Rrëfimi i shqiptarit: Si shkova në Angli me gomone
Britania e Madhe është tronditur muajt e fundit nga fluksi i emigrantëve shqiptarë që ende vazhdon. Rruga tani nuk është më me tren, avion apo anije, por me gomone.
Sipas autoriteteve dhe medieve britanike, që nuk ka ditë që të mos ketë artikuj për këtë çështje, bandat shqiptare janë fuqizuar.
Por si funksionon trafiku drejt Anglisë?
“5pyetjet.al” arriti që të fliste me njërin prej shqiptarëve që javët e fundit arriti në Londër me gomone.
Ai quhet Festim K. Biseda përmes rrjeteve sociale ishte e shkurtër. I riu fillimisht tregoi përse vendosi që të ikte nga Shqipëria.
“Normale, ika për një jetë më të mirë”. Përse vendosi që të ikte tani? “Dëgjova se mund të ikja me gomone.
Pagesa është shumë herë më e ulët se me anije. Fillimisht ika në Francë me një shok.
Ai ishte lidhja me personat që bënin nisjen me gomone. Në Francë qëndrova tre ditë. Më pas na njoftuan të shkonim për t’u nisur”.
Por sa pagoi për të kaluar kanalin anglez? “6 mijë paund. Shumën e dhashë kur arrita në Londër” tha ai.
Rreziku më i madh dhe frika është udhëtimi.
“Kisha frikë. Në gomone ishim 19 veta. Nuk kishte vetëm të rinj, si unë, por edhe më të mëdhenj. Fatmirësisht deti nuk kishte dallgë. Kisha frikë shumë”, tha ai. Një tjetër sfidë tani është jeta e re në Angli. “Këtu kam gati tre javë që kam ardhur. Jam në Londër. Për momentin nuk kam gjetur asnjë punë. Jam në pritje”.
Grupet kriminale shqiptare që organizojnë kalimin e kanalit të La Manshit e reklamojnë “biznesin” e tyre në rrjetet sociale, kryesisht TikTok.
Autoritetet britanike së bashku me palën shqiptare kanë nisur punën për të kthyer emigrantët e paligjshëm që ndodhen në ishull.
Megjithatë kjo duket se nuk do të jetë aspak e lehtë. Aq më tepër që ende vazhdojnë flukset e trafikut drejt Britanisë përmes kanalit.