Rrëfime dhe dëshmi nga masakra e familjes Delijaj në Abri të Epërme (2)
Afrim Hysenaj
Lagjja Deliu shtrihet në Veri-Perëndim të fshatit me një lartësi mbidetare prej 650m. Para luftës së fundit, por edhe tani, ekonomia e kësaj lagjeje kryesisht varej nga bujqësia, blegtoria dhe të hyrat nga mërgimtarët. Lagjja ka pasur rreth 350 banorë. Dy të tretat e banorëve janë zhvendosur në Drenas, Prishtinë, Klinë dhe Pejë. Tashti në këtë lagje jetojnë vetëm 120 banorë. Banorët e saj janë të njohur për mikpritje, solidaritet dhe humanizëm ndaj njëri-tjetrit dhe gjithandej fshatit. Si në çdo lagje të fshatit, edhe këtu ruajtja e vlerave kombëtare ka qenë e lidhur fort dhe e përcjellë nëpër breza gjatë gjithë etapave të historisë sonë. Në luftën e fundit ekonomia familjare e banorëve të lagjes qe shkatërruar tërësisht.
Në Luftën e Parë Botërore, në vitin 1918 nga Lagjja Deliu vriten dy vëllezër, Smajl dhe Xhemajl Deliu, bijtë e Rrustem Deliut. Rrustemi, pasi i vriten djemtë, rimartohet dhe i lindin edhe dy djem e dy vajza. Djemtë Pajaziti dhe Sherifi i vriten në luftën e fundit, më 1998-1999. Më herët nga po kjo lagje “… kishin ra tre dëshmorë, ushtarë të komandantit Shaban Polluzha: Sadik Ramë Deliu, Tafil Musli Deliu dhe Azem Sadri Deliu”.[1]
Pa asnjë dilemë edhe Lagjja Deliu iu përgjigj kushtrimit për çlirimin e atdheut, në vitet 1998/1999. Të gjithë banorët qenë të mobilizuar, ndërsa të uniformuar në radhët e UÇK-së ishin 14 ushtarë. Si shumë lagje dhe familje të Kosovës, edhe Lagjja Deliu lirinë dhe çlirimin e Kosovës nga pushtuesit sllav e pagoi me një çmim shumë të shtrenjtë. Më 26 shtator 1998 pushtuesit ia masakrojnë 23 anëtarë: 10 burra, 6 gra dhe 8 fëmijë, të moshës prej gjashtë javësh deri të plaku 94-vjeçar. Kësaj lagjeje gjithsej iu vranë e masakruan 25 anëtarë.[2]
Konteksti i ngjarjeve në Kosovë
Fundshekulli i 20, pas shumë përpjekjeve ndër vite për çlirim nga Serbia, Kosovën dhe shqiptarët i gjen nën okupim klasik. Në mars të vitit 1989 me tërë arsenalin policor dhe ushtarak, Serbia e suprimoi Autonominë e Kosovës të vitit 1974, duke ia mbyllur të gjitha institucionet më vitale si ato të arsimit, kulturës, shëndetësisë, ekonomisë, informimit etj.
“Më 23 mars 1989, nën kërcënimin e armëve dhe të votave të joparlamentarëve, parlamenti krahinor (tashmë serb) shfuqizoi statusin autonom të Kosovës. Ky ishte edhe një fillim i politikës brutale të shtypjes së popullit shumicë shqiptar”.[3] “Pas kësaj u rrëzua e gjithë struktura institucionale politike, ekonomike, gjyqësore, shëndetësore e kulturore e Kosovës autonome dhe gjithçka u vendos nën pushtetin e Beogradit”.[4]
Nga viti 1990 deri në vitin 1997 shqiptarët e Kosovës u organizuan dhe vepruan sipas një sistemi paralel të pavarur nga ligjet e okupatorit serb. Sistemi paralel funksionoi në lëmenjtë si arsimi, shëndetësia dhe gjithë jeta kulturore në mënyrë të pavarur nga pushteti i instaluar okupues serb. E gjithë kjo, natyrisht, bëhej nën një dhunë të paimagjinuar nga okupatori. Presioni, vrasjet, burgosjet, rrahjet dhe maltretimi i pandalur e bënë të padurueshme jetën dhe qëndrimin paqësor të shqiptarëve në Kosovë. Në vitet ’90 të shekullit XX Kosova dhe viset e tjera shqiptare nën Jugosllavi ishin të nxjerra jashtë ligjit. Të gjitha mënyrat e dhunës ndaj kulturës dhe gjëllimit në të vërtetë përbënin një kulturocid, gjenocid dhe etnocid serb mbi shqiptarët, një doktrinë e pushtuesit mbështetur në udhëzimet publike e sekrete të Akademisë Serbe të Shkencave dhe Arteve – SANU, (akronimi i saj në serbisht, – shënim imi).
“Në vitet ’90 ishin paraparë për zbritjen e përqindjes së shqiptarëve në Kosovë, nga 93 % në nën 50 %. Kjo do të arrihej me të gjitha metodat dhe strategjitë e njohura në botë për spastrimin etnik të një vendi. Në funksion të këtij qëllimi, në vitet ’80 dhe ’90, me dhunë ekonomike dhe policore u ndoqën nga Kosova rreth 400 mijë shqiptarë të aftë për luftë, kurse për 14 muajt e fundit të luftës ballore të UÇK-së me soldateskën serbe (28 shkurt 1998 – 10 qershor 1999), nga Kosova u ndoqën me lemeri, ploja e masakra rreth një milion shqiptarë të Kosovës”.[5]
Pas përfundimit të Konferencës së Dejtonit, në vitin 1995, nga vendimmarrësit e politikës botërore, shqiptarët e Kosovës, në një mënyrë apo tjetër, u ndien të harruar dhe të lënë pasdore në rrugën dhe kërkesat e tyre drejt lirisë. E vetmja rrugë për te liria mbeti vetëm forma e organizimit të brendshëm ushtarak. Shqiptarët, si faktorë shumë të rëndësishëm në Ballkan, në periudha të ndryshme diplomatike nuk janë trajtuar në mënyrë të barabartë nga fuqitë vendimmarrëse botërore. Përpjekjet diplomatike në fund të viteve ’90 kulmuan dhe u përforcuan me rezistencën ushtarake të bashkuar rreth UÇK-së. Kjo forcë e përshpejtoi lëvizjen sa më aktive të diplomacisë amerikano-angleze rreth zgjidhjes së çështjes së Kosovës. Nismat e para për organizim dhe rezistencë të armatosur shqiptarët e Kosovës i filluan qysh nga viti 1991. Organizimet e stërvitjeve ushtarake u bënë në Shqipëri, nën emrin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të formuar mes viteve 1993-1997.
Sulmi i parë frontal i forcave policore dhe ushtarake serbe mbi familjen Jashari, ndodhi më 30 dhjetor të vitit 1991. “… Më 30 dhjetor 1991, policia, në përcjellje edhe të reparteve të ushtrisë jugosllave, rrethoi Prekazin e Ulët, shtëpinë e Shaban Jasharit. Madje kjo forcë e jashtëzakonshme kishte në përbërje edhe helikopterë. Rrethimi u bë për shkak të dëshirës për të zënë e burgosur Adem Jasharin, kryengritës. Ai vazhdimisht e kishte kundërshtuar me forcë policinë serbe”.[6]
Në kohë dhe rrethana të ndryshme, ndërkaq, stërvitjet e rishtarëve shqiptarë vazhduan dhe u përgatiten ilegalisht deri në përballjen e parë frontale me forcat serbe në nëntor të vitit 1997 në fshatin Rezallë të Re të Skenderajt. Në këtë përballje merr pjesë edhe vetë komandanti legjendar i UÇK-së, Adem Jashari. Më 28 nëntor 1997, në varrimin e mësuesit Halit Geci në Llaushë të Skenderajt, për herë të parë shfaqen pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës me uniforma dhe të armatosur.
Sulmi i radhës mbi familjen e Shaban Jasharit ndodhi më 21 dhe 22 janar të vitit 1998, ku kjo familje tregoi guxim dhe profesionalizëm të lartë në mbrojtje nga sulmi diversant i forcave serbe.
Përballja me grupin e UÇK-së në Likoshan dhe Çirez, më 28 shkurt 1998, si dhe Epopeja e UÇK-së në Prakaz, më 5-7 mars 1998, ndryshoi shumëçka, jo vetëm në planin kombëtar, por edhe ndërkombëtar. Tashti u pa se edhe pushteti serb po i ndërronte planet dhe po përgatitej të ballafaqohej me një situatë tjetër nga ajo që e kishte menduar. Natyrisht që edhe zhvillimi i luftës së UÇK-së po kalonte në një fazë të re.
“Në fazën e parë u krijuan grupet e vogla guerile. Në fazën e dytë u zgjeruan grupet, u rrit numri i luftëtarëve. Në fazën e tretë u krijuan repartet ushtarake. UÇK-ja mori plotësisht formë të rregullt, me rreshtim organik, me uniformë, me armatim, me kazerma dhe qendra stërvitore etj., brenda në Kosovë dhe jashtë saj. Në fazën e fundit, të katërt, struktura organizative u ndërtua me brigada, si njësi më të fuqishme luftarake”.[7]
Përhapja dhe shtrirja e saj ishte e dukshme, ndaj edhe Serbia po merrte masa të reja shtesë për të goditur jo vetëm UÇK-në dhe bartësit e organizimit të kësaj lufte, por edhe mbi popullatën civile pa kursyer asgjë të gjallë si ndëshkim. Së këndejmi, ajo zbatoi strategjinë e njohur tashmë, strategjinë e tokës së djegur.
Në luftën e fundit në Kosovë 1997-1999, Serbia përdori formën më brutale, më barbare dhe më anticivilizuese ndaj popullit shqiptar: agresion, gjenocid, masakra, vrasje, përdhunime, torturë, djegie, plaçkitje, arrestime, dëbime dhe deportime masive. Rreth një milion shqiptarë të Kosovës u dëbuan nga vatrat e tyre për në vendet fqinje, në Evropë, në Amerikë dhe deri në Australi etj.
“Soldateska serbe zbatoi mbi 30 ploja në fshatra dhe qytete, vrau mizorisht mbi 15 000 civilë – pleq, burra, gra dhe fëmijë, (mbi 3 400 të zhdukur), plagosi mbi 3 219 dhe burgosi mbi 1 360 veta. Me strategjinë “Toka shqiptare e djegur” – dogji 1 007 fshatra (nga 1 392 sa ka Kosova), mbi 212 347 shtëpi banimi, objekte përcjellëse, objekte shoqërore dhe lokale afariste. Dhunë mbi dhunë është dhunimi i mbi 20 000 femrave, prej të cilave 2 019 nëna që kanë 3 007 fëmijë të traumatizuar përjetësisht”.[8]
Pas përballjeve të para frontale në mes të UÇK-së dhe ushtrisë e policisë serbe, në Rezallë të Re, Prekaz dhe në Likoshan, me një vetëdije të lartë kombëtare dhe përkushtim të madh ndaj çlirimit të atdheut, djemtë më të mirë dhe më të guximshmit të fshatit Abri e Epërme tashmë u ishin bashkuar celulave të para ilegale të UÇK-së në Drenicë. Ky grup i djemve, me një organizim të mirëfilltë, po vepronte brenda fshatit dhe përtej, duke rekrutuar në mënyrë vullnetare djem dhe vajza brenda radhëve të UÇK-së. Më 4 mars të vitit 1998 grupi i djemve ilegalë të UÇK-së në fshatin Abri të Epërme u shfaq hapur pa maska, me uniforma dhe armë, duke zënë pozicione në mbrojtje të fshatit.
Banorët e fshatit Abri e Epërme, së bashku me luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, gjatë ofensivës së shtatorit 1998, e dinin se ishin të rrethuar në të gjitha anët nga ushtria dhe paramilitarët serbë. Luftëtarët e lirisë kishin vendosur që, për aq sa kishin municion dhe armatim, ta mbronin fshatin dhe fshatarët e tyre, civilë të shumtë që strehoheshin në shtëpitë e lagjeve dhe në lokalet e shkollës së fshatit. Në një luftë të pabarabartë mes luftëtarëve të Brigadës 111 dhe 113 të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe të forcave armike do të vriten shumë ushtarë të forcave serbe, por do të binin edhe dëshmorët e parë të lirisë, në fushë të nderit: mësuesi Vesel Demaku, Valdet Xhemajli, Afrim Hajdari dhe Afrim Kiçina; do të plagoset shumë rëndë Arben Xhemajli. Pastaj, forcat e shumta të ushtrisë armike do të depërtonin në fshat dhe do të bënin masakër mbi njerëzit që për një arsye apo për një tjetër nuk kishin arritur ta lëshonin fshatin. Masakra më e tmerrshme padyshim qe ajo mbi 23 anëtarët e familjes Deliu, masakër që do të trokiste në mendjen dhe në zemrën e të mëdhenjve të politikës botërore.
“…Në fund të shtatorit 1998 opinioni botëror u trondit i tëri nga zbulimi i një varreze masive në katundin Abri, në Kosovën qendrore. Gjashtëmbëdhjetë (23, v. j.) civilë shqiptarë, në mesin e të cilëve dhjetëra gra, fëmijë dhe pleq të vrarë në një kodër, një plak prej të cilëve e kishin lënë të prerë në fyt dhe mbi gjoks i kishin vënë, tërë kujdes, një thikë kasapësh. Që nga ky çast, fuqitë perëndimore rifilluan përpjekjet e tyre drejt presioneve mbi qeverinë jugosllave, duke u kërcënuar se, po qe se kjo qeveri nuk pranonte t’i jepte fund kësaj fushate, do të viheshin në përdorim edhe sulmet nga ajri vetëm brenda pak ditësh…”.[9]
Nga masakra e ushtrisë serbe mbi familjen Deliu të Abrisë do të sqarohej përfundimisht se kush luftonte për liri dhe kush për pushtim dhe kundër lirisë. Ushtria Çlirimtare e Kosovës, si forcë ushtarake, dhe Kosova, si vend, do të hynte në agjendën e politikëbërjes botërore si vend dhe si komb që bënte luftë për liri. Rezistenca kombëtare aktive në rrafshin politik, e më vonë edhe ushtarak, e shqiptarëve kishte filluar që me copëtimin e trojeve shqiptare dhe përfundoi me rezistencën e armatosur të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në vitin 1999. (Vijon në ‘Epoka e re’)
[1] B. Kurti “Gjaku i Lirisë 9-10” Prizren, 2006
[2] Marrë nga Imer Deliu, 12.11.2017
[3] Joschka Fischer, Vitet kuq-gjelbër, Koha, Prishtinë; 2008; fq.99
[4] Akademia e Shkencave, Kosova në Vështrim Enciklopedik, Toena Tiranë; 1999; fq, 127
[5] http://kosovare.forumotion.com/t940-vrasjet-dhe-burgosjet-e-shqiptareve
[6] A.SH.SH. “Kosova nën vështrimin enciklopedik” Tiranë 1999.
[7] Fehmi Pushkolli,”Historia e popullit shqiptarë”, Prishtinë 2001; fq 164
[8] http://kosovare.forumotion.com/t940-vrasjet-dhe-burgosjet-e-shqiptareve
[9] Noel MALKOLM, “Bota Sot” e datës 21 shtator 1999, fq 9