Rrëfimi i burrit të dhunuar nga serbët: Pija ujë tualeti
Kur lufta në Kosovë kishte arritur kulmin e saj në vitin 1999. Një i ri nga një fshat i Kosovës së bashku me gra dhe burra të tjerë u morën dhunshëm nga paramilitarët serbë dhe u dhunuan në një motel.
Shumë prej tyre të rinj dhe të reja u dhunuan seksualisht ndërsa disa prej tyre u vranë. Radio Evropa e Lirë ka intervistuar një nga burrat e dhunuar.
Ai thotë se ka qëndruar pa ushqim për disa javë i mbyllur në bodrumin e ndërtesës.
Ujin e vetëm që kishte për të pirë ishte uji i tualetit që vinte nga katet e mësipërme.
“Ujë kam pirë, nuk mund të them dy herë apo tri herë, por me dhjetëra herë, në bazë të maltretimit që ma bënin. Pastaj, pjesa e lukthit… se jam operuar nga lukthi, u bë për shkak të atyre ujërave dhe se më kishin pas hyrë disa mikrobe dhe është infektuar lukthi. Një pjesë të lukthit ma kanë hequr si dhe një pjesë të zorrës së trashë”, shprehet ai.
Përveç dhunimeve, në të njëjtin vend ndodhën edhe vrasje. “I kam parë me sy, dhe dy persona i kanë mbytur në prezencën time. Atë ditë njërin e kanë goditur në zemër dhe tjetrin pas qafe”, tregon ai.
Selvi Izeti, psikologe thotë se më shumë se 20 vite pas mbarimit të luftës, çështja e dhunës seksuale ndaj burrave vazhdon të mbetet e heshtur dhe e fshehur.
Ajo thotë se në dallim nga gratë, burrat vazhdojnë të mos flasin duke mos kërkuar as trajtim dhe as njohje të statusit.
Tridhjetenjë burra në Kosovë kanë marrë statusin e viktimave të dhunës seksuale që kanë ndodhur gjatë luftës 1998-’99. Shumë të tjerë hezitojnë të flasin.