Rrëfimi i Mentor Zhdrellës: Nga vendimi për t’u pensionuar deri tek ofertat për trajner
Ylli që shndriti për shumë vjet në futbollin e Kosovës para pak ditësh vendosi t’i “var këpucët”. Mentor Zhdrella përfundimisht u pensionua si futbollist në moshën 32-vjeçare.
Me lot në sy, e me shumë krenari mbi supe, katër herë futbollisti më i mirë në Kosovë i dha fund karrierës si futbollist gjatë ndeshjes Llapi – Trepça ‘89 ku futbollistët e dy skuadrave i bën edhe kordonin e nderit në shenjë respekti për karrierën e bujshme.
Se si erdhi deri te vendimi për t’u pensionuar dhe shumëçka tjetër, Zhdrella tregoi në një intervistë për Lajmi.net. Mesfushori i mirënjohur tregoi se cila ishte arsyeja që e detyroi të merrte vendimin.
“Vendimin për t’u pensionuar si futbollist e kam marrë pas problemeve të shpeshta kohëve të fundit me lëndime. Erdhi një moment kur e kam pasur të vështirë t’i përballojë duke i ditur edhe kushtet në Kosovë. Kjo ishte arsyeja që vendosa t’i jepja fund karrierës si futbollist”, u shpreh fillimisht Zhdrella për Lajmi.
32-vjeçari gjatë rrugëtimit të tij disavjeçar ka bërë karrierë në disa prej top klubeve kosovare dhe jo vetëm. Megjithatë, ai thotë se te një klub, që tanimë është shuar, ka pasur formën më të mirë.
“Kam fituar gjithçka që mund të fitohet në futbollin e Kosovës. Mendoj që kam kalu mirë në secilin klub ku kam luajtur. Megjithatë formën më të mirë në karrierën time e kam pasur në kohën sa ishte pjesë e Hysit (klubi që është shuar vite më parë)”, vazhdoi ai.
Në karrierë Zhdrella tha se nuk i ka mbetur asgjë peng, madje shtoi se e ka të vështirë të zgjedh se cili gol peshon më shumë në karrierën e tij. “Në karrierën time nuk ka diçka që më ka mbetur peng. Jam i kënaqur në përgjithësi me të gjitha ato që kam dhënë për futbollin. Ka shumë gola vendimtar që kam realizuar, e kam të vështirë të zgjedh ndonjë prej tyre”, theksoi Zhdrella.
Natyrisht se në klubet që ka bërë karrierë ai ka shijuar nga afër edhe përkrahjen e tifozëve.
“Secila tifozeri është e mirë në formën e vet. Vetëm varet nga organizimi i tyre. Tek e fundit futbolli luhet për ta që ta kenë kënaqësinë duke e pa ekipin e tyre duke përformuar mirë”, pohoi ai.
Për fund, ai theksoi se ka marrë edhe oferta për t’u bërë trajner. “Kam oferta për trajner të them të drejtën. Megjithatë, nuk do të nxitojë. Jam duke pushuar një herë e pastaj do ta shohim si do të rrjedhin gjërat”, tha për fund Mentor Zhdrella.