Rrëfimi i të mbijetuarës Florie Bujupi-Deliu në masakrën në Abri të Epërme
Afrim Hysenaj
Këtu po sjell rrëfimet e atyre që qenë dëshmitarë të drejtpërdrejtë të ngjarjes para, gjatë dhe pas masakrës në lagjen Deliu të Abrisë së Epërme të Gllogovcit. Rrëfimet dhe përjetimet e tyre i paraqes siç m’i kanë dhënë, sipas mënyrës dhe stilit të tyre. Bashkëbisedimit i kam prirë vetëm sa për t’i motivuar që të flasin. Një formë intervistimi që vjen krejt spontanisht. Edhe korrektimi gjuhësor është shumë i sipërfaqshëm, ngaqë nuk kam dashur ta cenoj në çfarëdo forme gjuhën e tyre.
Florie Bujupi-Deliu, Abri e Epërme
Florie Bujupi-Deliu ka lindur më 9 korrik 1962 në Arllat të Drenasit. Është bashkëshortja e Hysen Idriz Deliut me të cilin është martuar në vitet ’80. Patën pesë fëmijë: tri vajza dhe dy djem. Njëri djalë vdes para lufte. Në ofensivën e forcave serbe, në shtator 1998, Flories i është masakruar dhe vrarë burri, Hyseni dhe dy vajzat e saj, Mihanja 16-vjeçare dhe Antigona 14-vjeçare. Megjithatë, i kanë shpëtuar Mentori (9) dhe Arjeta (3). Floria dhe Hyseni, të dy bashkëshortët, lëngonin nga sëmundje fizike që nga lindja. Ishin me aftësi të kufizuara fizike. Për shkak se ka kaluar një kohë goxha e gjatë, rreth njëzet vjet, ajo e ka të vështirë të kujtojë çdo detaj. Herë-herë i ndihmon edhe Mentori me aq sa mban mend.
Znj. Florie, ka kaluar një kohë e gjatë, pothuajse 20 vjet. Ju kërkoj falje që ju ngjall kujtimet e atyre ditëve! A mund të na përshkruani, me pak fjalë, ç’ju kujtohet nga ato ditë?
…Unë me burrë tem e me fmij të mi’ para lufte dhe në luftë kem jetua bashkë me kunatin, Habibin dhe me gruan e tij. Para se me nis ofensiva, nashta i ka pas ni muj ma herët, Habibi, këtu ner shpi tonë, 300 metra ma nej në mal, e ka pas maru ni bunker që në rast rreziku me shku aty m’u mshef n’bunker. Qato ditë kur ja kan’ nisë me granatu pej Likoci na jena dal n’mal e kena nejt n’bunker, të gjithë s’bashku. Me neve u kan’ edhe halla e burrit tem, Maliqja. Tetëdhetë vjet i ka pas. Të nestrit Habibi me gru t’vet i ka marrë dy çikat e mia edhe Mentorin e u shku në Tërstenik, për me kanë atje ma sigurt. Neve na la n’mal, n’bunker, qaty. Pastaj t’nestrit u ardh Habibi veç me djalë. Me Mentorin u ardh n’gjys t’natës. E kom vetë: Bac, ku janë çikat? Tha as gruaja as çikat s’di ku janë metë…
(Këtu ndërhyn Mentori)
Po. U kanë dikun ora 11-12 e natës kur jemi ardh prej Tersteniku, te vorret ku i kem tash, te “Llazi i Drenit”. Patum has n’shkje. Ata na hetuen si jem na dhe fillun me na gjujt pa ndal. Me tana llojet e armëve na gjujshin… Tani na u patum da tuj ik malit. Unë me Habibin kemi ikë bashk. Habibi më mbajke përdore, ato dy motrat janë metë tuj ik me gruan e Habibit. Unë e Habibi mrrijtum n’bunker, po i pamë që dy motrat e mija, Mihanja, Antigona dhe gruja Habibit, Zoja nuk janë aty. Kemi dalë kadale prap prej bunkeri dhe nëpër mal kemi fillu me za t’ult m’i thirrë n’emna…Oj Zoje, oj Mihane, oj Antigon! Menojshim që s’po e dinë venin me ardhë se terr, po kërkund s’i kem gjetë. Jemi detyru m’u kthy prap n’bunker. Qat nat’ kem flejt n’bunker.
… Tana, t’nestrit, kah ora 5 a 6 n‘mëngjes jem çu e ja kena nis m’u ba gati me shku m’u dorzu te shkijet, me shpresë se nëse dorëzohemi i gjajmë motrat edhe gruan e Habibit. Shkijet janë kanë aty, pak ma nej se ku janë sot vorret te “Llazi i Drenit”. Malit i lypshim motrat edhe Zojën, po nuk i gjetëm kerkund. Edhe fillum me thirrë me za se na po dorzohmi. Ddhe jena dorzu tek ata. Ata fillun me na marr n’pytje kush asht ushtar i UÇK nga lagjja e juve. E kanë vetë mixhën për Imerin, për Isakin se a janë ushtar. Edhe për Samin na kanë vetë. Shqip e vetshin. Ja kanë qit edhe një fotografi të Samis, djalit të Bacit Habib, edhe i thanë qyky asht djali yt. Habibi ju tha asht mjek i fmive Samia, jo i UÇK-së.
(Dr. Sami Deliu ishte djali i mësuesit Habib, i cili e ndihmoi UÇK-në dhe popullatën civile gjatë luftës. Shënim imi, A. H.)
…Pastaj e rrehen Habibin se i than po rren. I ranë shpinës me kondaka t’armve, ja patën thy rruzën e shpinës e s’mujke me ec. Filluen m’i çu anej kah Mulit. Edhe nja 50 metra e patën myt Habibin. Baba jem, Hyseni, vrapoi drejt Habibit tue thirr kush më mban mue tash? Aty e kanë vra edhe Hysenin. Na i kena pa me sy kah i kanë myt. Unë ju pata gju përmi Habibit, ju pata kap për jakne prej tutës se po na mbysin edhe neve. M’ka kap një ushtar për xhemperi e m’ka çu prej Habibit dhe m’ka piskat “bezhi, jebem ti majku”. Me nanën edhe me Arjeten kena vazhdu trup malit me ik e kena ardh n’bunker. Aty ish pas kthy Zoja, gruja e Habibit, e dy motrat jo. E dvetm për çika. Na tha nuk di ku janë. Kur kanë fillu me na gju jena nda, ma s’di send për to…
(Mentori, tani 28-vjeçar, atëherë ishte vetëm nëntë vjeç. Shënim imi, A. H.)
Njësoj pothuajse e vijon rrëfimin edhe Floria
…jena çu heret, jena kanë 5 veta: unë, burri, djali, çika dhe Habibi. Jena nis me shku m’u dorzu. Pak pa mrri te shkjet tuj ec malit, Habibi thirrke me za se jem tuj ardh m’u dorzu. Na kanë dalë përpara do ushtarë, unë s’dij n’guhë të tyne, po na kanë thanë “stoj”! Kunati i ka çu durt nalt. Edhe unë, edhe djali e çika e burri. Na kanë rretheku do ushtar, tana na kan shti m’i ungj durt. E marrshin n’pytje kunatin. E kanë vetë a ka ushtar nojkend? E rrehshin ka ni herë. E kanë vetë a e ki djalin ushtar mjek në UÇK? Ky ka thanë jo. Ai e kish pas syretin e djalit t’Habibit n’xhep. Ja ka qit, a asht qyky? Kunati i rrudhi krahtë… E kena pa, ni moment ka dashtë me dal pej autoblinde Xhafer Qorri. (Polic vendës që punonte me ta si bashkëpunëtor. Shënim imi, – A. H,). Dikush e ka kap për setre e ka ngreh mrena. Janë ardh dy veta, nja i vogel nja i madh. Qitash me m’i qit perpara dytë i ngjoh. Njani pej tyne s’e ka lan ma Habibin me fol hiç. I ka ra n’faqe grusht. U rrutullu kunati e ky i ra n’shpin me kondak t’armës. Met shtremt kunati e na piskatum tan të katërtit. Nji tjetër, shqip na tha, shuni se ju korrin tanve! Na kan çu tanve pak ma nej për tej vorreve edhe ta myten Habibin. Burri jem i ka çu durt përpjetë e ka thanë kush um man mu tash? I ka than shkau qetash t’maj edhe ty unë. Edhe atë e myten… E kom marr djalin e çikën e s’kam guxu m’u kthy me dal n’udhe po jom nis malit e rrethit jom ardh te bunkeri. Zoja ish kanë ardh e kom vetë ku janë çikat? Tha vallahi nuk di…e qitum e lam… Taman jena ardh s’kem nejt shume n’bunker, jena çu e jena ardh n’shpi me Zojen. E pamë shpinë tuj u kall, e tham hajde shkojmë te familja e Imerit se na e dishum ku janë…
(Këtu ndërhyn sërish Mentori)
… Si jena dal n’sokak e kina pa n’rrugë t’vramë Ademin e jina shku kah bunarnat për të familja. Tuj shku livadhit e kena zatet djalin e Fazli Ramës, Hajrizin tuj ik. Ish kanë dath. Na e kena taku t’gjallë. Ish kanë tuj ik ndoshta nga ajo se si i ka pa familjen e Imerit të masakrun! Pastaj kena nie që u myt n’bunar. Pastaj kina mrri n’vend ngjarje dhe i kena pa të masakrumit ka nja ka nja. Pastaj jena kthy prap n’lagje dhe kena nejt dy-tri ditë derisa a ardh Imeri e na ka dërgu n’Terdevc.
Ke të shtosh gjë tjetër rreth kësaj tragjedie?
…Kisha pas qef me ni nji ditë se ata kriminela janë denu për krejt çka na kanë ba neve! Me dal n’drit me dijtë se kush janë ata dhe m’u burgos me burg përgjithmonë. Jo veç për familje teme po për krejt çka kanë ba mbi familjet e Deliajve.
Ndërhyn Floria: Mbas dy jave që ka ndodh rasti na kina mrri me shku n’Pejë te vllavi jem dhe atje kena nejt deri u kry lufta. Edhe tri vjet mbas lufte atje kena nejt. Njerzit që na kanë nimu mas shumti pas ngjarjes janë Samia, djali kunatit edhe Imeri, kushërini jonë…[1]
[1] Rrëfimet e Florie Hysen Deliut dhe djalit të saj Mentorit. Dorëshkrim, nentor 2017.
Floria me dy fëmijët, Mentorin dhe Arjetën, që i shpëtuan masakrës