RRËFIMET E NËNËS PËR VRASJEN E BABAIT
SALI BEQIRAJ
RRËFIMET E NËNËS PËR VRASJEN E BABAIT
(Baba dha shpirt më 13 maj 1999)
Baba gjithmonë
Zgjohej herët
Ushtarët e gjetën
Duke kositur bar
për qengja
Nëna thotë e kam parë
Kur e kanë çua në kopsht
Më kujtohet
Vetë e ka pas thyer dheun
Dhe për shi
I ka pasë
Mbjellë
Dhjetë trupa mollësh
Dhe një ftua
Para se të biem me fjetë
Natën e fundit
“Hejo”- më tha:
“S’ka shteg vere këtë verë”
“Hejo” ka qenë emri i nënës
dhe i babës
Ata kurrë njëri-tjetrin
Nuk e kanë thirrë
Në emër
Tre ushtarë. Veç tre
E kanë çua në kopsht
“Pse nuk je rrua”, e kishin pasë pyetur
Baba ka qenë natyrë e butë
Dhe ka qeshur
Gjithçka i kam njohur ngapak babës
Qeshjen ia mbaj mend gjithmonë
Gjithmonë kur nuk i pëlqenin pyetjet
Qeshte. Thoshte: ani, ani…
Në ballkon kam qenë, thotë nëna
Kur e kanë vrarë
Baba kish dhjetë fëmijë
Një më pak se kopshtin që e pati mbjellë
Në Rozhajë
Dikush në Shkodër
Tjetri në Tiranë
Unë në Ulqin
Vëllai i vdekur në litar
Tre në mërgim
Dhe asnjëri nuk kemi qenë skaj tij
Kur ka dhënë shpirt
Tërë ditën
I kthyer përmbys
Mbi barin e kositur
Vonë pas mesnate
Dy pleq të strehuar lufte
Në shtëpinë tonë
e kanë varrosur afër dritares
Nga e cila kur ishte gjallë
zgjohej çdo mëngjes dhe shikonte
a është shkrirë bora në bjeshkë
(Kjo poezi është botuar në sprovën për antologji “Dritë mbi plagë”, botuar nga Qendra “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e Hapur”, Gjenevë, 2020. Në ditët në vijim, duke nisur nga 13 nëntori, në gazetën “Epoka e re”, në portalin online të saj dhe në formatin Pdf po të saj, për çdo ditë do të botohen poezitë e autorëve të botuara në këtë përmbledhje)