Rrëfimi i Ahmetit: VV fitoi sepse dola unë, Kurti thoshte se nuk ka shokë
Në rrëfimin për emisioni “Pressing”, kryetari i Prishtinës dhe ish-zyrtari i Vetëvendosjes, Shpend Ahmeti ka folur për raportin që e kishte me Albin Kurtin, kryetarin e VV-së dhe tani kryeministrin e Kosovës.
Ahmeti ka thënë se dalja e tij nga partia e Kurtit, është një prej arsyeve që e ka çuar në fitore të zgjedhjeve Vetëvendosjen, duke thënë se pas aktij të dorëheqjes së tij është krijuar një siguri më e lartë dhe një ndjenjë moskonkurrencës së brendshme.
“Mendoj që një prej arsyeve pse ka fitu tash VV-ja, është që kam dalë unë, sepse e ka çliru edhe Albinin edhe të tjerët prej kësaj tutës që duhet me u krahasu”, ka thënë ai.
Ahmeti ka folur edhe për raportin e tij me Kurtin. Ai ka thënë se përkundër që ishte i afërt me të, Kurti kishte thënë ai nuk ka shokë, por vetëm miq politik.
“Jo, s’mundesh. Albini thotë unë kam vetëm miq politik, nuk kam shokë. Unë nuk e besoj atë punë, por janë disa njerëz si Albini që ia kushtojnë jetën politikës. Domethënë ai ka vendosë moti që tërë jetën ka me u marrë me politikë. Unë nuk e kam vendosë”, ka theksuar Ahmeti.
Sipas tij, problemet lindën pasi që Ahmeti kishte fituar në Prishtinë dhe kishte linduar rivaliteti mes tyre.
“Kemi pasë relacion, po them politik, por megjithatë kemi ndejtë shumë. Mendoj që Albinit iu ka bërë problem prej momentit që kam fitu në Prishtinë, kur ia kanë nis brenda organizatës njerëzit me mendu që ndoshta Shpendi duhet me marrë (Vetëvendosjen). E kam kuptu vonë që kanë mbledhje pa mua, më kanë trajtu si njeri i Amerikës, që kam ardhë me kontratë etj.”, ka theksuar kryetari Ahmeti.