Rrëfimi i afganes që la punën pas presionit nga militantët talibanë
Një grua e re afgane e ka lënë punën në një qendër për gjuhë të huaja në Kabul, pasi ajo ka thënë se u përball me kërcënime dhe ngacmime nga luftëtarët talibanë, të cilët gjendeshin jashtë ndërtesës ku ajo kishte zyrën.
Mësuesja e gjuhës angleze, që është 24-vjeçare, identiteti i të cilës nuk është bërë publik për shkaqe sigurie, ishte rikthyer në punë javën e kaluar, pasi zyrat u rihapën për herë të parë që prej se talibanët morën kontrollin e kryeqytetit afgan më 15 gusht.
“Isha e ngazëllyer që të shkoja në punë pasi qëndrova në shtëpi për tri javë”.
“Vesha rrobat islamike dhe shkova në punë, por në momentin që arrita atje u përballa me sharje nga luftëtarët talibanë që po qëndronin në hyrje”, ka thënë 24-vjeçarja.
Mësuesja ka thënë se talibanët ishin të armatosur dhe po ruanin ndërtesën komerciale, ku gjenden dhjetëra kompani dhe zyre, në një nga lagjet e populluara në qendër të Kabulit.
“Kur tentova që të hyjë në zyrën time, një prej tyre më pyeti: ‘Ku po shkon?’ i tregova që unë punoj këtu. Ai më tha ‘kush të tha që të vish? Kthehu më shtëpi, shpejt’”,ka thënë ajo për “Radion Evropa e Lirë”.
Mësuesja e gjuhës angleze ka thënë se ajo u shqetësua veçanërisht kur militantët talibanë e quajtën atë “të pafe”.
“Njëri nga ta tha ‘shiko ajo punon në atë vend ku mësojnë gjuhën e të pafeve, prandaj ajo është e pafe’. Po, ata më quajtën të pafe edhe pse unë isha të veshur hixhabim islamik”, ka treguar ajo.
E tmerruar nga komentet e burrave të armatosur, ajo ka vendosur të largohej menjëherë nga puna.
Ngacmime dhe sharje të tjera ajo përjetoi edhe nga luftëtarë të tjerë talibanë të cilët po qëndronin në rrugët në qendër të Kabulit. Teksa ajo ka kaluar pranë tyre, ajo është përballur me pyetjet nga militantët se pse kishte dalë vetë në rrugë.
Në disa provinca, talibanët raportohet se ua kanë ndaluar grave që të dalin nga shtëpia, përveç nëse janë të shoqëruara nga ndonjë i burrë i familjes.
Kërkesa të tilla nuk janë bërë ende publikisht për gratë që jetojnë në Kabul. Por, mësuesja e anglishtes ka thënë se militantët talibanë i thanë: “çfarë dreqin je duke bërë, duke ecur vetëm jashtë?”.
Dy ditë pasi morën kontrollin e Kabulit, talibanët kanë thënë se gratë do të lejoheshin që të ktheheshin në punë “në bazë të normave islamike”. Megjithatë, një zëdhënës i talibanëve ka thënë se gratë, tash për tash, duhet të qëndrojnë në shtëpi pasi sipas tij, luftëtarët talibanë nuk ishin “të trajnuar” që t’i respektonin gratë.
Një vrasës i dyshuar është gjunjëzuar në qendër të stadiumit kombëtar të futbollit në Kabul, pak para se të vritej nga vëllai i viktimës, 13 mars, 1998.
Në qeverinë e përkohshme të talibanëve nuk bën pjesë asnjë grua. Por, zyrtarë të lartë talibanë kanë thënë se punonjëset gra, që kanë punuar në ministri të ndryshme, do të lejohen që të vazhdojnë punën e tyre.
Por, mësuesja e anglishtes, që është detyruar të lë punën, ka thënë se premtimet e talibanëve janë të rreme. Ajo nuk beson se qeveria e talibanëve vërtetë do që gratë të kenë karriera.
“Deklaratat e talibanëve se do t’i lejojnë gratë të punojnë janë thjeshtë gënjeshtra për komunitetin ndërkombëtar, në mënyrë që të pranojnë ndihma. Kur talibanët të marrin atë që duan nga bota e jashtme, do të përfundojnë të gjitha këto”, ka thënë ajo.
Mësuesja ka treguar se edhe tri gra në shoqërinë e saj kishin përjetuar sharje dhe kërcënime të ngjashme nga talibanët, kur ato kishin tentuar që të shkonin në punë. Sipas saj, që të tri këto gra lanë lënë punën për shkak të kërcënimeve.
Duke folur nga Kabuli, mësuesja ka thënë për “Radion Evropa e Lirë” se ajo është “shumë e frikësuar” që të rikthehet në punë.
“Kam qenë punëtore, ndonjëherë kam qëndruar në zyre deri në ora 20:00 ose kam punuar edhe gjatë fundjavave”, ka treguar ajo. “Të gjitha përpjekjet e mia, e gjithë ajo punë e madhe, edukimi im, në fund, nuk vlejnë asgjë”.
Kjo mësuese e gjuhës angleze ka thënë se ka frikë se kurrë nuk do të jetë në gjendje që të punojë ose të ecë lirshëm vetëm në rrugë derisa talibanët të jenë në fuqi në Afganistan.