Rrëfime të dëshmitarëve të tjerë të masakrës së Delijajve
Autor: Afrim Hysenaj
Rrëfimi i Bashkim Fazli Deliut, Abri e Epërme
Bashkim Fazli Deliu ka lindur më 14 qershor 1976 në Abri të Epërme. Tani është 42-vjeçar, po kur e kishte përjetuar masakrën e Deliajve ishte vetëm 22-vjeçar. Bashkimi kishte qëndruar në lagje deri në çastin kur forcat paramilitare serbe janë futur aty. Ishte i fundit që ishte ndarë nga babai i vet, Fazliu, 90-vjeçar dhe i pari që kishte mbërritur në vendin e ngjarjes, së bashku me Imer Deliun.
Bashkim, ti ke mbetur vetëm në lagje gjatë ofensivës së shtatorit 1998?
Në fund të muajit shtator 1998 ka fillu ofansiva e forcave të ushtrisë dhe policisë serbe mbi fshatin tonë rreth e rreth Abrisë. Unë kam met m’u kujdes për babën n’shpi. Baba ishte 94 vjeç dhe i paralizum. S’kam mujt me la vetëm. Jam kujdes për ta lëvizë dhe për t’i siguru ushqim. Ditën e mbramë, sa isha me ta’, edhe ma shumë u paralizu. Unë, bashkë me kushërinin tim, Sadrinë, po gatunim bukë. Ka pas edhe tjerë kushëri në lagje, por herë-herë ata kanë lëvizë me familje të veta. Unë gjithë kam nejt aty. Kur fillun granatimet erdh n’shpi vëllau i madh, Hajrizi, me familje, prej fshatit Vuçak. Na i kemi bërtit pse je ardhë. Kishim frikë çka po ndodh me neve. Kur ofansiva ishte në Tërstenik, Hajrizi me nanën, gruen dhe fëmijët e vet, kanë pas shku në Vuçak te motra. Nana s’ka mujt me ec dhe asht nda nga Hajrizi e ka nejt me motër të madhe në Vuçak.
Nana i ka shpëtu masakrës falë mosardhjes së saj me Hajrizin. Atë ditë, pa u terru, ka ardhë edhe familja e Imerit prej Çiçavicës. E gjithë familja, me gra e fëmijë, ishin me Ademin. Atë natë janë vendosur te Zabeli i Rrajve. Me ta janë bashku edhe bashkëshortja e Hajrizit me dy çikat e Hajrizit. Natën shoqja e Hajrizit vijke gatujke bukë në shpi për me marrë me veti, ndërsa ditën rrike n’mal. Na burrat lëviznim kapak nëpër lagje.
Po të nesërmen ç’ndodhi?
S’e harroj kurrë. Ishte data 25 shtator e vitit 1998. Shkijet e kallën fshatin Abri e Ulët. Unë isha me Sadrinë dhe mësuesin Habib. Bisedonim se të nesërmen kanë me vazhdue shkijet me na kallë neve. Ishim në distancë të afërt me fshatin që e kallën. Edhe atë ditë kemi qenë në rrezik. Atë natë gjumin e kemi ba n’mal…
Më 26 shtator ti ishe në lagje?
Po, t’nesërmen, më datën 26, diku si ka nisë m’u zdrit, në orën 5. Fillimi i vjeshtës. Filluen me granatime t’mëdha. Visha te baba, prej agragjes përpjetë kah lama. E dijsha kah me hi e qysh me dalë, se isha rritë aty. Sa me ja pru bukën babës kur e gatujke Sadria.
U ba ora 9. Unë isha te baba. E kam ndëgju një piskamë. Ajo piskamë ke e Ademit, vëllaut të Imerit. Unë s’e kom dijtë, po aty me Ademin ish kanë edhe djali i msuesit Isak. I kom pa shkjet tuj ardhë përmes lamës së Brahimve përpjetë, me maska. Kom fillu me ikë sa kom pas fuqi kah lama. E kom kapërcy telin teposhtë e te bunarnet. Kah kam ikë e kam pa Alinë te podrumi i Sadrisë nër plloçë, tuj gri duhan. I kam thanë, Ali, ik se shkit hinën. M’tha: “Shkoni ju se i di punët e mia”. Alia ka mbetë aty… Kom shku tuj ngajt te robtë (te familjet ku ishin të strehumë) edhe i kom njoftu se shkijet hinën n’lagje. Mbas pesë minutash e kem pa kur i ka dalë flaka odës teme dhe shpisë. Unë jam da prej familjeve e kom dalë ma nalt, ma larg anej prej Demiqve, prej tutës që nëse vijnë shkijet, mos me m’gjetë aty. Edhe Hajrizi u largu prej robve dhe ka ikë. U kanë ora diku 10 deri në 11. Unë kam shku dhe kom nejt tek do vorre të Zekalive, i mshefun n’therra, nashta 400-500 metra prej vendit ku ishin familjet e strehuara. Nashta edhe ma larg. Prej aty e kom nie edhe piskamën e familjeve. Kam mendu që po tutën kur i kan pa shkijet. Kurr s’e kom mendu që shkijet i bajnë n’atë gjendje gra e fëmijë e pleq. Kom nejt aty derisa u terru. S’kam guxu me lëviz. E kqyrsha qet orë kur po m’vrasin edhe mue. Prej atheri e kom këtë orë… Kur u terru kam shku mbi zabel, kah vorret e Muliqve, dhe kam dalë n’Lagjen e Baderrlakëve. Kam kalu afër shpijave të Hysenve t’Ultë dhe jam dalë n’gomna, kah pusat e kom shku n’Lagjen e Taljanëve, (një lagje e fshatit Likoc që ndodhet mes Abrisë dh Polluzhës, shënim imi, A. H.). Ishte terr i madh. E kam pa ni dritë t’vogël dhezë te ni shpi. Ish kanë nji plak i cili m’ka strehu dy ditë.
E diela e 27 shtatorit të gjen në Lagjen e Taljanëve të fshatit Likoc?
Po, t’nesërmen jam çu para orës gjashtë. Binte shi pa nal. Para se m’u çu, andërr e pashë babën. M’ka ardhë me nji zile te kryt e më tha: Bashkim, kqyrne shpinë se neve na kanë mbyt shkitë, mue djalin, renë e thminë. Krejtve na kanë mbyt. Si m’ka dalë gjumi i thashë atij mixhës, që veç sa m’duel pej dere baba. E pashë andërr. M’tha jan’ andrra t’sabahit, mos u ban marak! Kam dalë herët pej asaj shpije. Ai mixha m’ka lutë mos me dal, se t’vrasin shkijet. Menojsha me provu me ardhë e me hi në lagje e me pa çka u ba me rob, po kur jam afru zhagaz afër rrugës Abri – Likoc ish kanë plot automjete t’ushtrisë serbe dhe s’kam mujt me kalu rrugën. Prej vorreve t’Myqivarit e deri n’Likoc ish kanë plot automjete t’shkive. Jam detyru m’u kthy prapë në Lagjen e Taljanve, tek ai mixha që më strehoi. Më tha shyqyr qe paske pshtu e je kthy. Tan ditën kom nejt te ai plaku dhe prapë kom fjet aty. Më 28 shtator 1998, prapë jam çu herët, kah 4:30 dhe kam tentu me shku n’lagje. Prapë binte shi. Rruga m’u dok prapë ishte e bllokume. Jam kthy mrapa dhe n’mal, te vendi i quejtun “Gryka e Haxhve”, jam taku me Imer Deliun dhe Afrim Hysenajn. Imeri ka folë diçka me Afrimin dhe i tha shko te shokët e kallxoju se deri këtu s’ka shkie e mujnë me ardhë.
Ç’bëtë pastaj me Imerin?
Fillum me ec malit n’drejtim t’rrugës kryesore për me shku n’lagje. Kur jem afru ma ngat rrugës filloi m’u zdrit ma shumë edhe m’u pa ma larg. E pamë që afër rrugs kryesore ishin kanë t’ngrehun do najllana (tenda) ku shkijet kishin ndejt. Prej së largu u dokshin si tenka. Prej malit kemi hi te shpija e Habibit. Ju kemi afru shpisë së Imerit dhe, n’mes t’rrugës, ndërmjet shpisë së bacit Jonuz dhe bacit Sali, e kem gjetë t’shtrimë e t’vramë Ademin. E kem kapë Ademin e dekun dhe e kem shti n’hajat t’odës. I thashë Imerit hajde shkojmë te baba. Nji qen’ i jonë nuk na linte me hi mbrena n’shpi. Shkijet na shihnin. Ata ishin mbi lagjen e Sylkajve në Likoc. Hymë mbrenda n’shpi te baba. Kur e kom këqyr pej xhami babën ishin kanë veç kambët pa djeg. Krejt skelet i djegun trupi u kanë. N’vitin e mbram baba ishte i palëvizshëm dhe veç me krryle mujke me lëviz kadalë. I ka pasë 94 vjet. I thashë Imerit, baba e paska kry. Te podrumi ku e kisha lanë Alinë, nuk ish. U nishin veç zojtë e malit. Ia lypa ni cigare Imerit se thashë du m’u tranu. I kish pas edhe tri cigare, kurrë s’e harroj, “Monte Carlo”. Ma dha nja. Bashkim, këtu s’po ndihet za as i fëmive e as i grave, – m’tha. T’kqyrum çka ka ndodhë. I thashë – jo Imer, e di unë çka ka ndodhë, po s’kom guxu me t’kallxu. Unë jau kom ndi edhe piskamën. U habit. Tue fol kadalë kemi mbrri e jemi hi te robtë. S’pari e kena pa Alinë, kryt e hiqtë. Iu kish fry barki shumë. Jem shku ma anenaj te tjerë robë. E kem pa Pajazitin e afër tij halla e Imerit. Pak ma anej ish kan’ nana e Imerit. Ju ka gju sipri nans me lot n’sy. Mandej i ka kontrollu familjart e tjerë. Tanaj u shku te djali i vet i madh, Jetoni. Ja ka marrë sahatin e djalit pej dore. Unë jom ul kacul. S’kom pas ma fuqi as m’u çu n’kam’. Disa pej kufomave Imeri i ka mbulu me çka gjajke pej teshave. I kom thanë: Imer, m’doket ka diçka ner fustan t’grus tanë! Ajo e kish shti çikën e vet, t’voglën, Diturinë nër veti, e kish mbulu gati me trup t’vet. E ka pa Imeri çikën t’gjallë. E kom pa edhe unë kur i ka çelë sytë pak… E ka marrë një cucëll Imeri e u mundu me i dhanë me pi. Ma ka dhanë pak çikën n’dorë me mbajt derisa ai t’kqyr e kontrollon mos ka naja tjetër gjallë. M’pyeti ku asht gruja e vllaut tand dhe çikat e tij. I thashë: S’guxoj unë ma me shpurdh prej kti vendi. U tutsha mos ka mina. Imeri ka kqyr rreth e rreth, kur e ka pa grun e Hajrizit edhe dy çikat m’tha qe ku janë edhe gruja edhe dy çikat e Hajrizit. Unë s’kom guxu m’u afru. Hajrizi i ka pas dy çikat me gruen e parë, jo me këtë që u myt n’masakër… Ka ardh Imeri ma ka marrë Diturinë prej dore dhe kena dalë pej atyhi që me ardh drejt e në Lagjen e Strumcakve… E mbaj mend kur ju ka thanë Imeri juve se veç kjo çikë m’kish mbetë gjallë… [1]
Rrëfimi i Elmi Sherif Deliut nga Abria e Epërme
Elmiu këtu na e përshkruan mënyrën se si i është vrarë babai i tij nga forcat serbe: Në ofensivën e shtatorit të vitit 1998 ai ishte larguar nga vendqëndrimi në malin ku qëndronin Deliajt dhe është plagosur po të njëjtën ditë që është vrarë dhe masakruar familja Deliu. Në Lugun e Hysenve një natë ka qëndruar i plagosur në një shtëpi aty afër. Të nesërmen u takua me Rrustem Veselin nga Likoci dhe Hasan Hamzën nga Likoci. Ashtu i plagosur ka qëndruar me ta dhe u ka treguar se është i plagosur. Ka biseduar me ta se si të kalojë nga rrethimi i forcave serbe. Ata i kanë sugjeruar të shkojë në Tërstenik, përkatësisht në Lagjen e Kuçicanëve, e që supozohej se ka qenë jashtë rrethimit të forcave serbe. Në bisedë e sipër, siç tregojnë këta që e kanë takuar, ai u kishte thënë se sikur ta dinte Xhemajli që jam plagosur do të vinte të më merrte. Xhemajlin e ka pasur djalë të vëllait nga babai. Aty është ndarë nga Zymeri dhe Hasan Hamza. Por ai, siç thonë ata, nuk ka shkuar në pjesën ku ata i kanë sugjeruar. Ndoshta nga gjendja e rënduar shëndetësore sepse ka pasur një plagë të madhe në stomak nga copat e një granate. Ishte ndarë nga këta dhe ka shkuar rrugës nga kishte ardhë. Në mungesë të informacioneve për të, në periudhën prej shtatë muajsh, për ne ka qenë i zhdukur. Në një ofensivë tjetër të forcave serbe, një person nga Drenasi e ka gjetur në malin e Kosmaqit. Kishte vdekur në male, ashtu i plagosur, jo larg vendit ku ishte takuar me ata dy që i përmendëm më lart. Unë, me të dëgjuar për të, bashkë me Imerin (kushëririn tim) kemi shku dhe e kemi marrë. E kemi sjellë te vendi ku ishin varrosur anëtarët e tjerë të familjes Deliu. Ishte në moshën 66-vjeçare dhe e zuri vdekja më 26 a 27 shtator të vitit 1998, fill të vetëm.[2]
Rrëfimi i Rrahman Ali Deliut nga Abria e Epërme
Rrahman Ali Deliu ka lindur më 7 prill 1978 në Abri të Epërme të Drenasit. Gjatë ofensivës së shtatorit të vitit 1998 ka qëndruar në lagje së bashku me babanë e vet, Alinë dhe me disa kushërinj.
Rrahman, a mund të na tregosh se ku ke qenë ato ditë të ofensivës?
Jemi kanë tue nejt me disa kushëri të mi në nji podrum në shpinë e Sadrisë për me kanë ma të sigurt nga granatimet. Me neve u kanë Ilazi, Sadria, Bajrami, Alia (baba jem) etj. Na kishim nie që familja e Salihit dhe disa familje të tjera të lagjes ishin strehue n’Zabelin e Rrajve. Shi bike pa dal. Tanë natën ka pas gjujtje të minahedhsave prej tana anëve. Nji natë ma herët kishim fjet në odën teme dhe kishim planifiku t’ikim nga lagjja herët në mëngjes, kah ora 4. Unë isha edhe me një vëlla aty. E thirrëm babën disa herë m’u çu me ikë me neve, po ai nuk pranoi. Na tha: Ma mirë se n’vend tem nuk muj me gjet kërkun. Shkoni ju! Unë i thashë vllaut, shkoni ju se unë s’po e la babën vetë. Kishte gjashtëdhjetë e kusur vjet. Ademi me Zeqirin lëvizshin tue bart gjana ushqimore për familjarët në mal. Diqysh me sabah e pashë se nuk asht puna mirë. Me qef s’kisha nejt atë ditë në lagje, po s’mujta me lanë babën vetë. Kushërijt u tërhoqën, shkuen në drejtime të ndryshme. Ademi, rahmet i pastë shpirti, u nal e na ka përshëndet. Më kujtohet kur më thirri e më dha një qese me çaj. Tha, merre, se maroni e pini çaj. Kish qef me na nderu. Ata diqysh e kishin njifarë vullneti dhe n’mal u nijshin ma mirë. Më kujtohet kur jena shku me babën deri ku ishin të strehum në mal, se baba ishte mocanik me Pajazitin, e më tha hajde shkojmë pak. Mandej u kthyem prapë n’podrum.
Nashta u kanë ora tetë e gjysë a nandë e gjysë, po harroj, isha tue i pa do mina ku patën ra nëpër lagje dhe afër podrumit. Fillova me lëviz jashtë podrumit tue i hangër do thana. Po e ndij nji ushtimë jo t’madhe. S’e dallojsha a ish autoblindë a pizgauer, po se ishte e shkive po. Kam fillu me vrapu drejt bunarve sokakut dhe jam kthy përpjetë në drejtim t’podrumit. Kur jam afru, a kanë nji gradh mes rrugës e podrumit. Jam hyp mbi gardh tue u mbajt për dy huj të gardhit, e kam thirrë: O babë, o babë! Ish kan’ tuj gri duhan. E ka çu kryet: Çka u ba? O çu hajde ikum, – i thashë, se hinën shkiet n’lagje, se po nihet ushtima. Jo more, çfarë! – më tha. I thashë çu se unë ika. Jam lëshu teposhtë nja 30 metra. Ja kanë nis me gjujt rafal me automatik. Gjuej e gjuej. Nisa me ra n’tokë nga frika se po m’rrok naj plum. Taman dojsha m’u çu, prapë gjujshin. Unë i kam pas gjithmonë dy bomba e nji llovaçkë t’vogël (pushkë gjuetie, shënim imi, A. H.) Nji moment e kam ndëgju nji zhurmë. M’u duk se po vjen te unë. E kam nxjerr njanën bume dhe ia kam hjek siguresën, me gisht ndrydh të gatshme me gju kur ta shoh kush asht. Menojsha me ia gju bumën, edhe një fishek n’llovaçkë e kisha. Tash prapë tham shyqyr që s’i kom gjue, se m’kish mbet sot marak m’i pas gjue e me ik. Kisha thanë sherri jem ndodhi qëkjo masakër.
Fatbardhsisht, kur e kom çu kryt e pashë që ishin kanë do lopë tuj vrapu nga frika e krismave të granatave e djegjes së shpijave. Jam qu kadale tuj lëviz andej kah shkonte uji i vades… Kalova rrugën nëpër Garrapole, në drejtim të Tërdevcit. Në malet e Tërdevcit e kam taku djalin e Isakut e m’ka thanë që po, u ardh Alia dhe ka vetë për ty e i kem tregu se je shku përpjetë…
Babën e kanë mbyt qaty ku e kanë gjetë, te robnimi n’mal. Të masnesërmen, me djalë të Isakut, Shpëtimin, jemi kthy në lagje dhe e kemi pa se çfarë tmerri kishin ba shkiet.[3]
Rrëfimi i Jetullah Smajl Hasanajt nga Abria e Epërme
Jetullah Smajl Hasanaj (lindur më 30. 10. 1941. Tani 76-vjeçar).
Më 26 shtator 1998 kemi qenë në vendin e quajtur “Krojet”, nji lugshtajë afër Lagjes së Hysenajve, diku rreth 70-80 veta, gra e fëmijë, krejt bashkë. Kanë ardhë nga dy anët forcat serbe dhe na kanë rretheku. Çka janë kanë të ri krejt i kanë marrë, çka janë kanë pleq jo. Çka janë kanë të lindun më 1941 e sipër i kanë marrë të gjithë. Të gjithë, dy nga dy, i kanë lidhur. Mue e Avdullahun e Hysenajve nuk na morën si ma t’vjetër që ishim. Ata që i kanë marrë në pjesën e sipërme të trupit të gjithë i kanë deshun, n’shokë e nalt. I kanë hyp në prokolicë (rimorkio, v. i. A. H.) të traktorit dhe i kanë çue për Likoc. Të njajtën ditë ish kan’ ba edhe masakra te Delijavit. Neve që na lanë aty na thanë se deri në orën 3 mos me lëviz venit. Mbas treve m’u nis për te shpijat tona. N’orën tre kem ardh afër shpisë të Xhafer Hysenajt. Jem taku në gruan e Rrustem Hysenajt, hallën Shehide, e cila i kishte me veti katër fmijë. Fmijët ishin kanë t’hutuem, por edhe halla Shehide nga tuta s’dinte me na kallxu se prej nga i kanë ardhë ata fmijë. Të nesërmën në lagjen tonë janë ardh dy automjete dhe janë ndal te shpia e Sejdi Hasanit. Ata ishin kan’ do gazetarë. Na pyetën se ku janë Deliajt? Na kishim ni se ka ndodhë diçka te Deliajt, por nuk e dishim çka, se nuk kishim mujt me lëviz e me shku e me pa. U thashë hajdeni mas meje. Ngadalë, tuj u mshef, kem dalë te “Zabeli i Rrajve”. Aty ishin të masakruemit. Kur kemi mrri te vendi ku ishin kanë te mbytnit, beso kemi met t’habitun nga ajo që pamë. Kufomat e para që kemi pa ishte Pajaziti e Hava (kushërinë e Pajazitit) të mbuluem me ni qebe (batanije, A. H.). I kishin kambët e pjesët e trupit të coptueme. Mandej janë ardhë do ushtarë të UÇK-së dhe Rrustemi prej Likoci. Masanej ka nja ka nja i kemi pa kufomat e grave e fmive. Ngat venit ku ishin mytun kish pas copa të vogla buke, dardha, gratë dhe fëmija me tesha t’shkyeme. Ali Delinë e ngjofta. Ish kan’ i mytun në nji ledinë t’vogël n’mal, jo larg prej tjerëve. E kishin mbyt mizorisht. N’fyt e kishin pre’ e kosën e vogël me nji bisht t’drunit e kish pas mbi trup. Unë qat ditë qatyne gazetarëve ju kam përkthy prej gjermanishtje n’shqip qaq sa kom mujt, se e disha kapak gjermanishten. Mandej e kemi pa kufomën e Zeqirit. Ish kan’ përmbys i shtrimë. Kur e kam rrotullu kish pas erë t’ran’ sa gati m’ka ra t’lig. Për fat njani prej gazetarëve kish pas nji shishë ujë e m’ka k’fjellë. Mandej te kufoma e Fazli Ramës ku shpia ish e djegne e kufoma ish mbet ngat oxhaku. Veç skeleti i kish mbet. Prej aty kem vazhdu ku ish i vramë mësuesi Habib me t’vllajn, Hysenin. Jam çudit me kufomat, njana mbas tjetrës përmys. Hyseni, ngat kambëve të Habibit, e kish pas kryt, t’dy e kishin pas kryt e çamë përgjysmë. Krejt n’fund du me thanë: Ma s’shumti m’ka ba t’lig momenti kur i kam pa fëminë e mytun. Aty jam ndie tepër i lig, për pak që nuk m’kanë lshue kamtë n’tokë. Edhe sot, kur m’kujtohen, e jo rrallë m’kujtohen, nihna shumë keq… Duhet me dijtë edhe ata mbas nesh se çka ka ndodh n’këtë vend.[4]
Rrëfimi i Lokës, Shehide Hysenaj- Ademi, Abri e Epërme
Shehide Hysenaj-Ademi lindi më 3 janar 1937 në Dobroshec të Drenasit. Ajo tani është 81-vjeçare dhe, për moshën që ka, mbamendja e saj është shumë e kthjellët. Dita dhe data e 26 shtatorit e vitit 1998 për nënë Shehiden mbetet ndër më të kobshmet në jetën e saj. Lufta e fundit për nënë Shehiden ishte një tmerr i vërtetë dhe vështirë i përshkruar me fjalë. Forcat serbe ia masakruan në sytë e saj, bashkëshortin Rrustemin, në moshën 74-vjeçare. Në shtëpinë e vet mbanin të strehuar edhe mikun e djalit të tyre, Ajetin me Hyra Kalludrën nga Gremniku i Klinës. Në shtëpi ia masakrojnë burrin, ndërsa dy miqtë ia masakrojnë pak më vonë. Pas masakrimit të Deliajve forcat serbe ndajnë katër fëmijë të plagosur nga familjet e Deliajve, ku ata qenë të strehuar dhe i sjellin tek nënë Shehidja, duke e kërcënuar që të kujdeset për ta.
Janë ba nizet vjet gati, oj loke, e nashta s’di krejt me kallxu. Kur jemi ardhë nga Dobroshefci n’Abri, kanë fillu me gjujt me granata n’krejt lagjen tonë. Bishin n’katër anë granata. Jemi kanë t’strehum krejt lagjja në “Lugshtajë”. S’kemi ditë kah janë ardhë, po na kanë rretheku krejtve. T’shtunën n’pesë t’sabahit e kishin masakru Rrustemin, burrin tem (pikërisht atë të shtunë, më 26 shtator 1998, shënim imi, A. H.), ndërsa Alinë (80) dhe Hyrën (60) n’orën shtatë t’qasaj dite. Rrustemin, 74 vjeç, e kishin masakru para se me na rretheku neve. I kish pas dy kraht’ e premë, i mushun me gjak ftyrs e krejt trupit t’vet. Ushtria e tyne folshin shqip dhe serbisht. E maj men’ që shpia e Isufit ish tuj u kallë. Aty ishin kanë katër fmijë. M’i kanë pru t’katërtit e m’kanë thanë se duhet t’i marrësh këta fmijë e t’kujdesesh për ta. Katër fmitë i kam pshtue prej shpive që i kallshin.
Disa ushtarë m’kanë kap për krahu dhe nja për veshi. I kisha vathët rrumbullakë si lira të ngjitun dhe një rreth të dukatit në gisht. M’kanë shti n’shpi t’Nasufit dhe ma prenë veshin. Kceva hava prej dhimtës. Masanej ma prenë edhe gishtin dhe ma morën rrethin nga gishti. Alisë ia morën 50 marka. Lypshin pare e dukat. Mbasi erdha n’veti e lidha gishtin e ja nisa m’i ushqye e m’i pastru fëmijët. Teshat vesh i kishin t’përgjakne. Ua nrrova me disa tesha tjera, e i çova n’shpi t’Xhaferit. Mandej jam ngjit prapë nalt n’shpi teme. Udha ish plot automjete, prej vorreve e dej te Hasanavit. Jam zatet n’Alinë. Tha, dojnë mem vra. Hina mrena te fmija dhe jom dal dej n’prag me katër fëmitë e kom kqyr. E kan’ kap te furra e kanë rrxu dhe ja kanë hjek kryet me sakicë si pjepni kur çahet. Ja kanë hjek kryet dhe gishtat me thikë ja kanë pre. U afru ni ushtar me tesha t’zeza dhe ju bërtiti fmive: Kthene kryet anej! M’veti mue sa djem i ki, a janë UÇK? Tha, ju ke çu bukë UÇK-së. Njani prej fëmive e kish pas emnin Besnik. Ish i përgjakun n’krejt trupin dhe ish edhe i plagosun. Edhe tre tjerët ishin t’plagosun, po tek masanej i kem pa. Nuk harroj kurrë që gruja e kushërinit tem, Shiqerisë, Hamidja, m’ka nimu edhe m’i ka marrë fëmitë e i ka kqyr si m’i pas t’vet… Treqindë vjet me jetu s’muj krejt me kallxue, oj loke. Hala natën tremna kur m’del gjumi.[5]
Rrëfimi i Hamide Gashit -Hysenajt nga Abria e Epërme
Hamide Hysenaj-Gashi ka lindur më 9 mars 1962 në Kryshevc të Skenderajt. Para luftës bashkëshorti i saj ishte i paralizuar dhe, për shkak të mungesës së trajtimit mjekësor, në luftë e gjen vdekja. Në ofensivën e shtatorit të forcave ushtarake dhe paramilitare serbe ajo, bashkë me gjithë lagjen, strehohen në lugshtajën e quajtur “Zabeli i Currit”. Nënë Hamidja gjatë gjithë ofensivës është kujdesur për katër fëmijët e Lagjes Deliu të cilët i kishin shpëtuar masakrës. Ajo, me dashurinë prej nëne, bën çdo gjë që mund të bëhej për ta, që të gjithë të plagosur. Ja se çfarë na rrëfen për ato ditë të kobshme:
…U nishin krisma e granatime të mëdha në krejt Abrinë. Na kanë thanë se duhet me i l’shu shpijat e me dal n’lugshtajë te shpia e Brahimit. Jemi dalë të gjithë atje dhe kemi nejt nji ditë gjithë ditën, dhe nji natë e kemi kalu atje krejt lagjja, me fëmijë e burra, e t’ri e të moshuem. Të nesërmen jemi kanë të gjithë ashtu grup tuj nejt, veç kur na ka rretheku ushtria serbe të gjithëve. Kanë fillu me i nda burrat nga gratë dhe fëmijët. I kanë vendos pak ma nalt dhe ma larg prej neve në një stom (breg, A. H.). Aty kanë fillu me i rreh e me i maltretu. Na jena met qaty, po i pashim burrat tuj i rreh.
Juve grave dhe fëmijët si ju kanë trajtuar? A keni pasur maltretim apo diçka tjetër?
Po, qysh jo. Na kanë maltretu tue na u kërcenu se krejtve kemi me ju vra. Mandej na kanë thanë ku e kini Rugovën, ku e kini UÇK-në, ku e kini Amerikën? Na veç rrishum me krye teposhtë pa ba za kërkush. Nji çikë e Kamerit ka folë. Ka thanë: Na s’kemi kurgja faj? Ça po na maltretoni neve? E kanë çu atë çikën n’kambë dhe ka fillu me piskatë nana e saj. Për fat, e lëshun, s’e di as vetë se qysh… Mandej bacit Nazif ja kanë hjekë plisin prej kreje e ja kanë gju në vadë të ujit.
Atë ditë në lugshtajë ka ardhur një djalë i Deliajve. A të kujtohet si e ke ndihmuar?
Kur ka ardhë ai djali ish krejt i përgjakun e i lagun çull. Blerim e kish emnin. I hupun krejt nga gazepi. Ja kam dathë një palë sandalle djalit tem e ja kam dhanë atij. Mandej i kom thanë grues t’Ramadanit, kushëri i joni, a ka najkush një parë çorapa se qiky djalë krejt dathë koka. Ajo ja ka jap nji palë çorapa. Mandej i kam kthy bukë. Kish hjek shumë, veç u dridhke prej t’ftoftit e tutës. Ish kanë i ri, 16 vjet i kish pas.
Mbasi i kanë marrë shkijet burrat, ai djali pshtoj. Nuk e morën. Kah mramja kem fillu m’u ngjit n’lagje unë me çika dhe ai djali me neve. N’lagje e kemi pa bacin Tem (Rrustemin, v. i. A. H.) t’mytun dhe të mbluem me haube t’kerrit, (llamarina e makinës që e mbulon motorin, A. H.). Kur kem dalë n’rrugë kryesore e kem taku hallën Shehide me nji fmi ngryk dhe me tre t’vegjël. E kam pyet t’kujt janë kta fëmi? Tha – të Caravikut (një fshat i Klinës, A. H.) a s’di gja t’kujna janë, po shkiet m’i kanë lan’ n’dorë. Jemi zhdjerg me çika n’shpinë e Ajetve, se sh’pitë tjera ishin t’kallta e do tue u kallë.
Natën e parë, si jemi vendos aty, hala pa u terru mirë, e kom çu çikën, Fidaien, te halla Shehide dhe i kom tha merrja ata fëmijë se ajo boll asht lodhë e u plakë për veti. Edhe bacin Tem ia paskan mbyt! Boll e ka mërzinë e dertin e vet e s’mund me i këqyr fmitë. Nuk u vonu shumë çika a ardhë. Nja e ka pru ngryk, tre mbas veti. Ishin kanë t’lodhun e s’di qysh ma keq. Besniku ish kanë ma i madhi pej tyne dhe i plagosun e, vallahi, ish kanë shumë keq. Arlinda e plagosne n’kambë. T’gjithë ishin kanë t’plagosun… Kom bujt me ata fmij tri net qaty. T’nesërmen janë ardh do gazetarë e ja kanë lidh kambën asaj dhe ktyne që ishin t’plagosun. Mbas dy nete, kah ora 2 mbas dite u ardh nji ushtar i UÇK-së me uniformë. Thanë asht Afrimi i Hysenve atje poshtë. Ky na kallxoi se janë fmijtë e Deliajve të cilët ishin masakru te “Zabeli i Rrajve”. Ky ju ka folë kadalë fmive, ju ka dhanë do pare t’hekrit për mos m’u tut. E mbaj mend se atë ditë a ardhë edhe Imeri me dy vetë. I ka pa fminë, po nuk i murr me veti. Tha, le t’rrin këtu niherë. Mbas katër dite e katër nete ka ardhë tezja e vet prej Tërdevci me i marrë. Ajo çika e vogël nuk i shkojke. U kapke mbas meje e nuk m’u hiqke… Kam qef me i pa ata fëmijë sa janë rritë! [6]
Rrëfimi i Murat Musliut nga Likoci i Skenderajt
Murat Musliu ka lindur më 24 mars 1958 në Likoc. Lufta e fundit e ka gjetur në detyrën e kryetarit të KMDLNj-së për Skenderaj. Që nga fillimi i luftës është angazhuar në Qendrën Informative të Pavarur, me seli në Likoc. Me themelimin e dy agjencive informative nga Shtabit i Përgjithshëm i UÇK-së, “Kosovapress” dhe “Kosova e lirë”, praktikisht ka kaluar në UÇK, gazetar i këtyre dy agjencive.
Murat, jeni një prej dëshmitarëve të parë që e keni informuar publikun për ngjarjen makabre të masakrës së familjes Deliu.
Po. Masakra e Deliajve ka ndodhur më 26 shtator 1998, pas humbjeve të njëpasnjëshme të forcave serbe në përballje me pjesëtarët e UÇK-së. Ata gjetën rastin dhe nisën ofensivën e shtatorit dhe u hodhën mbi popullatën e pambrojtur civile. Pas hyrjes në Likoc kanë depërtuar edhe në Abri. Gjatë tërheqjes së forcave serbe nga përballja, me humbje të mëdha, janë shkarkuar në familjen Deliu, e cila ka qenë e strehuar në një mal, në anën jugore, afër lagjes Deliu.
Ku keni qenë kur e keni marrë lajmin e parë?
Unë kam qenë me familjen time i strehuar te familja e Shaban Demakut në Tërstenik. Ndërkohë, më 28 shtator 1998, në orët e hershme të mëngjesit, ka ardhur kryefamiljari i familjes Deliu, Imer Deliu dhe më ka informuar se ia kanë vrarë krejt familjen dhe vetëm një vajzë i ka shpëtuar. Vajzën, Diturien, e kishte pasur në duar. Tri ushtaret e UÇK-së: Hamidja, Rahimja dhe Lendita, e kanë marrë nën kujdesje Diturien gjashtëjavëshe. Nuk mund ta besoja një lajm të tillë kur shihja qetësinë e kryefamiljarit. Njeriut me iu vra krejt familja dhe me qenë aq i qetë, vetëm tek ai kam parë. Më ka befasuar qëndrimi dhe qëndresa e tij. E pyeta “Qysh bre, Imer?” Më tha nëse ke mundësi me ardhë me ba incizim a foto se kështu e kështu më ka ndodhur. U ktheva nga jashtë brenda në shtëpi për ta marr aparatin fotografik dhe telefonin e lashë duke u mbushur. Atëherë ishin telefonat me kabull dhe antena. Menjëherë jam nisur për në vendin e ngjarjes me Imerin dhe disa ushtarë që ishin në vëzhgim në Lagjen e Strumcakëve. Kemi kaluar nga Lagjja e “Badërrlakëve” të Abrisë dhe kemi hasur në një tendë najloni ngritur skaj rrugës që lidhte fshatrat Abri dhe Likoc. Nuk e kemi ditur a ka ushtarë serbë apo jo. Në tendën e boshatisur kishte pasur ujë, qumësht dhe ushqim të thatë. Aty kemi depërtuar në Lagjen e Deliajve. Kemi arritur në vendin e ngjarjes dhe kam filluar fotografimin e të gjitha kufomave një për një, secilën veç e veç. Imeri i rrotullonte me duart e veta, unë i fotografoja. Ishte e tmerrshme se si dukeshin të masakruarit! Mbas përfundimit të fotografimeve jam kthyer në bazën ku e kisha telefonin celular dhe ku isha i strehuar, në Lagjen e Demakëve të Tërstenikut, për ta informuar opinion e gjerë.
Si e keni informuar opinionin e gjerë?
Menjëherë e kam marrë në telefon KMDLNj-në. E kam informuar dhe kam raportuar se çfarë ka ndodhur në Abri. I thashë se kam edhe foto të masakrës dhe se do t’jua përcjell më vonë. Pas një ore ka ardhur tek unë Afrim Hysenaj. Më ka informuar se është marrë vesh me Imerin që varrimi të mos bëhej atë ditë, por të nesërmen dhe më luti që mundësisht t’i informoja mediat ndërkombëtare në Prishtinë që të vinin ta bënin incizimin e të masakruarve në vendin e ngjarjes, pa i prekur kufomat. Kështu që masakra të mos futej në dhé pa e parë bota. Me këtë detaj ishte pajtuar edhe Imer Deliu. Unë i kam thënë se do të bëj përpjekje, por është problem i madh se mund të vijë dikush, sepse ishte situatë lufte. Këshilli është shpartalluar dhe nuk është nëpër zyra. E kam thirrur Behxhet Shalën. Më tha se ne nuk mund të bëjmë asgjë, por thirre Qendrën për Informim të LDK-së. Kam marrë në telefon Qendrën për Informim dhe e kam njoftuar dr. Alush Gashin. Edhe ai më tha se ne s’mund të bëjmë asgjë, por ja numri i telefonit të KDOM-it (Vëzhguesve dhe Monitoruesve Ndërkombëtarë në Kosovë) me seli në Fushë-Kosovë. Aty (në KDOM) ka pasur vëzhgues nga të gjitha shtetet, Amerikë, Angli, por ka pasur edhe nga Rusia. E kam marrë numrin dhe i kam thirrë. Më është paraqitur dikush në gjuhën serbe. I kam treguar se çfarë ka ndodhur. Më tha: Prit një moment dhe ma ka dhënë dikën në gjuhë shqipe. E kam informuar në detaje se çfarë ka ndodhur. Më ka pyetur a është e vërtetë? I kam thënë se unë veç sa u ktheva nga vendi i ngjarjes. Më thanë se do të nisemi për në vendin e ngjarjes. Kam dalë, e kam njoftuar Afrimin se i njoftova. A vijnë a s’vijnë nuk e di. Ai u kthye mbrapa në Lagjen Deliu.
Të nesërmen dikush më ka njoftuar (nuk më kujtohet kush) se duhet të dal para orës dhjetë, për t’i pritur vëzhguesit e KDOM-it te Varrezat e Hajdarajve, në hyrje të fshatit Abri e Epërme. Ata kanë ardhur me një automjet të blinduar. Kemi vazhduar deri te Lagjja e Muliqëve. Aty e kanë lënë makinën dhe kemi vazhduar këmbë për në vendin e ngjarjes. Kur kemi arritur në vendngjarje ata kanë filluar të bëjnë fotografimin dhe incizimin e kufomave të masakruara me aparatet e tyre speciale. Gjithë kohën i dëgjoja duke u shprehur: “O my good… o my good…!”, te secila kufomë që arrinin. Ata trishtoheshin çfarë shihnin. Pastaj kanë filluar të vijnë edhe shumë njerëz dhe shumë media ndërkombëtare. Kur njerëzit filluan të lëvizin, si duket forcat serbe e vunë re lëvizjen dhe filluan të granatojnë lagjen dhe malin ku ishin të masakruarit. Ne filluam të tërhiqemi drejt vendit ku kishim lënë makinën. Gjatë tërheqjes na kanë rënë disa granata afër por, për fat, shpëtuam. Disa degë të lisave ranë mbi ne. Duke u gjunjëzuar zumë të iknim drejt një lugshtajë në drejtim të makinës. Ata u frikësuan shumë, e sidomos përkthyesja. U futëm në makinë dhe u larguam. Mbaj mend se përfaqësuesi amerikan, të cilit, fatkeqësisht, ia kam harruar emrin, më ka thënë: “Fotografitë që i bëra sot deri në mbrëmje presidenti Klinton do t’i ketë në tavolinë”. Kur i kam parë në mbrëmje fotografitë dhe incizimet e tyre jam befasuar, sepse ishin shumë të qarta. Fotot e mia nuk kanë mundur të dalin në opinion para të tyre.
Dua ta shtoj edhe një element. Unë kam qëndruar në Tërstenik, në familjen e Shaban Demakut. Kishim informatë se duhet të shkojmë t’i tërheqim kufomat, sepse ishin në dy vendngjarje dhe të shpërndara. Për koincidencë, mësuesin Habib e kam hasur në malet mes lagjeve të Strumcakëve dhe Hysenaj II. Ndoshta ka pasur më pak se dy orë nga koha që ishte vrarë. Ka ardhur dikush, një civil, tani s’më kujtohet emri dhe na ka thënë: “Shkoni nëpër shpija dhe dorëzohuni! Edhe nëse u zënë serbët nuk ju vrasin”. Unë nuk i besova absolutisht, ndërsa te Habibi ka mundur të ketë pasur ndikim fjala e tij.
Ju keni marrë pjesë edhe në ditën kur janë gjetur të masakruara dy vajzat e Hysenit?
Ne, si këshill e kishim informatën se dy vajzat janë të zhdukura dhe po mungojnë. I kishim raportuar si të pagjetura dhe nuk kishim informata a i kanë marrë me vete apo ku janë. Gjatë hulumtimeve në terren, dy ushtarë të UÇK-së, Afrim Hysenaj dhe Ali Strumcaku, i kanë gjetur dy vajzat e masakruara më 5 tetor 1998, në malin mes Likocit dhe Abrisë. Afrimi ka ardhur prapë. Më ka njoftuar dhe kemi shkuar në vendin ku i kishin gjetur. Aty kanë ardhur edhe vëzhguesit dhe gazetarët botërorë, por në numër më të vogël. Vajzat ishin gjysmë të djegura dhe gjysmë të zhveshura. Pastaj e kemi bërë të njëjtin njoftim se si dhe ku i kemi gjetur dy vajzat, Mihanën dhe Antigonën.
Do të shtoje diçka tjetër?
Ajo periudhë ka qenë shumë e rëndë për të gjithë shqiptarët dhe për mua. Jam i lumtur që ka dalë në dritë një masakër e Serbisë, sepse shumë masakra të tjera janë mbuluar me dhé. Efekti i masakrës së Abrisë është se në mbrëmje është mbajtur mbledhje në Kombet e Bashkuara dhe është vendosur që vëzhguesit ndërkombëtarë të futen në Kosovë. Janë tri ngjarje në Kosovë që kanë pasur efektin e madh në botë: Ngjarja e Prekazit, e Abrisë dhe e Reçakut.
Ç’do të shtoje tash pas njëzet vjetëve?
Institucionet vendore kanë dështuar në prezantimin e gjenocidit serb që ka ndodhur në Kosovë. Nuk kanë bërë aq sa duhej bërë. Nuk e kanë prezantuar mjaftueshëm atë se çfarë ka bërë Serbia në Kosovë. Ka edhe plot ngjarje të tjera që në opinion nuk kanë dalë. Kosova dhe institucionet e saj ende s’kanë mundur të dëshmojnë para botës se ç’ka bërë Serbia në Kosovë. Me keqardhje them se jam i zhgënjyer me faktin që s’është bërë më shumë kur ka mundur të bëhet më shumë.[7]
Rrëfimi i Arif Gashanit nga Tërsteniku
Arif Sherif Gashani ka lindur më 10 prill 1953 në Tërstenik të Drenasit. Është martuar në moshën 16-vjeçare. Është babai i Mihanës, përkatësisht gjysh i Valmir Deliut. Mësuesi Arif është veteran i arsimit. Ka diplomuar në vitin 1983. Plot 44 vjet punoi mësimdhënës i lëndës së Gjuhës Shqipe në fshatin e vet të lindjes. Para pak ditësh ka dalë në pension. Bashkudhëtare të jetës e ka znj. Naile, me të cilën i kaluan së bashku 49 vjet. Rrëfimi i tij është krejtësisht i veçantë. Mihanja së bashku me djalin e vet, Valmirin, u masakruan nga kriminelët serbë, më 26 shtator 1998 në Abri të Epërme. Mësues Arifit në luftën e fundit i është vrarë edhe vëllai.
I nderuar mësues, ju kërkoj ndjesë nëse ju ngjall emocionet e dhimbjes mbi ngjarjen e Delijave! Jeni babai i Mihanës dhe gjyshi i Valmirit?
Jam martuar në vitin 1969 me Nailen nga Klina e Skenderajt. Dhe isha vetëm 16-vjeçar. Mihanja qe fëmija i parë. Kur lindi ajo (më 1970) kisha vetëm 17 vjet. Emrin ia ka ngjitur nëna ime, emrin e motrës së vet. Që në fëmijëri është dalluar me zgjuarsi. Një fëmijë i qetë dhe aspak i lazdruar. Ka qenë fëmijë i dhënë pas nënës, bazuar në kohën dhe rrethanat që ishin. Ne prindërit e rinj e kishim vështirë t’i përkëdhelnim fëmijët në atë kohë. Mësuesi i parë i saj ka qenë Idriz Aliu, njëkohësisht Idrizin e kisha edhe shok që nga bankat e ditëve të para të shkollës. E kisha edhe koleg. Rreth 50 vjet kemi qenë bashkëpunëtorë. Mihanja ka qenë në grupin e ngushtë të nxënësve më të mirë. Është marrë edhe me aktivitete të lira në kuadër të shkollës, sidomos me këndim.
Pas përfundimit të shkollës së mesme, për shkak të rrethanave të kohës, nuk arritëm ta regjistronim në fakultet, edhe pse kishte dëshirë të madhe. Meqë nuk shkoi në fakultet, të afërmit e familjes sonë: hallat, motrat e të tjerë, filluan kërkesat e bisedat për fejesën e saj. E fejuam tek familja e Salih Deliut për djalin e tij, Ademin. Për jetën e saj pas martesës, pos kujdesit të burrit të saj, me një përkushtim të madh është përkujdesur edhe Imeri, kunati i saj. Imeri e ka kuptuar se ajo vinte nga një familje e shkolluar dhe pasioni i saj ishin librat. Ajo kishte bibliotekën e vet në familjen time, por edhe në familjen e burrit gjithmonë kishte libra. Pastaj i lindi djali, Valmiri.
Mësues, si e kujtoni Valmirin?
Me lindjen e Valmirit unë dhe bashkëshortja ime, Nailja, për herë të parë u bëmë gjyshër. Midis farefisit dhe gjeneratës sonë u ndiem shumë të privilegjuar. Qe një gëzim i papërshkruar. Ishim shumë krenarë me ardhjen në jetë të Valmirit. Ka qenë një fëmijë shumë simpatik, i dashur dhe i afërt me ne. Pas lindjes së tij unë dhe Nailja mezi prisnim vizitat e vajzës dhe nipit. Na bënin aq të hareshëm sa vështirë ta përshkruaj.
Ju kujtohet takimi i fundit me Mihanën dhe Valmirin?
Ishte vera e vitit 1998 dhe lëvizjet filluan të vështirësoheshin. Takimi i fundit ishte kur ata qenë në Gllobar dhe nga aty dolën në Fushë-Mollë. Edhe ne kemi qenë aty dhe natën e kemi kaluar së bashku para se të niseshin për Abri. Ditën e nesërme herët, me insistim Ademi mori familjen dhe u nis për Abri sepse, sikur po hetohej njëfarë lehtësimi i gjendjes atje. Aty, në Fushë-Mollë, jemi parë dhe jemi ndarë për të fundit herë me Mihanën, Valmirin, Ademin dhe gjithë familjen e tij. Disa shokë të Lagjes Gjokaj nga Tërsteniku më kanë thënë se e kanë parë Ademin teksa shkonte për Abri.
Kur dëgjove për masakrën e familjes Deliu?
Kam qenë në lagjen tonë. Tash atij vendi i themi “Te përmendorja”. E kemi një odë aty. Aty qemë mbledhur me disa kushërinj dhe një prej tyre kishte dëgjuar se ka ndodhur diçka, por hezitoi të më tregonte. Në mbrëmje e kam marrë vesh se ç’ka ndodhur. Atë natë s’i kam treguar bashkëshortes. Ajo më pa që diçka po i fshihja. Më pyeti: “Arif, mos ke dëgjuar diçka e s’po më tregon?” I thashë: “Jo, nuk kam dëgjuar gjë”. Të nesërmen, pasi u mora vesh me vëllanë dhe nënën, i kemi treguar.
Si e përjetuat lajmin?
Vështirë të përshkruhet. Janë 18 netët kur unë dhe Nailja s’kemi vënë gjumë në sy. Jo tetëmbëdhjetë orë, po tetëmbëdhjetë net. Mëngjesi na çelte duke i kujtuar çastet me ta, duke e ngushëlluar njëri-tjetrin. Nailja gjithmonë ka ditur të përmbahet. Ka pasur tragjedi edhe në familjen e vet. Gjatë luftës iu kanë vrarë babai, nëna dhe një çikë e vëllait, 21-vjeçare, studente.
Keni qenë ju në vendngjarjen e masakrës?
Kur kam shkuar unë aty, Zoti më ka ndihmuar, se kur i kam parë dy prej anëtarëve të masakruar, çikën dhe nipin tim… S’di ç’të them veç fuqia e Zotit ish e madhe. Edhe qëndresa e Imerit na ka bërë të gjithëve të ndihemi më lehtë.
Ju ka vizituar ndokush, ndonjë organizatë joqeveritare, institucion apo gazetar për t’ju ofruar ndonjë tretman, qoftë në aspektin mjekësor, qoftë vetëm sa për ta rrëfyer përjetimin si prindër?
Dua thjesht të shpreh një mendim pa dashur të bëj kritikë ndaj askujt. Më habit fakti se kanë kaluar 20 vjet dhe askush nga ndonjë gazetë, a shkrimtar, a punonjës shoqëror nuk na ka vizituar kurrë, së paku për të na pyetur si ndihemi si prindër e gjyshër të Mihanës, Valmir Deliut; si gjyshërit e Jetonit, Menduhijes dhe Diturije Deliut. Kjo masakër e ka tronditur botën dhe gjithë opinionin ndërkombëtar. Me keqardhje e them, po njerëzit e penës, të Drenicës, mua më kanë borxh. E them me keqardhje, se me gjyshin e Valmir Deliut (me fotografinë e të cilit ka hyrë në senatin amerikan Bob Dol), gazetarët dhe njerëzit e shkrimeve të Drenicës nuk e panë të arsyeshme të bënin as edhe një bisedë. Mua më është vrarë edhe vëllai në luftë dhe më ka lënë më keq se Mihanja, po dhimbja për Mihanën dhe Valmirin ka qenë tepër e madhe. Falë Zotit, ne nuk kemi pasur nevojë për ndonjë tretman mjekësor. Sa iu përket institucioneve tona, ato kanë bërë, sipas meje, aq sa kanë ditur të bëjnë.
Vazhdon ende miqësia dhe raportet tuaja me familjen e Imer Deliut?
Unë shkoj shpesh tek Imeri, duke u bazuar në sjelljet tepër fisnike të tij dhe gjithë familjes së tij. E konsideroj dhe e kam tamam mik, pavarësisht që s’e kam vajzën midis të gjallëve. Imeri më viziton edhe më shpesh sesa unë, pavarësisht prej përvjetorëve që rëndom jemi bashkë.[8]
(Vijon në “Epoka e re”)
[1] Rrëfimi i Bashkim Fazli Deliu. Dorëshkrim, nëntor, 2017
[2] Rrëfimi i Elmi Sherif Deliut. Dorëshkrim, dhjetor, 2017
[3] Rrëfimi i Rrahman Ali Deliut nga Abria e Epërme,dhjetor 2017
[4] Rrëfimi i Jetullah Smalj Hasanaj nga Abria e Epërme,dhjetor 2017
[5] Rrëfimi Lokës Shehide Rrustem Hysenaj. Dorëshkrim, nëntor 2017.
[6] Rrëfimi i Znj. Hamide Gashi – Hysenaj. Dorëshkrim, nëntor 2017.
[7] Rrëfimi i Murat Musliut, Kryetar I KMDLNJ – Skenderaj
[8] Rrëfim i mësuesit Arif Gashani. Dorëshkrim, dhjetor 2017.