Rrëfimi i gruas së cilës iu refuzua katër herë aplikimi për statusin e viktimës së luftës
Gjatë rrëfimit se si iu refuzua aplikimi për statusin e viktimës së luftës, e mbijetuara e masakrës së Abrisë, Liridona Deliu në emisionin Kallxo tregoi se familjarëve të saj iu kërkuan edhe para për të fituar këtë status.
Deliu tregon se ndonëse katër herë ka aplikuar për këtë status, katër herë iu refuzua aplikimi.
Megjithë refuzimin e aplikimit, ajo thotë se me vëllain, motrën e djalin e xhaxhait si të vetmit të mbijetuar, refuzuan të japin para për të fituar statusin, ndonëse iu kërkuan shifra të mëdha parash.
Ajo tregon se ndonëse asaj dhe vëllait Besnikut e djalit të xhaxhait Albertit i është refuzuar statusi, motrës së saj Arlindës i është njohur statusi.
“Gjatë kohës që kemi qenë në proces të letrave, një njeri individual na ka lyp pare për me i ba letrat. 20 mijë euro na i ka kërku në fillim e gradualisht ka ra në 6 mijë euro por ne nuk kemi pranu në atë mënyrë. Qysh ne me pare me e ble statusin që na takon? Për këtë arsye s’kemi pranu”- rrëfeu Liridona Deliu.
Tutje Liridona tregon se paratë iu kërkuan vëllait të saj Besnikut, teksa thotë se emrin e personit që ka kërkuar para nuk e di.
Në emisionin #KallxoPërnime, Liridona Deliu ka treguar se statusin e viktimës së luftës ia refuzuan Shqipe Krasniqi, Mehdi Thaçi dhe Bukurije Krasniqi.
Liridona thotë se luftën për fitimin e statusit nuk po e bën për çështjen e financave.
“Nuk është për 130 euro apo sado që është sepse nuk e di sa është. Unë e kam mbijetu masakrën dhe të gjithë e dijnë masakrën që ka ndodhur, po dua me e marr statusin që më takon. Nuk e di sa është pagesa mujore por po dua me e marr të drejtën time që më takon”- thotë Liridona Deliu.
Më 26 shtator të vitit 1998 u masakruan 23 anëtarë të familjes Deliu, përfshirë gra, fëmijë dhe pleq, prej gjashtë muaj deri në 94 vjeç.
Vlerësimin për shkallën e invaliditetit të invalidëve civil të luftës e bën Komisioni Mjekësor i Shkallës së parë (të cilët janë të intervistuar në fund të emisionit), dhe të dytë i cili vepron dhe punon në kuadër të Ministrisë, të cilët janë të intervistuar në fund të emisionit.
#KallxoPernime ka dërguar pytje te Shqipe Krasniqi, Bukurie Krasniqi dhe Mehdi Thaqi, që i kanë nënshkruar tri vendimet për refuzim, por deri në momentin e publikimit të këtij emisioni nuk kemi pranuar përgjigjje nga ta.