Rrëfimi i Gërvallës: Daçiqi si rrugaç, bërtiste me fjalë të pista në Këshillin e Sigurimit të OKB-së (video)
Donika Gërvalla, ministre e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, ka rrëfyer për përplasjen e saj me Ivica Daçiqin, ministër i Punëve të Jashtme i Serbisë, në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.
E ftuar në emisionin “DPT te Fidan Jupolli”, Gërvalla ka treguar se Daçiqi e ka ofenduar me fjalë të pista. Madje, ajo e ka quajtur Daçiqin “rrugaç”.
“Pas asaj situate që patëm në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, mund të imagjinoni është arena më e rëndësishme ndërkombëtare. Je në Këshillin e Sigurimit të OKB-së dhe aty në atë situatë, ndërkohë që unë debatoja me Daçiqin, ai më bërtiste nga ana me fjalë të pista. Unë flisja para gjithë Këshillit të Sigurimit, ai si një rrugaç që është më hidhte fjalë të pista, gjithçka. Mirëpo unë kisha shkuar të kryeja detyrën time”, ka thënë Gërvalla.