Rrëfimet e Daut Haradinajt dhe babait të Mujë Krasniqit: Si ndodhi dalja e parë publike e UÇK-së?
Më 28 nëntor të vitit 1997 do të shënohej një prej momenteve më të rëndësishme në historinë e Kosovës.
Në varrimin e mësuesit Halit Geci, Ushtria Çlirimtare e Kosovës do të shfaqej për herë të parë publikisht.
Figurat kryesore të kësaj shfaqje të parë publike ishin Mujë Krasniqi, Rexhep Selimi e Daut Haradinaj.
Në një rrëfim që ka dhënë Daut Haradinaj për Nacionalen ka treguar detaje se si u vendos të dilte publikisht UÇK-ja pikërisht me këtë datë.
“Para se me ardhë te dalja publike e UÇK-së ka pasur dyluftim në Vojnik, familjen e Abedin Rexhës, unë nuk kam marrë pjesë aty, kam qenë në Dukagjin. Ka qenë dakordim në atë kohë që kudo që sulmohet një familje, përgjigja e UÇK-së duhet të jetë në pozicionet më të afërta. Me datë 26 janë hargju municionet, vonë kam shkuar te Lahi Brahimaj, aty kemi biseduar çka ka ndodh në Drenicë. Ata parashikonin një betejë më të zgjeruar, shkova për municion, por kur tha Muja do të ketë përballje të re me forcat serbe, kishte ndodhur zhvillimi i hovshëm në Llaushë, dhe serbët në atë betejë, gjatë tërheqjes kanë gjuajtur në shkollë dhe e kanë vra Halit Gecin”, ka thënë Daut Haradinaj për Nacionalen.
Djali i mësuesit Halit Geci, Lulzimi, përshkroi situatën ku prindi i tij u vra nga forcat serbe teksa po mbante orë mësimore në shkollën e fshatit.
“Baba ka qenë duke dhanë mësim, dhe beteja ka qenë duke u zhvilluar në Rezallë, gjatë disfatës së forcave serbe ata kanë shti në krejt drejtimet, dhe një prej plumbave e ka godit babain i cili ka qenë fatal për babain, dhe është plagosur kolegu i tij Shaban Rreci”, tha djali i mësuesit Geci.
“Mësimdhënësit pa pare kanë punuar, vezë na ka përgatit për mëngjes, fertere nuk kemi pasur, në një pjatë kemi hangër, atë ditë nuk ka hangër hiç, luftimet që kanë qenë atje, hinte e dilte në oborr, e thoshte dikur me hangër plumba dikush bukë nuk shkon”, tha ai.
Pasi morën udhëzimet, Daut Haradinaj ishte nisur për në Drenicë, për ta vendosur mënyrën e varrimit të mësuesit Halit Geci.
“U nisëm rrugës, rreth mëngjesit jemi shkuar në shtëpinë e Sabit Geci, kanë qenë emrat më eminent prej Adem Jasharit, dhe është diskutuar se si do të ndodh varrimi. Me shumë kujdes që mos me pas dëme në civilë se u pritke pjesëmarrje e madhe në varrim. Diskutim e sipër e ka hapur debatin që me dalë publikisht UÇK-ja. Rreth orës 11:00 e kanë dërguar dikënd në familjen e mësuesit që me u dakordu për respekt, me i pyet a mundet UÇK me marrë pjesë”, kujton Daut Haradinaj momentet e asaj dite.
Takimin me ushtarët e UÇK-së e kujton edhe djali i mësuesit Halit Geci.
“Me 27 erdhën Idriz Reci, Selim Reci, kushërinjë të tjerë, na kanë thanë që mësuesin Halit Geci dojmë me varros më 28 nëntor, axha iu tha pasi po doni ju ashtu, Haliti prej sotit është i të gjithëve”, tha ai.
Daut Haradinaj më tutje kujton si ishte shkruar teksti i fjalimit, dhe komunikimin e tij me Rexhep Selimin për çështjen e maskës.
“Rexha bashkë me Ademin, Musë Jasharin e emra të tjerë, e kanë shkruar tekstin, thanë me shku edhe Davidi, unë. Nuk isha i përgatitur. Uniformën nuk e kisha. Emblemën nuk e kisha, veç armatimit, Musë Jashari në atë kohë e ka deshe uniformën e vet, edhe shpejt ma dha. Rexha tha qite maskën, i thashë se kom marrë, Muja e ka hek maskën, i ka vnu niparë syza, edhe unë jam kanë i pari, ka filluar masa me reagu pozitivisht”, tha Daut Haradinaj.
Kujtimet i kishte të freskëta edhe babai i Mujë Krasniqit, Halili.
“Ia nisën me rreh shuplakë, një dhanërr tha këqyre Mujën, i thashë ma mos e përmend Mujën, çfarë Muje. Unë nuk e shihsha, ishim larg. Edhe aty e poshtë kur janë tubuar populli nuk dishim çka u bo, i thashë mos e përmend Mujën. U dok që u bo Kosova e pavarur”,shprehet ai.