
Rrëfime nga ditari i Gazmend Elshanit dhe rënia dëshmor e Enver Durakut
1 Prill 1999
Diku rreth orës tre të mëngjesit arrita në odën tonë në Baicë. Besim Thaqi dhe Iliri ishin kanë fjetur, u përshëndetëm shkurt, ju thash nesër flasim dhe rashë edhe unë. Në mëngjes mora shumë lajme te dhimbshme. Duke luftuar në oborrin e tij, kishte mbetur i vrarë mësuesi Daut Halilaj nga fshati Tërdevc, shtëpia e mësuesit Daut ishte shtëpi e të gjithë ushtarëve të UÇK-së, ai ndante çdo kafshatë me ne të gjithëve, ishte një njeri shumë bujar. Dëgjova se ishin vrarë edhe kushëriri im Izet Elshani, nipi Imer Zekaj dhe shumë raste tjera të cilat më mërzitën shumë. Gjithashtu e kuptova se forcat armike e kishin djegur edhe furrën e bukës e cila ndodhej në oborrin e shtëpive të mësuesit Daut, tash e tutje gatimi i bukës për ushtarët do të vështirësohej shumë.
Rreth mesditës na thirrën mua dhe Besimin të shkojmë në lagjen e Ramadanëve, sepse thanë kanë sjellë shumë ushtarë të plagosur. Shkuam shpejt, kur hymë në shtëpinë e Limanit ishte mbushur oborri dhe oda me të plagosur. Ekipi nga Pagarusha e udhëhequr nga Bajrush Hoti i kishin sjellë 63 të plagosur. Ata thanë se ne nuk patëm mundësi t’i mbajmë me gjatë, na lanë pak medikamente dhe na thanë se duhet të kthehen ne Pagarushë sepse atje kanë shumë të plagosur tjerë. Ne i njoftuam se për momentin nuk kemi asnjë mjek dhe asnjë teknik medicional tjetër. Ata thanë se kështu ishte plani t’i sjellim deri këtu, tash e tutje ju i keni përgjegjësit. Ishte e tmerrshme të shihje gjendjen e të plagosurve. Më shumë se gjysma ishin të plagosur rëndë. I vetmi që edhe ata thanë se është në rrezik jete, ashtu edhe dukej ishte Enver Duraku, një djalë i ri shumë i pashëm nga Krusha. Në mesin e të plagosurve ishin edhe dy gjermanë që kishin ardhur të luftonin për Kosovën. Në mesin e të plagosurve kishte ushtarë nga pothuaj të gjitha viset e Kosovës. Pasi ekipi i mjekësisë nga Pagarusha u larguan, ne filluam sistemimin e të plagosurve nëpër odat e fshatit Baicë, në lagjen Ramadani dhe Leku. Në odën e Kamber, Skënder dhe Hysen Lekut i vendosëm ushtarët e plagosur më rëndë të tjerët i vendosem në odat tjera të lagjes Ramadani, odën e Fejzullah, Fadil, Vehbi Ramadanit e deri në odën e Sinan Elshanit. Situata rreth nesh ishte shumë e pasigurt gjysmën e fshatit e kontrollonin forcat armike. E ndava Besimin dhe i thash si do ia bëjmë o Besi, ne s’kemi medikamnete as edhe për dhjetë të plagosur, e keqja e madhe ishte se të plagosurve nuk iu kishin pastruar plagët për 2-3 ditë, që nënkuptonte shpenzim të menjëhershëm të fashave, gazave dhe ato pak barëra që kishim. Në ambientet ku ishin të plagosurit kundërmonin erëra të rënda të plagëve që po qelbeshin, gjithashtu disa nga të plagosurit më rëndë pothuajse gjatë gjithë kohës rënkonin më zë të lartë. Ishte një ditë e rëndë dhe na priste një e ditë tjetër edhe më e rëndë…
2 Prill 1999, Baicë
Nga mëngjesi filluam me pastrimin e plagëve dhe dhënien e terapive që i kishim në dispozicion. Besim Thaqi i caktonte terapitë, unë i ndihmoja aq sa mundesha. Plagët ishin të mëdha dhe në gjendje shumë të keqe (shumica e plagëve kishin filluar te qelbeshin dhe ishin formuar edhe krimba nëpër plagë). Fashat dhe gazat ishin ngjitur për plagët, dhe gjatë heqjes se fashave hiqej edhe mishi nga plagët. Ishte një situatë shumë e rëndë, të plagosurit ndienin dhimbje të mëdha, piskatnin nga dhimbja… shikoja fytyrat e atyre që pritshin në radhë për pastrim të plagëve, në sytë e tyre vërehej një trishtim i thellë, të gjithë e përjetonim rëndë këtë situatë.
Të plagosurit që ishin në gjendje më të rëndë, i trajtonim edhe me analgjetikë, por pasi kishim pak, na duhej ti ruanim dhe ti përdornim vetëm kur nuk kishte alternativë. Gjithashtu sasinë e infuzioneve e kishim mjaft të vogël. Infuzione ju dhamë vetëm rasteve shumë të rënda. Një kujdes të veçantë mundoheshim t’ia bëjmë Enver Durakut, i cili ishte në gjendjen më të rëndë. Me Enverin ishte edhe daja i tij, i cili vazhdimisht mundohej t’i ndihmoj Enverit. Enveri ishte i plagosur rëndë, në kraharor dhe abdomen. Enveri kishte qenë përcjellës i zv.Komandantit të brigadës 124, dhe ishte plagosur në luftime në Doberdolan me datë 28 Mars 1999. Sipas Besimit, gjendja e tij është shumë e rëndë dhe vetëm një operacion i thellë do të mund ta shpëtonte. Dhënia e ndihmës për të plagosurit vazhdoj deri vonë në mbrëmje, por arritëm që të gjithë të plagosurve t’u pastrojmë plagët.
Musa Jashari, ka siguruar disa medikamente dhe është munduar gjatë gjithë ditës të jetë në dispozicion të të plagosurve. Komandanti i kompanisë Fatmir Kiçina gjithashtu ishte në shërbim të të plagosurve për të siguruar për ta ushqime dhe veshmbathje. Vlen të cekët se fshatarët u organizuan t’ju pastrojnë rrobat dhe t’iu sjellin edhe rroba tjera. Nesër e kemi në plan të fillojmë rastet që mundemi t’iu pastrojmë komplet trupin, shumica kishin me shumë se dy javë pa u pastruar fare.
3 Prill 1999 Baicë
Nga mëngjesi Besimi, fillojë me trajtimin e të plagosurve. Ai fillojë nga rastet e rënda më dhënën e terapive që i dispononte dhe me pastrimin e plagëve. Unë shkova të shtëpia e gjyshit, ta porositi gjyshen që të vendosin disa kazanë mbi shporet për ngrohjen e ujit të cilin do e dërgoja në shtëpitë ku ishin të plagosurit. Me motrën time Hyrien, mblodhëm rroba të ndryshme të pastra për të plagosurit. Pasi siguruam rroba të mjaftueshme, me ndihmën e disa ushtarëve filluam t’i pastrojmë të plagosurit dhe t’ju veshim rroba të pastra. Rrobat e përgjakura i dërgova te shtëpia për pastrim. Ishte e rëndë të shihje gjakun që dilte nga rrobat e të plagosurve, motra Hyrie, rrobat i lante jashtë, rrjedha e ujit me ngjyrë të gjakut vazhdonte pa fund…
Enver Duraku ishte në gjendje të rëndë, Besimi i jepte analgjetik (injeksione kundër dhimbjes pa ndërprerë, edhe infuzion dhe barna tjera) por gjendja e tij vetëm keqësohej. Djali i dajës së Enverit, Isa i rrinte te koka Enverit duka ja lagur buzët e thara. Në mbrëmje Enveri nuk fliste më, ra në një qetësi para vdekjes, pulsi filloj t’i zvogëlohej. Besimi mundohej por ishte e kotë, në ora 20:35 zemra e Enverit 20-vjeçar, u ndal.
Të gjithë u mërzitëm shumë…
E thirra bacin Kamber (Leku) pronarin e shtëpisë ku ishim, edhe ai u mërzit pa masë… e morëm trupin e Enverit dhe e vendosëm në korridor të odës. Gjatë natës Fatmir Kiçina e ka organizuar varrimin në varrezat e fshatit Baicë.
4 Prill 1999
Pas vdekjes se Enverit, u krijua një panik tek të plagosurit tjerë. Kjo vërehej në fytyrat e tyre. Paradite erdhi doktori Gani Halilaj në Baicë. Doktor Ganiu kishte nën mbikëqyrje një rajon shumë të gjerë. Biseduam me doktorin, i treguam për gjendjen e të plagosurve dhe e njoftuam se fatkeqësisht njëri nga të plagosurit vdiq mbrëmë. Doktor Ganiu, na motivoj të vazhdojmë trajtimin e të plagosurve me ato mundësi që kishim, ai u kthye në fshatin Terdevc pasi edhe atje kishte të plagosur tjerë. Rreth neve gjatë gjithë ditës kishte luftime të vazhdueshme, dhe situate ishte shumë e rëndë, shqetësimi më i madhi është se në rast avancimi të armikut, si do t’i evakuojmë gjithë këta ta plagosur.
Pasdite erdhi të na vizitoj komandanti Rasim Kiçina, ai na siguroj se situatën e kemi nën kontroll, Rasimi na tha se nëse vërejmë ndonjë rrezik do gjejmë zgjidhje për evakuim. Sipas tij me së shumti 2-3 ditë do e gjejmë zgjidhjen t’i dërgojmë në një vend më të sigurt.
Besimi si zakonisht gjatë gjithë ditës deri në mbrëmje vonë vazhdoj me pastrim lidhje të plagëve. Asnjë nga të plagosurit nuk dukej se ishte në rrezik për jetën.