Rrëfimi i Skender Halitit për takimin me Nuhi Berishën në vitin 1981, në banesën e Enver Topallit

12 janar 2025 | 11:52

Në 41-vjetorin e rënies së Rexhep Malës dhe Nuhi Berishës


Rrëfim në vetën e parë nga Skender Haliti
1. Dua të sqaroj lexuesin që në fillim se Nuhi Berisha dhe Enver Topalli janë dëshmorë që u vranë për të njejtin qellim, por në rrethana të ndryshme. I pari, Nuhi Berisha u vra bashkë me Rexhep Malen në një rrethim policor në një lagje të Prishtinës, në natën mes 11 e 12 janarit të vitit 1984, kurse i dyti, Enver Topalli, me 19 maj të vitit 1999 në Burgun e Dubraves kur burgu u bombardua nga aviacioni luftarak. Serbia në këtë burg për disa muaj kishte stacionuar forcat e saj ushtarake, të cilat i nxori në një moment dhe ktheu aty të burgosurit shqiptar nga të gjitha burgjet e Serbisë dhe Kosovës. Ishte një manover mashtruese!

Dhe pastaj NATO-ja e bombardoi burgun, duke kujtuar se po hidhte bomba mbi ushtrinë serbe. Keto bomba vrane shume të burgosure, por ata që s’i vrane keto bomba te gabuara i vrane vetë gardianët apo ata që ishin maskuar si gardianë. Thuhet se Enver Topalli u vra nga këta gardianë. Ende nuk dimë asgjë të saktë për këtë plojë. Në të ardhmen shpresoj të bëhen studime të veçanta për këtë masakër të jashtëzakontë.

Në këtë shkrim do të flasë për dy njerëz që nuk jetojnë më, që u flijuan për lirinë e Kosovës në një interval kohor prej 15 vitesh. Kaq është koha që i ndanë vrasjet e tyre, kurse unë që i kujtoj në përvjetorin e rënies së Nuhi Berishës në janar të vitit 2025, e bëjë këtë gjë në prapashikim prej 41, përkatësish pas pothuajse 26 vitesh. Edhe Nuhi Berisha, edhe Enver Topalli u vranë në një moshë të re. Nuhi Berisha në çastin e vrasjes i kishte vetëm 22 vjet, kurse Enver Topalli ishte më i moshuar, megjithatë ai nuk kishte më shumë se 40 vjet. Po nisem nga e njohura më shumë drejt të njohurës më pak. Ndryshe nga Enver Topallin që e kam njohur nga afër, Nuhi Berishën e njoh vetëm nga një takim i vetëm. Me Enverin më lidhte familja. Veç kësaj, kemi qenë në një grup ilegal. Në vitin 1979 jemi burgosur.


Në vitin 1979 qenë bërë arrestime masive. Një vit pas shënimit të 100 vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, rinia shqiptare ishte në shkallën më të lartë të interesimit për organizim politik jashtë institucioneve legale. Jusuf Gërvalla që iku në fund të vitit 1979 në Gjermani flet për 2000 të burgosurë në këtë vjeshtë të hidhur. Unë nuk e di saktësisht sa ka qenë numri i të arrestuarëve, por e di që ishin shumë ata që u arrestuan për një a disa ditë apo ata që u hodhën në qeli e në burgje për disa muaj e vite të tëra. Jusuf Gërvalla jep shifrën e përmendur më parë. Unë nuk mund të them asgjë për të me vështrimin tim nga provinca, sepse mua më mungonte vështrimi i tërësisë. Jusuf Gërvalla ishte në qendër, në Prishtinë dhe ishte, veç kësaj, edhe gazetar, me një intuitë tjetër për detajin. Ai i përkiste qarqeve të larta të organizimit ilegal, kështu që duhet të ketë pasur më shumë informacione për atë që ndodhi në atë vjeshtë. Pastaj ai iku në Gjermani në fillim të dimrit të vitit 1979, në fund të fushatës së burgosjeve. I kishte parë, dëgjuar e përjetuar të gjitha. Kështu, ai mund të bënte një vlerësim përmbledhës për procesin. Si gazetar, ai ishte edhe profesionalisht i përgatitur për të thënë atë që tha. Në intervistën e tij për gazetën e përditshme gjermane të Berlin-it “Tageszeitung“, e cila s’u botua sa ishte gjallë ai, por tek pas vrasjes së tij, Gërvalla flet për klimën e përgjithshme të shtypjes kombëtare të shqiptarëve. Intervistuesi thotë post festum se bashkëbiseduesi i tij nuk i kishte fryrë aspak shifrat, por, siç del tërthorazi, në atë kohë Europa s’ishte e gatshme të ballafaqohej me to. Gazetari, sigurisht kishte mundur t’i krahasonte këto shifra me informacionin e shërbimeve informative gjermane dhe kishte zgjedhur opsionin e mosbesimit. Mosbesimi duhet të jetë motivuar edhe nga politika ditore e Gjermanisë. Për Jugosllavinë atëbotë nuk lejohej të shkruhej e botohej gjithçka. Imazhi i saj në botë nuk duhej të nxihej. Ajo paraqitej si vendi i shpresës dhe vend-model i të ardhmes. Por Jusuf Gërvalla për këto aspekte të çështjes s’e çante fort kokën. Madje mund të thuhet se e dëshironte një imazh sa më të zymtë për këtë shtet që e ndiqte dhe që e vrau më vonë. Në këtë intervistë Gërvallla kishte artikuluar kërkesat politike shqiptare, por s’ishte në dorën e tij ta shtynte gazetarin gjerman për t’i besuar ato që i thoshte. Madje edhe vetë intervista s‘u botua, por, për fat të mirë, ajo s’u zhduk, u ruajt në sirtarin e redaktorit të “Tageszeitung“-ut.

Po Tito-ja, pyesim përsëri, si do të kishte vepruar në këtë vit, më 1981, po të kishte qenë ende gjallë?

Ai ishte i sëmurë në vitin 1979, e sëmurë ishte dhe krijesa e tij: Jugosllavia. Kredi të mëdha të pakthyera, krizë e madhe në ekonominë dhe politikën e Jugosllavisë, një gjendje kaotike kudo në hapësirën jugosllave. Rrëmujë! Kjo ishte tabloja e përgjithshme dëshpëruese. Reagimi i një të sëmuri në këto kushte është vështirë të parashikohet. Dihet se Tito-ja ishte një pragmatist në politikë, por edhe një oportunist i madh. Për pushtetin e tij ai bënte gjithçka. Në vitin 1971 pati goditur ashpër Maspokun kroat. Duke i ditur të gjitha këto fakte është vështirë të parashikohet reagimi i tij, megjithatë një gjë në njëfarë mënyre mund të thuhet: ai do të vepronte ndryshe nga ata që flisnin më vonë në emrin e tij. Socializimi i tij ishte perëndimor, kurse një pjesë e madhe e atyre që erdhën pas tij, kishim socializim dhe mendësi lindore, që do të thotë se konfliktet përpiqeshin t’i zgjidhnin përmes forcës, pa menduar shumë për rrjedhojat e përdorimit joraci.

Socializimi i tij ishte perëndimor, kurse një pjesë e madhe e atyre që erdhën pas tij, kishim socializim dhe mendësi lindore, që do të thotë se konfliktet përpiqeshin t’i zgjidhnin përmes forcës, pa menduar shumë për rrjedhojat e përdorimit joracional të pushtetit politik në rrethanat ndërkombëtare të asaj kohe. Serbët nuk i kishin dëshiruar demonstratat e vitit 1981. Kush e thotë të kundërtën, gënjen me qëllim ose nuk e njeh realitetin politik në Kosovë e në Serbi në këtë kohë. Se Serbia ishte në kërkim të një pretekst për ndëshkimin e brezit të ri mospërfillës që nga viti 1974 kur u ndryshua kushtetuta e Jugosllavisë dhe e Serbisë, kjo është e vërtetë. Serbët donin të ndëshkonin politikanët shqiptarë që ishin të lidhur si shumë me autonominë. Elita politike serbe që në krye të herës kishte qenë kundër autonomisë së Kosovës. Ata ishin të gatshëm për ta goditur fort Kosovën. Kishin kërkuar shi, siç thuhet, po Zoti u kishte dhënë breshër në vitin 1981. Tani ata kishin përballë kundërshtarë të rinj, pothuajse të panjohurë. Shqiptarët e rinj jashtë sistemit politik të Jugosllavisë ishin shumë më radikalë se autonomistët. Erdhi ashtu si erdhi koha, por Beogradi nuk u lëkund në kundërshqiptarizmin e tij. Serbët e kërkonin konfliktin me çdo kusht dhe e gjetën te brezi i ri kryengritës në një trajtë që u duhej atyre për një kurs të ashpër në politikën e re që donin të bënin në Kosovë. Ky brez i shqiptarëve nuk mjaftohej me autonominë ekzistuese, donte shkëputjen e çfarëdo lidhjeje me Serbinë edhe brenda Federatës jugosllave. Republika shqiptare si përfshirje e të gjitha viseve të banuara nga shqiptarët në Jugosllavi e formulonte këtë tendencë të re rrënjësore në politikë, ndaj dhe jorastësisht pas vitit 1981 gjithë vëmendja politike u pëqëndrua aty: te republika. Ajo ishte vetëm pikënisja e kërkesave politike shqiptare. Shqiptarët donin të bashkoheshin në një republikë në mënyrë që të mund të realizonin më vonë parimin e vetëvendosjes kombëtare.

Vetëvendosjen politike në kuptimin leninist, jo perëndimor, wilsonian. Atëbotë ne i takonim Lindjes nga pikëpamja sociologjike, politike e ideologjike. Ndoshta pikërisht ky koncept e bënte Leninin shumë simpatik për rininë shqiptare të kohës. Politikanët që i kishin rritur vetë, serbët edhe mund t‘i shantazhonin në forma të ndryshme dhe këtë gjë e bënin në mënyrë efektive, këta të opozitës jashtëparlamentare mund vetëm t‘i vrisnin apo t‘i hidhnin nëpër qelitë e errëta e të lagështa, por jo t‘i kontrollonin siç donin ata. Në vitin 1981 serbët ishin të fortë dhe kishin në dorë mjaftueshëm pushtet për ta shtypur këtë brez kryengritës. Gjithnjë shikuar në perspektivën afatshkurtër: me shqiptarët mund të bëje çfarë të doje atëbotë. Ata ishin në pozitën e skllavit. Por, jo të gjithë serbët mendonin e vepronin kështu. Kishte edhe të tjerë, ç’është e vërteta shumë pak, që brengoseshin për të ardhmen e marrëdhënieve serbo-shqiptare, sepse ata e dinin që situatat mund të evoluonin: shqiptarët nuk do të mbeteshin pafundësisht një faktor që mund të shpërgillej e nënçmohej.

T‘i kthehemi temës së këtij shkrimi: takimit me Nuhi Berishën në Prishtinë. Atë e kam njohur pak, vetëm nga një takim që, sipas të gjitha gjasave, ka qenë i rastit, çka do të thotë se mund edhe të mos shiheshim fare. Tani kur kujtojmë 41 vjetorin e vrasjes së tij, ky takim më bëri ta kujtojë këtë njeri të rrallë e të paharrueshëm. E njoha me emrin shqiptar Besniku. Ai ishte vërtet besnik i madh i çështjes shqiptare. Ishte viti 1981 kur e takova në banesën e Enver Topallit. Flisnim për literaturën ilegale. Atëbotë Lenini lexohej shumë në qarqet qëndrestare. Ndoshta pse Lenini i përgjigjej stadit të zhvillimit të shoqërisë shqiptare, ndaj dhe asimilohej më lehtë, ndoshta pse në shkrimet e tij e ushqente instinktin e luftës politike, shpirtin kryengritës. Nuk e di saktë, por di që veprat e tij të përkthyera në shqip qarkullonin dhe lexoheshin shumë. Edhe Shqipëria, edhe Jugosllavia e quanin veten vende socialiste. Ndryshimet ishin evidente, po orientimi afatgjatë në parim ishte i njejtë. Në Jugosllavi ndaloheshin shumë libra, por ato të Leninit jo. Në këtë takim u bisedua për politikën dhe devijimet e saj, për shtypjen e shqiptarëve. Nuhi Berisha më la përshtypje të thellë si person që dinte shumë, por që nuk krekosej aspak. Përkundrazi, në një kohë kur nuk kishte ende internet, vazhdimisht kur pyetej për diçka thoshte do ta shikoj këtë çështje për të cilën tani nuk mund të flasë me kompetencë. Nuk kisha takuar njeri të tillë deri në këtë moment. Nuk ishte modesti e shtirur, por një qëndrim njerëzor e intelektual që i kupton gjërat në thellësinë e kopleksitetin e tyre. Më ngjante me një filozof që është i ndërgjegjshëm për fjalën e thënë.

Emrin e vërtetë të Nuhi Berishës e mësova në vitin 1984, kur ai nuk jetonte më, se ishte vrarë nga policia serbe disa muaj më parë. Pa Enver Topallin sigurisht që nuk do ta takoja Besnikun dhe pa Xhabir Morinën nuk do ta mësoja emrin e tij të vërtetë. Xhabiri ma tregoi një fotografi të tij dhe më foli për qëndresën e tij. Sapo e pashë fotografinë, menjëherë e njoha në të Besnikun që e kisha takuar tre vjet më parë. Por, siç mora vesh aty, emri i tij i vërtetë kishte qenë ndryshe: Nuhi Berisha. Rënia e tij, në atë moshë të re më tronditi thellësisht. Vetë personi i tij. Cilësitë! Një njeri i ditur, i duruar, që thoshte vazhdimisht kur pyetej për diçka ku s‘ishte i sigurt se për përgjigjen i duhej njëfarë kohe. Herën tjetër kur të shiheshim, premtonte ai, do të merrja përgjigjen. Pyetjet nuk më kujtohen, por ne s’u pamë kurrë më. Shkurt, më parë nuk kisha takuar një njeri të tillë që ishte aq i kujdesshëm dhe tolerant dhe në të njejtën kohë aq i vendosur për të luftuar në një rrethim me orë të tëra. Janari i vitit 1984 ishte i veçantë. Në këtë rast me të vërtetë mund të thuhej se rënia e tij heroike i mobilizoi qindra e ndoshta mijëra shqiptarë të tjerë. Akti i tij trimëror i ka frymëzuar të rinjët e kohës. Ishte kohë e idealeve dhe e flijimit, kohë e veprimit të vërtetë revolucionar. Tani njerëzit mund të thonë çfarë të duan, por atëherë për këto gjëra kërkohej guxim, dije dhe përkushtim i madh atdhetar.

Përpjekja e fshehtë që bëhet për të krijuar një lloj shkëputje nga kjo kohë e madhe, nuk më pëlqen aspak. Një popull që shkëputet nga e kaluara e tij plotë mund, flijime dhe guxim në luftën e tij politike për liri, herët a vonë e harron rrugën, cakun për ku është nisur, madje e harron edhe pikënisjen dhe gjithçka tjetër që lidhet me një kohë të errët dhe, kryesorja, lirinë e tij nuk e çmon si duhet. Ky popull në këtë mënyrë mund të humb gjithçka që ka arritur. Liria kudo ka rrënjë gjaku. Ajo nuk dhurohet kurrë!

2.Pranvera e vitit 1981 erdhi disi më shpejt. Kush e ka jetuar atë kohë, kështu ka menduar: ajo nuk u vonua, por erdhi më herët se viteve të tjera, për ta ripërtërirë natyrën. Kosova ishte atëbotë një kënetë e madhe, por një kënetë e zhurmshme, që vlonte. Dhe kjo pranverë solli diçka që e nxori atë nga ky dhe kjo pranverë solli diçka që e nxori atë nga ky status. Politikisht ndodhi një shpërthim i madh. Njerëzit u riorientuan. Deri atëherë, mendohej se shqiptarët ishin në mjegull. Por, ngjarjet e asaj pranvere treguan se interpretimi i shoqërisë tonë kishte qenë i pasakë, miop. Unë isha student i fakultetit ekonomik. Studioja për ekonominë. Homo economicus-i ishte njeri me prirje të forta egoiste. Ky egoizëm ishte ekstrapoluar edhe në politikë e në sferat e tjera të shoqërisë. Demonstratat e asaj pranvere treguan se natyra njerëzore nuk ishte aspak egoiste, siç supozohej. Më kujtohet Prishtina e trazuar e prillit të vitit 1981. Rrugët ishin përplotë me shqiptarë që protestonin. Kam parë dhe dëgjuar fjalimin e Hydajet Hysenit, hipur në blirin e korzës në qendër të Prishtinës. Nuk ekziston më ai dru. E kanë prerë njerëzit e Serbisë. Disa thonë me djallëzi pse nuk e ruajtëm. Kaq kishim në dorë, ne nuk mund të ruanim as jetëm e njeriut e lëre më një bli emblematik. Në atë demonstratë isha me shokët dhe shoqet e mia që vinin nga familje me angazhim kundërjugosllav. Enver Topalli, Ramadan Veliu, Rexhep Delollli, Hydajete Osmani, Hafije Gashi ishin pranë meje në atë demonstratë të madhe ose unë isha mes tyre. Hydajetja ishte e bija e Kadri Osmanit. Disa nga shokët të tjerë të grupit, me të cilët isha burgosur në nëntor të vitit 1979 ishin ende në burg, kurse ndonjë tjetër jashtë tij vazhdonte studimet dhe veprimtarinë politike. Burgjet të japin shumë përvojë, të bëjnë më të kujdesshëm, më të pjekur politikisht dhe organizativisht, por edhe më të vendosur. Shkonim në ligjërata dhe në aktivitete kulturore të pakta. Atëherë jeta nuk ishte aq dinamike si sot. Megjithatë në brezin tonë ndihej një frymë tjetër. Kombëtarja kishte dalë në sipërfaqe, ishte një element i rëndësishëm i jetës publike. Ndoshta pikërisht pse kontestohej me çdo kusht e në çdo rrethanë. Mes 1945 dhe 1981 ishin plotë 36 vjet të vështira, gjatë të cilave ishin zhvilluar procese dramatike dhe kishin ndodhur thyerje e katrahura të mëdha. Brezi im kryengritës i gëzonte shumë gjëra që brezi i prindërve tanë kishte mundur vetëm t‘i ëndërronte. Ata që e kishin pasur moshën tonë në vitin 1945 jetën e kishin kaluar në frontet e luftës, por kur ishin kthyer nga lufta qenë shikuar me shumë dyshim. Dhe ishin ndjekur si armiq. Askush nuk kishte luftuar që të mbeteshim nën këtë regjim dhe në këtë shtet. Të paktën, unë nuk njihja njerëz të tillë. Franz Bësch ka shkruar një libër interesant për vititi 1979 me titullin “1979 als die heutige Welt entstand” (1979, viti kur lindi bota e sotme). Ky vit, të paktën për mua personalisht, përbën vitin e kthesës së madhe. Për herë të parë në historinë tonë të re, brezi i ri filloi të organizohet politikisht në bazën e përkatësisë kombëtare. Atëherë unë isha ende nxënës i shkollës së mesme. Brezi im e shikonte me një lloj vetëkuptueshmërie faktin që shkollimin e fillonte dhe e mbaronte në gjuhën shqipe, nga fillorja në universitet. Brezi i etërve dhe gjyshërve tanë nuk e kishte gëzuar këtë mundësi. Madje gjyshërit tanë kujtonin kohën kur në shkollë, nëse shkonin, u duhej të mësonin vetëm në serbisht, qysh si fëmijë. Nëpër burgje, në polici, por edhe jashtë në shoqëri na quanin të majtë, dmth. një grup që nuk përfillte ndarjet sipas etnisë, por a ishte kështu vërtet?! Në fakt, ne organizoheshim pikërisht mbi këtë bazë përkatësie, pra si të djathtë. Skema politike i majtë-i djathtë nuk shpjegonte pothuajse asgjë në këtë rast. Arsyeja sociologjike duhet të ketë qenë krejt praktike: shtypja etnike. Duke u shtypur si shqiptarë, ne nuk kishim mundësi të tjera reagimi veç reagimit si shqiptar, dmth reagimit kombëtar.

3.Pas vitit 1945, trysnia e pushtetit serb mbi rininë shqiptare kishte qenë jashtëzakonisht e madhe. Ata që e kishin marrë pushtetin në dorë e njihnin mirë natyrën subverzive të rinisë në shoqëri, ndaj dhe trysnia ndaj rinisë ishte çështje konceptuale parësore. Në parim, çdo gjë shqiptare shikohej me dyshim. Shumë veprimtarë ishin vrarë, të tjerë ishin burgosur, kurse një pjesë tjetër kishte ikur në mërgim, shumë larg. Ata që kishin mbetur me bindje të kryehershme shqiptare, për të mbijetuar nuk kishin bëzajtur, kishin heshtur. Numri i tyre, me kalimin e kohës, ishte zvogëluar, por nuk ishte zhdukur asnjëherë. Kryesorja: mesazhin e tyre ata kishin arritur ta përcillnin te një brez tjetër që kishte ambicie të tjera, por jo përvojën e tyre. Pa këtë përvojë, ata mund të ishin më rrënjësor në kërkesat dhe ambiciet e tyre. Tani ishim ne, një brez që s‘e njihte mirë historinë dhe vuajtjet e brezit paraardhës politikisht, por që me idealizmin tonë ishim të gatshëm për nisma të reja. Në këtë gjendje na gjeti viti 1981. Kosova, asnjëherë s‘ishte pajtuar me shtypjen, por në reagimin e saj jo rrallë kishte qenë edhe naive. Gjithmonë, e shikuar post festum, nga vrojtorja e sotme. Në vitin 1981 Lëvizja Kombëtare tregoi vitalitet. Tradita qëndrestare e menduar si e vdekur, u ringjallë dhe filloi një ndeshje politike me serbët që nuk ishte njohur kurrë më parë në historinë tonë. Edhe vetë serbët që na ndiqnin me mekanizmat e shtetit që kishin në dorë, u habitën nga kjo frymë e re. Ata kishin menduar se shqiptarët do të rebeloheshin në mënyrë të armatosur dhe kështu do të nxirreshin shpejt nga loja, përmes një shtypje të përgjakshme.

4.Pas vitit 1979 kur u bënë arrestime në masë në disa qytete të mëdha të Kosovës, viti 1980 kaloi relativisht i qetë. Në maj 1980 vdiç dhe Tito-ja. Pas këtij viti pa fizionomi erdhi viti 1981, viti i sfidës së madhe. Grupet ilegale shtoheshin, por, siç shihej, ato nuk e kishin njohur sa duhet popullin e tyre. Këto grupe kujtonin se vetëm ato mendonin e vepronin për çështjen shqiptare. Ky vit i theu skemat ideologjike që ekzistonin. Viti 1981 tregoi se kishte edhe shumë të tjerë që ishin të pakënaqur me trajtimin e shqiptarëve. E vërteta ishte se njerëzit e revoltuar përbënin shumicën. Pakënaqësia nuk e shkakton përmbysjet, por përmbysjet e mëdha nuk ndodhin kurrë pa pakënaqësinë e përgjithshme.

Nga një revoltë studentore lindi një lëvizje e tërë politike. Vetë grupet ilegale e panë se puna e tyre ishte mjaft sektare dhe insuficiente për situatën e re. S’kishte si të ndodhte ndryshe në një fillim. Ishte një fillim i ri: të gjithë duhet të mësonin. Natyrisht, në këto rrethana edhe UDB-ja do të vepronte. Predimensionimi i punës së saj shpreh ose paaftësi, ose frikë. UDB-ja, duke mos mundur ta zotërojë situatën, propagandonte gjithëdijen e saj. Këtë gjithëdije pastaj e shumëfishonin provokatorët dhe ata që ishin në anën tjetër të barrikadës, por që kishin tmerrësisht shumë frikë. Frika e motivon njeriun për veprim, por kur ajo është tepër e madhe, e dëmton atë shumë, e paralizon. Për shumë vite, në shoqërinë tonë është disuktuar intenzivisht sesi ndodhi që pati demonstrata popullore në Kosovë? Në diskursin publik, çka është e natyrshme, pati opinione të ndryshme. Këtë situatë e shfrytëzonte UDB-ja, për ta paraqitur veten omnipotente, çka nuk ishte aspak e vërtetë. Në publik shtrohej pyetja: mos ishte Serbia përmes UDB-së që e shfrytëzoi situatën shpërthyese në shoqëri? Aq më tepër kur dihej prirja e elitës politike dhe akademike serbe për ndëshkimin e shqiptarëve pas ndryshimeve kushtetuese të vitit 1974? UDB-ja serbe, s‘ka dyshim, ishte e interesuar për të krijuar pretekste ndëshkimi, por jo të përmasave të tilla si demonstratat popullore të pranverës së vitit 1981. Pastaj UDB-ja organizativisht s‘ishte një organizëm shumë homogjen, monolit. Në të bënin pjesë edhe sllovenët dhe kroatët që kishin një lloj autonomie veprimi dhe mund të ndërmerrnin aksione që serbët as nuk i kuptonin dhe as s‘i përkrahnin, por ata nuk ishin në gjendje t‘i ndalonin. UDB-ja e Kosovës kishte edhe një kontigjent të madh shqiptar që pa asnjë dyshim ishte në shërbim të serbëve, por kishte edhe ndonjë prej tyre, aty-këtu, që mendonte e vepronte më ndryshe seç donin ustallarët serbë. Ishte një lojë shumë e ndërlikuar që luhej në shtet, një lojë në afat të gjatë me epilog të hapur. Pas shpërthimit të demonstratave të vitit 1981 ish ministri i brendshëm federativ, Stane Dolanc, pati thënë se në ngjarjet e vitit 1981 Shqipëria nuk ka gisht. Kjo deklaratë e tij për shumë kohë nuk është marrë seriozisht, por Dolanc-i e kishte plasuar në publik atë që donte ta thoshte dhe pastaj kishte heshtur. Duhet ta themi këtu se Jovanka Broz dyshonte se Stane Dolanc bashkëpunonte me gjermanët. Kishte edhe të tjerë në shërbimet e fshehta jugosllave e serbe që bashkëpunonin me rusët. Këtë gjë e dinte Jovanka Broz, por ky bashkëpunim s’paraqiste problem për të. Sidoqoftë, fjalët e Stane Dolanc-it për ngjarjet e vitit 1981 duhet shkoqitur me vëmendje të madhe, sidomos në retrospektivën e tanishme. Ai dinte ç’thoshte, nuk fliste kot. Shqipëria zyrtare reagoi me një artikull mbështetës ndaj rinisë kosovare me 8 prill të vitit 1981. Nexhmije Hoxha ka thënë me një rast se burri i saj që ndodhej për pushime në Vlorë u çudit shumë për zhvillimet e reja në Kosovë. U çudit, por s‘u ngut. Ne nuk dimë se mos dikush e vizitoi atë ato ditë. Apo se mori ndonjë mesazh të fshehtë që s‘e zbuloi kurrë. Dhe që ndoshta nuk do ta mësojmë asnjëherë. Ish shefi i Shabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së R. P. S. të Shqipërisë, gjenerali Veli Llakaj, shkruan në kujtimet e tij se rusët menjëherë reaguan dhe e morën në kontakt Enver Hoxhën, të cilin e inkurajonin që të ndërhynte ushtarakisht në Kosovë. Dimë gjithashtu se Enver Hoxha këtë herë e mbështeti rininë kosovare. Politikisht, jo me ushtri. Kaq. Një diplomat portugez në atë kohë, këtë e gjejmë në Arkivin e Ministrisë së Jashtme të R.P.S. të Shqipërisë, kishte thënë në Beograd se Shqipëria nuk duhet të ngurronte në mbështetjen e shqiptarëve të revoltuar. Dhe Shqipëria e mbështeti pa asnjë rezervë revoltën, nuk abstenoi. Pse ndodhi kështu, nuk e dimë asgjë deri në fund, por dimë se segmente të shtetit shqiptar qenë pozicionuar kundër shqiptarëve të Kosovës. Ish ministri i jashtëm shqiptar, Nesti Nase, siç doli në gjyqin e Kadri Hazbiut, u kishte shkruar në këtë kohë të heshtjes përfaqësive diplomatike shqiptare në botë që të mos dilnin në përkrahjen e kërkesës kryesore politike të studentëve kosovarë. Me një fjalë, këtë lëvizje të re politike ta injoronin në tërësi. Si duket, në këtë pikë, në këtë moment në udhëheqjen shqiptare, divergjencat ishin të mëdha. Qeveria ishte kundër studentëve në Prishtinë, kurse Partia ishte pro. Një befasi e madhe kontrafaktike. Të paktën kështu qe përshtypja për njëfarë kohe se pastaj puna shkoi mbarë: Shqipëria si tërësi doli në mbështetje të Kosovës. Ky fakt, e nxiti propagandën serbe që shkakun e trazirave ta kërkonte aty ku nuk ishte në të vërtetë: te shteti shqiptar. Shqipëria kurrë nuk pretendoi se ishte nismëtarja e asaj që ndodhte në hapësirën shqiptare në Jugosllavi, por edhe insistimi i saj në faktorët ekskluziv intern, më duket se nuk qëndron plotësisht. Pa një mbështetje nga jashtë, edhe revolta shqiptare e vitit 1981 do të ishte fashitur me kohë. Serbia nuk ishte e interesuar për zgjidhjen e problemeve, ndaj dhe ajo kishte nevojë për fiksion, jo për fakte, kështu që investoi në propagandën kundërshqiptare. Shqipëria u pozicionua pro lëvizjes studentore, por ajo nuk e kishte nxitur këtë lëvizje, por emocionet e serbëve ishin shumëfish më të forta se arsyeja e tyre. Deklarata e Dolanc-it jo vetëm shpjegon shumëçka këtu, por do të ndikonte edhe në qetësimin e situatës, ose në një çasje më objektive ndaj zhvillimeve shoqërore e politike. E vërteta ishte se Shqipëria nuk kishte qenë brenda ekuacionit politik. Deri në pranverën e vitit 1981 ajo kishte investuar seriozisht në marrëdhëniet me Jugosllavinë. Edhe pothuajse një gjysmë shekulli pas demonstratave të vitit 1981 nuk është gjetur asnjë dëshmi autentike se shteti shqiptar, përmes mekanizmave të tij, të jetë involvuar në ngjarjet e vitit 1981. Reagimi i tij është diçka tjetër.

Nuk jam në gjendje të ndajë atë çfarë kam menduar atëbotë nga ajo që mendoj sot, pas 44 vjetësh.

Por s‘ka dyshim që mbështetja shqiptare e demonstratave kishte rëndësi jashtëzakonisht të madhe.

Kohezioni brendashqiptar ishte qenësor për faktorin shqiptar. Nuhi Berisha, Enver Topalli e shumë të tjerë nuk do të bëheshin ata që u bënë pa këtë politikë unike shqiptare. Të gjithë shqiptarët ishin një grusht në atë vit të paharrueshëm kur pata rastin të takohem me Nuhi Berishën në Prishtinë. Në këtë takim unë njoha një hero të vërtetë të epokës sonë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Flaka e Janarit në Gjilan, në mbrëmjen e 11 Janarit…