
Rrëfimi i artistes Kaltrinë Zeneli – si u kthye aktorja e dramave në heroinën e një drame të vërtetë
Ishte një nga emrat më të spikatur gjatë vitit 2022 – një aktore me shumë role dramatike, por që dramën e vërtetë e përjetoi në muajin nëntor, kur ngriti zërin mbi një nga ato që shënohet si një prej ngjarjeve më famëkeqe të vitit që lamë pas.
Kaltrinë Zeneli, një vajzë e rritur në rrafshin e Dukagjinit e cila prej vitesh ushtron profesioni ne saj si aktore dhe aktiviste e të drejtave të gruas, u kthye në heroinën e popullit, kur denoncoi publikisht përmes publikimit të një videoje, maltretimin e një të moshuare në një qendër private të të moshuarve në Pejë.
Përkundër kërcënimeve të vazhdueshme e telefonatave pa numër, Kaltrina vazhdoi të qëndronte stoike dhe e palëkundur mbi çështjen që ngriti me zërin e saj, e që në vetëm pak orë u kthye në një prej ngjarjeve që tronditi mbarë opinionin shqiptar dhe jo vetëm.
Sot ajo është një e shpërblyer nga Prokuroria Themelore në Pejë me dekoratë mirënjohjeje për guximin e treguar mbi ngritjen e zërit për këtë çështje, duke u bërë frymëzim i shumë njerëzve të tjerë që të bëjnë denoncime të tilla. Në një intervistë ekskluzive për Telegrafin këtë fillim-vit, aktorja Kaltrinë Zeneli tregon 2022-n e saj “të çmendur”, të cilën e përshkruan si një prej viteve më të rënda që ka përjetuar gjer më sot, shkruan “Telegrafi”.
E quajtur në publik shpesh si “heroina e kohëve moderne”, Kaltrina premton se do të vazhdojë të çojë përpara çdo kauzë të saj në të mirë të vendit dhe komunitetit.