Rrëfimi i infermieres së Infektives që nuk e ka takuar familjen që 3 muaj
Ditën Ndërkombëtare e Infermierëve – 12 maji – i zuri infermierët në punë, duke luftuar me pandeminë Covid-19.
Arbërore Mërlaku, e cila është infermiere në Klinikën Infektive në QKUK tash e pesë vjet, ka treguar se sa e vështirë ka qenë të punojë këto ditë duke qenë në vijën e parë të luftës me koronavirusin.
“Roli i infermierit vlerësohet lart në sistemin shëndetësor sepse ka për qëllim ta mbrojë shëndetin, ta kryejë punën me nder, humanizëm dhe profesionalizëm. Ka qenë vështirë për shkak se bagazhi i punës gjatë kësaj kohe ka qenë jashtëzakonisht i madh. Dua t’i falënderoj vullnetarët dhe infermierët e klinikave të tjera që janë bashkangjitur për mposhtjen e këtij virusi”, ka deklaruar ajo në Klan Kosova.
Infermierja e Klinikës Infektive ka rrëfyer në Edicionin Special në Klan Kosova se nuk e ka takuar familjen tash e tre muaj për shkak të frikës se mund t’i rrezikojë ata. “I kam marrë të gjitha masat, kam qenë në vetizolim. Që tre muaj nuk e kam takuar familjen – që nga shfaqja e rastit të parë me virus në Kosovë – për shkak që kam dashur ta shmang familjen, farefisin dhe miqtë që të mos përcjell ndonjë rrezik të mundshëm te ta”, ka treguar ajo, dhe ka bërë me dije se puna në Klinikën Infektive ka vazhduar me orarin e rregullt 12-orësh. “Kemi punuar me orar të rregullt, që është 12 orë punë, për shkak se më shumë orë do të ishte më shumë lodhje për shkak të volumit të madh të punës, më shumë rrezik dhe stres. Kemi vazhduar me orarin e rregullt, 12 orë ditën dhe 12 orë në ndërrimin e natës”, ka pohuar ajo.
Mërlaku ka thënë se profesioni që ajo ushtron nuk vlerësohet sa duhet në Kosovë.
“Profesioni i infermierit është i diskriminuar duke filluar nga nivelizimi i pagave, pastaj jemi të diskriminuar që 20 vjet edhe për koeficientin apo shkollimin që ne e kemi superior apo përvojën e punës. Nuk është luftuar mjaftueshëm për ne infermierët që të arrijmë nivelizimin e duhur të koeficientit. Ne infermierët jemi shtylla në sektorin shëndetësor dhe nuk e kemi merituar nivelizimin e pagave që e kemi”, ka thënë ajo.