Rrëfime për masakrën në burgun e Dubravës: Kjo vajzë në duar mbante foton e babait që nuk e pa kurrë
Ish i burgosuri Musa Morina 25-vjet më parë u vra nga forcat serbe në burgun e Dubravës.
E gruaja e tij, Rrahime Morina, erdhi nga Kamenica së bashku me fëmijët, për të përkujtuar bashkëshortin e saj.
“Në shtator kur kanë thanë që me ardh në Istog me i shiku rrobat… Vajzën e kam pasur 3 muajshe, ka lind pasi u dek burri. Kur erdhëm këtu, çka me ardh, i vendosshin rrobat rend, kur i pash të atij, një zë më shkoj i madh”, shprehet ajo.
E të vështira këto ditë po i kanë edhe këta familjarë.
Ata kanë ardhur për të përkujtuar Qemajl Bytyqin, i cili u vra nga forcat serbe në burgun e Dubravës.
“Ky ka tentu me bo për këtë vend, i ka lënë të shoqën, dy vajza dhe djalin. Ky është shku për këtë vend, ishalla ata i mëshiron Zoti me të mira, pra na familja e tij doktorra janë bërë krejt”, shprehet Hajrije Hoxhaj.
Përjetimet më të rënda i kanë të mbijetuarit e kësaj masakre.
Një ndër ta është edhe Selim Lokaj, i cili ishte arrestuar më 31 dhjetor 1977.
“Më 21 maj fillon ajo vrasja masive. Ky muri këtu, ishim të ftuar të rreshtoheshim këtu, diku 10 metra larg këtij murit se nuk ka kushte për me jetu. Dhe pas një pipi të gjitha forcat kanë dalë prej këtij muri dhe ka filluar gjuajtja prej të gjitha armëve të zjarrta dhe kjo pjesë ka qenë e mbuluar nga të vdekurit”, tregon Lokaj.
Ndërsa, Mithat Buza tregoj se pak para se të kryhej i gjithë krimi, serbët po festonin me këngë për vdekjen e shqiptarëve.
“Të gjitha të këqijat i kujtoj, ka desht Allahu me na shpëtu sepse kanë qenë kushte shumë të vështira. Këtu na kanë rreshtu për me na pushkatu. Mbrapa murit kanë qenë serbët duke festu dhe kendu që po vdesim na. Fati deshti që mu thy muri dhe erdh urdhri me ndërpre masakrën dhe shpëtum e qe ku jemi sot”, shprehet ky i mbijetuar.
Ditën e mërkurë janë bërë homazhe nga krerët e shtetit e ish – pjesëtarë të UÇK-së ku përkujtuan 160 të vrarët në burgun e Dubravës.