmë varrimin e të masakruarve dhe pa i prekur kufomat, t’i njoftojmë mediat ndërkombëtare që në atë kohë qëndronin në Prishtinë. Përgjigjja ime ka qenë e menjëhershme: Po!

Të nesërmen herët në mëngjes i kam vizituar familjet e tre dëshmorëve të rënë më 26 shtator 1998 në mbrojtjen e popullatës tek “Lugu i Gojfileve”, të Vesel Demakut, të Valdet Xhemajlit dhe të Afrim Hajdarit. Po ashtu e kam vizituar ushtarin Arben Xhemajli që ishte plagosur rëndë.

Varrimi i atyre që i kishim gjetur në “Zabelin e Rrajve” e di që është kryer më 29 shtator 1998. Po ashtu atë ditë i kemi gjetur Habibin dhe Hysenin. Diku, afërsisht, pas pesë apo gjashtë dite. Janë gjetur edhe vajzat e Hysen Deliut, Mihanja, 16 dhe Antigona, 13 vjeçare, te kryqëzimi i rrugëve Abri – Likoc, vendi i quajtur “Llazi i Drenit”, nga dy ushtarë të fshatit të cilët ishin në vëzhgim të terrenit. Pastaj e kemi gjetur edhe kufomën e Hajriz Deliut, pas dhjetë ditësh, të mbytur në bunar…[10]

Rrëfimi i Murat Hasan Tahirit, Plluzhinë, Skenderaj

Ishte ofensiva e parë e forcave të armikut në regjionin e Drenicës dhe fshatrave përreth saj. Si ushtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës isha në detyrë dhe aty kam dëgjuar për herë të parë për masakrën që ka ndodhur te Deliajt e Abrisë. Menjëherë jemi nisur për në vendin e ngjarjes me një grup shokësh. Kemi depërtuar përmes fshatit Likoc dhe kemi mbërritur në lagjen e Deliajve ku jemi takuar me Imer Deliun. Më kujtohet momenti që jam takuar me Imerin, e kam pyetur si je Imer, a je mërzit apo mund të mbahesh? U përgjigj shumë burrërisht: Jo! – na tha. Aty kishte ndodhur një gjenocid i paparë ndaj fëmijëve, grave dhe pleqve të paarmatosur. M’u drejtua me fjalët “qe, sapo i gjetëm edhe dy kufomat e fundit të masakrës së familjes”. Ishin dy vajzat, që të dyja motra, njëra 13-vjeçare, tjetra 16. U nisëm për t’i parë vajzat e masakruara. Sapo filluam të ecnim drejt tyre, me një kujdes të veçantë Imeri na tha: “Jeni të ri e është ma mirë mos me i pa qysh janë të mytuna, hiç – tha – mos shkoni, s’keni çka me pa, u kry puna e tyne…”. Jemi ulur në rrugë dhe e kemi ndez nga një cigare. Aty e kam vërejtur rezistencën, qëndrimin dhe vendosmërinë e Imerit për ta vazhduar luftën për çlirim. Fjalët e tij më kujtohen: “Lufta jonë duhet me vazhdue deri në çlirimin e Kosovës, rrugë tjetër s’kemi deri në ditën e ardhjes së lirisë…”. Ishin fjalë prej burri e atdhetari nga i cili të gjithë ne merrnim forcë ta vazhdojmë përpara luftën për liri. Më kujtohet rasti në dhjetorin e vitit 1998, kur kemi marrë urdhër nga komanda e njësisë sonë, për ta bërë rojën dhe sigurimin e perimetrit në livadhin ku ishin varrosur të masakruarit me qëllim të ardhjes së ekipit mjekësor të ekzaminimit nga mjekët finlandezë.[11]

  (Vijon në “Epoka e re”)

 

[1] Rrëfimi i Bedrije Deliut- Seferi. Janar 2018

[2] Rrëfimet e bashkëshortëve: Bajram dhe Zoja Seferi nga Likoci. Dorëshkrim, janar 2018

[3] Rrëfimi i Blerim Bajram Seferaj nga Likoci, janar 2018.

[4] Rrëfimi i Hasan Sadri Haziraj nga Grykasi (ish–(Tërdevci), janar 2018

[5] Rrëfimi i Dr. Gani Halilajt, Drenas, janar 2018.

[6] Rrëfim i teknikut med., Qamil M. Morina, Gullbovc, Klinë, dhjetor 2017

[7] Rrëfimi i Dr. Muharrem Morina nga Bletari (ish-Gllobari), dhjetor 2017.

[8] Rrëfimi i Hysni Shabanit, Komandant i brig. 113 “M. Krasniqi”, tetor, 2017.

[9] Rrëfimi i Fadil Haxhi Demakut, ish-epror i lartë në UÇK. Tetor, 2017

[10] Rrëfimi i Isa Xhemajlit, ish-Komandant i Bat. II. Brig. 113 e UÇK-së. Tetor, 2017.

[11] Rrëfimi i Murat Hasan Tahirit, Ish Ushtar i UÇK-së. Tetor, 2017.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se rastet e…