Rrëfimi i Mujë Prekupit që ka qenë në burg me Ukshin Hotin, serbët i thanë: Ti po don mu bo president a?
Në emsionin “Përtej Tregimit” me Valentina Ahmetin në Kanal10, njeriu i afërt në burg me Ukshin Hotin, Mujë Prekupi, ka ndarë rrëfimin e tij rreth përjetimit në burgje.
Ai ka vazhduar rrëfimin e tij duke treguar për transferet që i janë bërë atij dhe shokëve të tij në burgjet e ndryshme.
Me fillimin e bombardimeve të NATO-së, prej Mitrovicës së Sremit na kanë kthy nja dy netë në Burgun e Nishit, maltretimet kanë qenë në ekstrem, në ekstrem, mas dy neteve na kanë kthy në Burgun e Dubravës, e qysh e dini, se me data kam pak problem, dy ditë para se me na kthy në Burgun e Lipjanit ku ka ndodhur edhe masakra”, ka thënë ai.
Më tej, ai ka treguar se si është takuar me Ukshin Hotin, të cilin e ka njohur edhe më parë.
“Në burg e kam takuar edhe profesorin Ukshin, po me profesorin Ukshin jam njoftë edhe ma herët sepse ka qenë shok dhe bashkëveprimtar me fqinjun tim Shemsi Neqicën, edhe sa herë ka ardh tek Shemsiu unë jam taku, jam njoftë, plus profesori Ukshin në burg ka qenë i zgjedhur kryetari i Unikombit”, ka thënë ai.
Më tej, ai ka thënë se Hoti ka qenë në burg me disa kriminela nga Serbia dhe më pas e kanë dërguar me shqiptarët.
“Profesorin Ukshin Hoti e kam takuar për herë të parë natën që fillonin bombardimet, profesori kish qenë me të burgosur serbë, kriminelë të burgosur për vepra të ndryshme, edhe atë natë para se me fillu i kanë thanë merri teshat edhe shko te ata tutë, ndodh çka ndodh le të ndodh me krejt me juve, edhe kur ka ardh unë veç jam njoft me profesorin, afër e kam pasë, çdo mbramje kam nejtë e kam bisedu me të”, ka thënë ai më tej.
Tutje, ai ka treguar për maltretimet që serbët ia kanë bërë Hotit.
“I thanë ti po don mu bo President a?, ai jo jo jo president Rogova osht. Ishte koha e mbajtjes së zgjdhjeve, ju e dini çfarë zgjedhje kemi mbajte unë nuk e di se në burg kam qenë”, ka thënë ai.
Ai ka thënë se Hoti është sulmuar me mjete të rënda para syve të shokëve të tij.
“Me rrahje, me shufra elektrike, para syve tanë aty”, ka thënë ai.