Rrëfimi i gazetarit Martin Çuni që u torturua në burgjet serbe gjatë okupimit
Gazetari Martin Çuni ishte njëri ndër personat përjetoi torturat çnjerëzore në burgjet serbe gjatë viteve të okupimit serb në Kosovës. Ndërkohë, ai ishte edhe njëri ndër themeluesit e Radios “Kosova e Lirë”, mjeti informues që konsiderohej si zëri i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Ishin vitet e regjimit serb në Kosovë, ato që rëndonin shpatullat e çdo shqiptari që vetëm kërkonte të jetonte i lirë në vendin e vet.
Jeta bëhej çdo ditë më e papërballueshme nën këtë okupim, kur filloi mbyllja e vendeve të punës, shkollave e universiteteve, mediave, ndalimi i çdolloj aktiviteti që përfaqësonte idenë shqiptare dhe vinte në pah historinë e vërtetë të popullit tonë.
Në këto vite kishte edhe persona që kundërshtonin këtë realitet e si përgjigje merrnin burgosjen dhe qëndrimin prapa grilave të pushtetit që me dhunë kishte filluar veprimtarinë.
Në mesin e shqiptarëve që e kishte këtë fat ishte edhe Martin Çuni, i cili kishte tetë vjet përvojë si gazetar në Radio Prishtina, në redaksinë e kulturës, kur u arrestua nga regjimi serb, i cili para se të punonte si gazetar, kishte përvojë katërvjeçare si mësues.
Martin Çuni, në një intervistë për Portalin Dukagjini, ka thënë se pas demostratave të studentëve në vitin 1981, kishte filluar një dhunë e paparë mbi të rinjtë, mbi studentë dhe njerëzit që donin barazi me popujt e tjerë në ish-Jugosllavi. Ai ka thënë se të drejtat kombëtare të shqiptarëve, edhe ashtu të cunguara, tashmë ishin atakuar edhe më keq.
“Për shembull, tërë territori i Sanxhakut ishte me popullsi shqiptare. Pas Luftës së Dytë Botërore, deri në vitin 1948 i kishin shkollat shqipe Tregu i Ri, Sjenica e gjithë Sanxhaku, kur u mbyllën tërësisht në një territor afro sa Kosova, duke i shpallur komb mysliman. Dhe e humbën gjuhën shqipe për një gjysmëshekulli!. Po ashtu, bënë përpjekje edhe në vise të tjera shqiptare. Diku duke themeluar kombin mysliman e diku turk! Në kurriz të shqiptarëve u bënë kombi mysliman, maqedon ( i fshinë shqiptarët orthodoks) edhe turk! Shembull, popullsia e Maqedonisë një pjesë ishte bullgare, pjesa më e madhe shqiptare me besim orthodoks edhe islam e katolike! Në Mal të Zi u veprua po ashtu! Ne donim barazi ose bashkim kombëtar… Unë si edhe shumë të rinj e inteligjencia shqiptare atëherë, reaguan në forma të ndryshme paqësore. Po edhe me organizime ilegale të grupeve e celulave, për të realizuar të drejtat tona legjitime”, ka thënë Çuni.
Çuni ka thënë se akuza kundër tij ishte “veprimtari armiqësore kundër Jugosllavisë, për prishjen e rendit kushtetues”. Ai akuzohej për pjesëmarrje në punën e grupit armiqësor e sidomos për përkrahjen e kërkesës për republikë, si dhe për një letër dërguar kryeredaktorit të “Borbës” (atëherë gazeta kryesore jugosllave), Marko Loliqit.
Gazetari ka thënë tutje se në këtë letër kryeredaktori Loliq kishte shkruar vetëm gënjeshtra për shqiptarët, duke i dhënë dimensione armiqësore.
Çuni ka shtuar se së bashku me gazetarin, Tahir Geci, akuzoheshin se i kanë bërë statutin dhe dokumentet e organizatës PKSHMLJ.
“Kuptohet se nuk pranova atë asnjëherë edhe pas torturave më të ashpra, sepse nuk ishte e vërtetë. Por, se e drejta e popullit tonë për të qenë i barabartë me të tjerët e përkraha pa hezituar edhe para gjyqit, duke ua thënë troç si edhe në deklaratat e mia më parë gjatë hetimeve!”, ka shtuar ai.
Rrëfimi për prerjen e grilave në dritaren e burgut
Çuni ishte i dënuar me tetë vjet burg, por para se të përfundonte dënimin, por me studentin e burgosur, Muhamer Shabani, e kishin bërë një thyerje të burgut të Prishtinës, veprim që i “kushtoi” gazetarit edhe me një vit burgim.
Ai dhe Shabani i kishin prerë hekurat e grilave në dritare, dhe sipas tij, kjo ishte hera e parë që ishte thyer burgu hetues në Prishtinë.
“I mbajta të gjitha. Ishte hera e parë që ishte thyer burgu hetues në Prishtinë, duke i prerë hekurat e grilave në dritare dhe duke dalë në kulm të tij. Muhameri arriti të lëshohej, duke rënë me konop, iu këput konopi, ndërsa unë mbeta në kulm atij ia bëra me shenjë që të largohet… Shtatë muaj kishim bërë duke i prerë hekurat, jo çdo natë, por natën dhe kur binte shi e olluqet bënin zhurmë. Karakollin e gardianit e kemi pasur tetë metra larg nga dritarja jonë!”, ka shtuar gazetari Martin Çuni.
Mes tjerash, ai ka rrëfyer se trajtimi në hetime ishte jonjerëzor, ku ka pasur raste edhe vdekjeje nga torturat, raste çmendjeje, raste gjymtimi të përhershëm e të tjerë. Sipas tij, në fillim torturat ishin të shpeshta, por pastaj ato ishin më të rralla.
“Unë personalisht torturën e fundit në burg e kam pasur në vitin e shtatë të burgut. Dy vitet e para në burgjet hetuese në Shkup dhe në Prishtinë kam pasur tortura intensive. Së pari për veprën dhe organizatën, pastaj për thyerjen e burgut të Prishtinës, me Muhamer Shabanin”, ka shtuar tutje ai.
Gazetari ka treguar se qendrën e SUP-it të Republikës së Maqedonisë ka pasur çdo ditë tortura në Qendrën e SUP-it të Republikës së Maqedonisë.
“Çdo ditë tortura, pra gjatë tërë ditës, në pauzën e drekës jo. Pastaj gjatë tërë natës, në këmbë në një qoshe i dërmuar… Tash merreni me mend tërë natën në këmbë! Kam dëgjuar se njeriu mund të flejë edhe në këmbë, kurrë nuk e kam besuar! Por aty e kam provuar vetë! Kur më zinte gjumi i rëndë rrëzohesha , dy milicë sllavomaqedonë që rrinin pranë derës së hapur, vinin e më çonin me shqelma”, ka theksuar ai.
Ai ka vijuar se dy vjet burgim i kishte mbajtur në Prishtinë, tri vjet në Prokupje, afro katër vjet në Shtëpinë Ndëshkuese në Nish, këtë të fundit e cilësoi si burg famëkeq që nga koha osmane.
“Edhe në Prokupje dhe në Nish në izolim shëtitja rreth 15 minuta, shpeshherë hiç! Kur ndodhi Çernobili, ditëve me shi na linin me orë përjashta, ndoshta kontaminohemi nga shiu i kontaminuar me atom. Tërë Europa kishin kujdes e bënin apel që të ruheshin njerëzit!!! Vetëm pesë-gjashtë muajt e fundit i kam bërë në ekonominë e burgut jashtë mureve të tij. Disa e përballonin vështirë burgun, sidomos hetimet. Tre të burgosur i kam shpëtuar nga vetëvrasja, njëri prej tyre ka qenë serb i rrethinës së Prokupjes, një i ri i burgosur për hajni”.
Figurat publike që vuajtën dënimin
Në mesin e të burgosurve kishte edhe figura publike. Në mesin e tyre ishin: gazetari shumëvjeçar i “Rilindjes”, Tahir Geci, atëherë shef për mjetet e informimit të Kosovës në Komitetin Krahinor, prof. Ragip Reçica, sekretar krahinor për sport e kulturë e të tjerë.
Çuni ka deklaruar se kishte edhe intelektualë të njohur e profesorë si prof. Zenun Gjocaj, prof. Ahmet Qeriqi, prof. Meriman Braha e gazetari Hamëz Morina.
“Pastaj janë dënuar Ukshin Hoti e shumë intelektualë të tjerë, deri në luftë kur u dënua Flora Brovina… Në periudhën dhjetëvjeçare ka qenë në burg rreth 300 mijë shqiptarë, çka i bie çdo i treti ka qenë në burg nga tre ditë deri në 20 vjet burg! Kanë qenë të dënuar rreth 200 gazetarë!”, ka potencuar gazetari.
Themelimi i Radios “Kosova e Lirë” në rrethana lufte, rreziqet dhe vështirësitë
Një ashtu, Çuni ishte një ndër themeluesit e Radios “Kosova e Lirë”, i cili ka treguar se Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së kishte siguruar falas komplet teknikën për radio nga ndërmarrësi, Ismet Bexheti.
Teknika kishte ardhur përmes kanaleve të njëpasnjëshme të UÇK-së, qysh në muajin gusht të vitit 1998, gjersa përgatitjet kishin filluar nga ekipi i profesionistëve duke përfshirë prof. Ahmet Qeriqi, gazetar Berat Luzha, personalitetet nga Prishtina Ilmi Ramadani e Fatmir Xhelili e të tjerë. Vendi ku bëheshin përgatitjet ishte në shtëpinë e Ahmet Qeriqit.
Gazetari ka rrëfyer se të mbledhësh informacione në luftë, me uniformën e ushtrisë dhe me pajisjet e ushtarit nuk ishte aspak e lehtë, por jo e parealizueshme sepse asgjë nuk ishte e lehtë në një luftë të pabarabartë dhe çnjerëzore.
Mes të tjerash, ai ka treguar se kanë pasur edhe reporterë të tjerë në terren nëpër të gjitha zonat ushtarake të UÇK-së si Zekë Sinani – Dukagjin, Tahir Desku – Drenicë, Habib Zogaj – Malishevë, Fetnete Ramosaj – Dukagjin, Ismet Sopi – Llapushnik, Sabit Gashi – Drenicë, e të tjerë.
“Unë si edhe të gjithë të tjerët lëvizjet i kemi bërë në këmbë. Gjatë luftës, dy herë kam rënë në mina, pra në vende të minuara. Një herë duke hyrë në Kosovë në Malin Pashtrik, ku u dëmtua një kalë, ishte transport i armëve dhe i municionit për luftën nga Shqipëria. Në atë kolonë me ne ishte edhe komandanti Tahir Sinani, Pal Pal-Uca ( të dy të rënë në Altarin e Atdheut ) e ushtarë të tjerë me kolonën e transportit me kuaj. Herën e dytë kam rënë në mina me grupin e ushtarëve në mes të fshatit Negroc dhe Gjergjec të Drenicës. Aty u vra një dhe u plagosën tetë ushtarë. Katër nga të cilët nuk mundnin të ecnin me këmbët e veta dhe është dashur të barten me batanije, nga katër veta një person. Është dashur të barten deri në Tërdec ku ishte spitali ushtarak. I bëmë disa orë natën nëpër ato male rrugë pa rrugë, sepse nuk u kthyem të njëjtit marshim. Nuk dinim ku janë vendosur pozicionet serbe, ishte ofansivë në ato ditë. Atë ditë gjithsej kam ecur rreth 22 orë, me pauza të shkurta. Kur kishte ofanzivë, natyrisht ishte edhe më vështirë! Ajo ditë dhe kalimi i Pashtrikut nga Kruma deri në Tërdec afër Drenasit, ishin rrugëtimet e mia më të gjata, e pra gadi dy ditë, duke kaluar nëpër Rogovë, Pagarushë, Malishevë… Rrugën Rogovë Tërdec e kemi kaluar me traktorë, Kuajt i lamë në Kushnin, rrëzë Pashtrikut. Gjithnjë isha me pajisjet e ushtarit dhe të reporterit në shpinë”.
Mes të tjerash, ai është shprehur se në fillimin e bombardimeve të NATO-s, intensiteti i sulmeve në Berishë ishte intensifikuar ende më shumë. Gjatë tërë ditës kishte raketime, granatime me minahedhës e armë të rënda.
Dukagjini: Cilat ishin sfidat më të mëdha profesionale?
Çuni: Sfida!? Asgjë nuk kishte pa sfida! Depërtimi pranë pikave të armikut në të gjitha anët. Edhe nga Malisheva, po edhe nga Drenica. Isha në Prekazin legjandar. Isha deri në Vaganicë të Mitrovicës, Tunelet e Klinës, Zatriç e Mirushë, Qyqavisë deri afër Obiliqit… Qyteteve të Drenicës: Skenderaj, rrethinë e Drenasit – Likoc, Gradicë, Llaushë. Për Malet e Berishës e rrethinë mos të flasim. Kam udhëtuar natën e ditën me shokë por edhe vetë jam orientuar me anë të horizontit! Për mua sfida më e madhe profesionale ishte kur mbetesha pa film e pa shirit magnetofoni e më e keqja pa bateri!.
Dukagjini: Në një intervistë keni treguar se jeni një ndër themeluesit e kësaj radioje. Në cilin qytet vepronte Radio “Kosova e Lirë”, dhe cilat ishin kushtet e punës?
Çuni: Po bashkë me profesor Ahmet Qeriqin, Nezir Myrtajn, Berat Luzhën, Nusret Pllanën, Qemal Aliun, Rizah Berishën, Habib Zogajn, Ismet Sopin, Isa Krasniqin, kemi qenë themelues të radios dhe të agjencisë së lajmeve “Kosovapres” të UÇK-së. Kjo u bë me vendimin dhe urdhrin e Shtabit të Përgjithshëm (ShB). Pra ishte drejtori informative e ShP të UÇK-së. Qyteti ynë ka qenë në maje të Bjeshkëve të Berishës, ndërsa bunkerin e kemi ndërtuar, pas bombardimit që na bënë serbët me aeroplanë “Mig 29” me bomba kasetë, të ndaluara me norma ndërkombëtare të OKB-së, në maje të Malit Pallanik. Së pari, ishim të vendosur si redaksi në odën e Asllan, Rizah e Milaim Berishës, pra pinjoll të Tahir Berishës, pleqnar e mendimtar i madh shqiptar i Drenicës dhe Kosovës.
Me fillimin e bombardimeve të NATO-s, intensiteti i sulmeve në Berishë u forcua edhe më shumë. Raketime, granatime me minahedhës e armë të rënda kishte tërë ditën. Që nga fillimi i transmetimin e bënim larg vendbanimeve sepse e bëmë radio mobile. Lëviznim thuaja çdo ditë, pra nuk emetonim program nga i njëjti vend, por nëpër pika të ndryshme majave të atyre maleve. Për çdo ditë e montonim dhe e çmontonim teknikë. Energjinë elektrike e siguronim me një agregat të rrymës. Vetëm pas bombardimit me dy aeroplanë në të njëjtën kohë të dy lagjet e ndërtuam bunkerin në Maje Pallanikut e nuk lëvizëm më. Raketa na ka ra afër por nuk ka arritur të na godasë!
Radioja kishte valë që shkonin deri në 150 kilometra largësi! Radio “Kosova e Lirë” gjatë bombardimeve të NATO-s është e vetmja radio që ka funksionuar me program, kuptohet të kufizuar me kohëzgjatje. Antenat e radios dhe të televizionit. Ne i kemi pasur aleat dhe nuk na kanë bombarduar, aviacioni i Serbisë po, por pa sukses, nuk arritën të na godasin edhe se na bënë dëme në njerëz. Ata vranë një djalë hasreti, Fidan Berishën dhe tetë veta i plagosën në fshatin Berishë. Këtë fshat e kanë atakuar edhe ushtria serbe me këmbësori e me mjete të blinduara disa herë, por ushtria jonë qëndroi burrërisht. Për shembull te Guri i Gradinës ushtarët serbë nuk kanë arritur t`i tërheqin as kufomat e veta. Kanë ikur dhe i kanë lënë “zdërvajë”. Ushtarët tanë është dashur që t`i varrosin. Brigada 121 e ZO të Pashtrikut në krye me komandant Fatmir Limën u mbrojtën me sukses. U dalluan Komandantët Tahir Sinani, komandant Guri e të tjerë. Më përpara kishte rënë komandanti i zonës, Ismet Jashari – Kumanova te Carraleva…Këto male u mbrojtën me guxim të pashoq.
Në Kleçkë ishte selia e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së. Me një fjalë kushtet e punës si në luftë ma. Punë heroike kanë bërë edhe nënat e motrat e Drenicës, Llapit-Gallapit, Dukagjinit e Kosovës gjithandej, si edhe nënat e motrat e fshatit Berishë, të cilat janë përkujdesur për përgatitjen e ushqimeve për çdo ditë në shtëpi të tyre po pastaj edhe te bunkeri në malin e Pallatit të Nikut, ose te Palla e Nikut!.
Dukagjini: Gjatë asaj kohe a ishit të rrezikuar nga policia dhe ushtria serbe, cilat ishin momentet kyçe që ju shtynë të punonit edhe në këso rrethanash?
Çuni: Ishte i rrezikuar çdokush nga policia dhe ushtria më çnjerëzore e kohës. Gratë fëmijët, pleqtë. Ishte i rrezikuar çdokush edhe ne po se po. Serbët i përdorën të gjitha metodat më të ulëta e të ndyra të dhunës mbi popullsinë civile. Ata ishin fuçia e katërt ushtarake në Europë, ndërsa ne një ushtri guerile! Tepër e pabarabartë! Ata kishin armatimin më të sofistikuar që e kishte edhe Rusia e Europa, ndërsa ne me armatim këmbësorie të lehtë. Ata armatimin e bartnin me trena, ne me kuaj, traktorë e me shpinë. Ata praktikonin edhe metoda pa presedan lufte, të ndaluara me norma ndërkombëtare të OKB-së: si dhunën seksuale si mjet lufte të cilën e kishte përdorur edhe Stalini kundër gjermanëve, në Luftën e Dytë Botërore, gjë që as nazistët nuk e kishin bërë. Bënë gjenocid e përzënien e një milionë shqiptarëve nga trojet e tyre mijëravjeçare, djegie, kidnapime, zhdukje të kufomave… U vranë e masakruan 1392 fëmijë…
Motivet kyçe ishin:
Lufta për liri;
Informimi i popullsisë dhe i ushtrisë nga burime të vërteta e të sigurta;
Propagandë kundër armikut të përbetuar;
Çfarë rëndësie kishte kjo po jua them shkurt, me disa fjali.
E para: Një radio pa territor të lirë nuk mund të ekziston sepse zbulohet shpejt e lehtë dhe asgjësohet nga armiku.
E dyta: Kjo do të thotë se ne kishim territore të lira, sepse ishte fakt përpara botës. Kot serbët deklaronin se nuk ka territor të lirë UÇK-ja, bota e dinte.
E treta: Informimi i popullsisë dhe i ushtrisë për të gjitha ngjarjet e rëndësishme nga terreni, por edhe i atij ndërkombëtar, për bëmat e armikut vandal e të pashpirt!
E katërta: Lufta e ushtrisë sonë ishte e pastër dhe e drejtë për liri. Nuk kishte asnjë rast vrasjeje të një fëmije, të një gruaje a të një plaku serb.
E pesta: Vizitat e reporterëve tanë dhe intervistat me popullsinë dhe me ushtrinë e me komandantët…
E gjashta: Ajo që na shtyni të punonim ishte vullneti dhe sakrifica e djemve dhe vajzave më të mira të kombit tonë për liri.
E shtata: Tek e fundit ishim pjesë e pandashme e asaj ushtrie dhe strukturë e saj.
E asaj ushtrie që u themelua dhe hodhi shtat me legjendarët e familjes Jashari të Prekazit, Ademit e Hamzës, një madhështi kombëtare, gur themel i shtetit tonë të ri.
Po edhe sakrifica e shumë dëshmorëve e martirëve që dhanë shqiptarët për lirinë që paguam shumë shtrenjtë. Është fitorja më e madhe pas çlirimit të Shqipërisë së cunguar.
Shtabi i asaj ushtrie, së cilës së fundi në krye me Azem Sylën dhe me komandantët e tjerë nëpër zona në Dukagjin, në Drenicë, në Llap e Gallap, Neredime, Pashtrik, Kaçanik, Shalë e Pashtrik; me ndihmën kolosale të SHBA-ve dhe aleatëve të NATO-s, Angli, Francë, Gjermani e të tjera e pamë me faqe të bardhë lirinë.
Dukagjini: A është rrezikuar ndonjëherë puna juaj nga serbët në Radion “Kosova e Lirë”, dhe nëse po si i tejkalonit këto situata?
Çuni: Si nuk është rrezikuar!? Ata kanë pasur arsenalin e madh ushtarak, me gamën e gjerë deri tek aviacioni, nga granatat e armëve të rënda e raketat deri te aeroplanët. Ushtria jonë armatimin më të fuqishëm e kishte moralin, sepse ishin në vendin tonë, pra luftonin për lirin e vendit dhe të popullit tonë… Ne si radio kemi përdorur taktikë mobile, duke lëvizur atyre majave të bjeshkëve.
Heroizmi i ushtrisë dhe i popullit tonë ishte madh…Bota e pa dhe intervenoi me të drejtë dhe me shumë sukses. U arrit fitorja më e madhe pas luftës së Skënderbeut dhe pas çlirimit të Shqipërisë së cunguar në vitin 1912. Gjaku i derdhur për liri u shpërblye dhe u shpagua.
Rrezikimi më i madh i Radios “Kosova e Lirë”, u bë më 27 mars1999, kur na bombarduan me dy aeroplanë “Mig” 29 rus.
Dukagjini: Çfarë vlerësimi i jepni medias nga periudha e pasluftës deri me tash?
Çuni: Po qe besa, thotë një fjalë popullore “dikujt jepja lirinë dhe e sheh sa vlen e çfarë peshe ka”. Mediat publike u lëshuan në dy gjunjët. Iu shit gjysma e pasurisë! Gjë që nuk vepruan në asnjë qendër të tillë në kryeqytetet e republikave të ish Jugosllavisë pas shpartallimit të asaj kreature lubi. “Rilindja” si shtëpi botuese u shkatërrua total me gazeta e çka pat… Po, interesat meskine, por edhe interesat e atyre që menagjuan këto, UNMIK-u e europianët i bënë paçavura.
Atë fillim, për gjashtë muaj e kam përjetuar edhe vetë si udhëheqës i bordit për themelimin e RTK-së ( atë kohëzgjatje punova pa kurrfarë pagese, ndërsa edhe gazetari më i ri kishte rreth 1000 DM rrogë). Pas gjashtë muajve dhashë dorëheqje sepse nuk u pajtova dhe as që dhashë nënshkrim diku, sidomos për tjetërsimin e pasurisë së RTP-së, pra gjegjësisht RTK-së.