Rrëfimi i të mbijetuarit Bashkim Fazli Deliut në masakrën në Abri të Epërme
Afrim Hysenaj
Këtu po sjell rrëfimet e atyre që qenë dëshmitarë të drejtpërdrejtë të ngjarjes para, gjatë dhe pas masakrës në lagjen Deliu të Abrisë së Epërme të Gllogovcit. Rrëfimet dhe përjetimet e tyre i paraqes siç m’i kanë dhënë, sipas mënyrës dhe stilit të tyre. Bashkëbisedimit i kam prirë vetëm sa për t’i motivuar që të flasin. Një formë intervistimi që vjen krejt spontanisht. Edhe korrektimi gjuhësor është shumë i sipërfaqshëm, ngaqë nuk kam dashur ta cenoj në çfarëdo forme gjuhën e tyre.
Rrëfimi i Bashkim Fazli Deliut, Abri e Epërme
Bashkim Fazli Deliu ka lindur më 14 qershor 1976 në Abri të Epërme. Tani është 42-vjeçar, po kur e kishte përjetuar masakrën e Deliajve ishte vetëm 22-vjeçar. Bashkimi kishte qëndruar në lagje deri në çastin kur forcat paramilitare serbe janë futur aty. Ishte i fundit që ishte ndarë nga babai i vet, Fazliu, 90-vjeçar dhe i pari që kishte mbërritur në vendin e ngjarjes, së bashku me Imer Deliun.
Bashkim, ti ke mbetur vetëm në lagje gjatë ofensivës së shtatorit 1998?
Në fund të muajit shtator 1998 ka fillu ofansiva e forcave të ushtrisë dhe policisë serbe mbi fshatin tonë rreth e rreth Abrisë. Unë kam met m’u kujdes për babën n’shpi. Baba ishte 94 vjeç dhe i paralizum. S’kam mujt me la vetëm. Jam kujdes për ta lëvizë dhe për t’i siguru ushqim. Ditën e mbramë, sa isha me ta’, edhe ma shumë u paralizu. Unë, bashkë me kushërinin tim, Sadrinë, po gatunim bukë. Ka pas edhe tjerë kushëri në lagje, por herë-herë ata kanë lëvizë me familje të veta. Unë gjithë kam nejt aty. Kur fillun granatimet erdh n’shpi vëllau i madh, Hajrizi, me familje, prej fshatit Vuçak. Na i kemi bërtit pse je ardhë. Kishim frikë çka po ndodh me neve. Kur ofansiva ishte në Tërstenik, Hajrizi me nanën, gruen dhe fëmijët e vet, kanë pas shku në Vuçak te motra. Nana s’ka mujt me ec dhe asht nda nga Hajrizi e ka nejt me motër të madhe në Vuçak.
Nana i ka shpëtu masakrës falë mosardhjes së saj me Hajrizin. Atë ditë, pa u terru, ka ardhë edhe familja e Imerit prej Çiçavicës. E gjithë familja, me gra e fëmijë, ishin me Ademin. Atë natë janë vendosur te Zabeli i Rrajve. Me ta janë bashku edhe bashkëshortja e Hajrizit me dy çikat e Hajrizit. Natën shoqja e Hajrizit vijke gatujke bukë në shpi për me marrë me veti, ndërsa ditën rrike n’mal. Na burrat lëviznim kapak nëpër lagje.
Po të nesërmen ç’ndodhi?
S’e harroj kurrë. Ishte data 25 shtator e vitit 1998. Shkijet e kallën fshatin Abri e Ulët. Unë isha me Sadrinë dhe mësuesin Habib. Bisedonim se të nesërmen kanë me vazhdue shkijet me na kallë neve. Ishim në distancë të afërt me fshatin që e kallën. Edhe atë ditë kemi qenë në rrezik. Atë natë gjumin e kemi ba n’mal…
Më 26 shtator ti ishe në lagje?
Po, t’nesërmen, më datën 26, diku si ka nisë m’u zdrit, në orën 5. Fillimi i vjeshtës. Filluen me granatime t’mëdha. Visha te baba, prej agragjes përpjetë kah lama. E dijsha kah me hi e qysh me dalë, se isha rritë aty. Sa me ja pru bukën babës kur e gatujke Sadria.
U ba ora 9. Unë isha te baba. E kam ndëgju një piskamë. Ajo piskamë ke e Ademit, vëllaut të Imerit. Unë s’e kom dijtë, po aty me Ademin ish kanë edhe djali i msuesit Isak. I kom pa shkjet tuj ardhë përmes lamës së Brahimve përpjetë, me maska. Kom fillu me ikë sa kom pas fuqi kah lama. E kom kapërcy telin teposhtë e te bunarnet. Kah kam ikë e kam pa Alinë te podrumi i Sadrisë nër plloçë, tuj gri duhan. I kam thanë, Ali, ik se shkit hinën. M’tha: “Shkoni ju se i di punët e mia”. Alia ka mbetë aty… Kom shku tuj ngajt te robtë (te familjet ku ishin të strehumë) edhe i kom njoftu se shkijet hinën n’lagje. Mbas pesë minutash e kem pa kur i ka dalë flaka odës teme dhe shpisë. Unë jam da prej familjeve e kom dalë ma nalt, ma larg anej prej Demiqve, prej tutës që nëse vijnë shkijet, mos me m’gjetë aty. Edhe Hajrizi u largu prej robve dhe ka ikë. U kanë ora diku 10 deri në 11. Unë kam shku dhe kom nejt tek do vorre të Zekalive, i mshefun n’therra, nashta 400-500 metra prej vendit ku ishin familjet e strehuara. Nashta edhe ma larg. Prej aty e kom nie edhe piskamën e familjeve. Kam mendu që po tutën kur i kan pa shkijet. Kurr s’e kom mendu që shkijet i bajnë n’atë gjendje gra e fëmijë e pleq. Kom nejt aty derisa u terru. S’kam guxu me lëviz. E kqyrsha qet orë kur po m’vrasin edhe mue. Prej atheri e kom këtë orë… Kur u terru kam shku mbi zabel, kah vorret e Muliqve, dhe kam dalë n’Lagjen e Baderrlakëve. Kam kalu afër shpijave të Hysenve t’Ultë dhe jam dalë n’gomna, kah pusat e kom shku n’Lagjen e Taljanëve, (një lagje e fshatit Likoc që ndodhet mes Abrisë dh Polluzhës, shënim imi, A. H.). Ishte terr i madh. E kam pa ni dritë t’vogël dhezë te ni shpi. Ish kanë nji plak i cili m’ka strehu dy ditë.
E diela e 27 shtatorit të gjen në Lagjen e Taljanëve të fshatit Likoc?
Po, t’nesërmen jam çu para orës gjashtë. Binte shi pa nal. Para se m’u çu, andërr e pashë babën. M’ka ardhë me nji zile te kryt e më tha: Bashkim, kqyrne shpinë se neve na kanë mbyt shkitë, mue djalin, renë e thminë. Krejtve na kanë mbyt. Si m’ka dalë gjumi i thashë atij mixhës, që veç sa m’duel pej dere baba. E pashë andërr. M’tha jan’ andrra t’sabahit, mos u ban marak! Kam dalë herët pej asaj shpije. Ai mixha m’ka lutë mos me dal, se t’vrasin shkijet. Menojsha me provu me ardhë e me hi në lagje e me pa çka u ba me rob, po kur jam afru zhagaz afër rrugës Abri – Likoc ish kanë plot automjete t’ushtrisë serbe dhe s’kam mujt me kalu rrugën. Prej vorreve t’Myqivarit e deri n’Likoc ish kanë plot automjete t’shkive. Jam detyru m’u kthy prapë në Lagjen e Taljanve, tek ai mixha që më strehoi. Më tha shyqyr qe paske pshtu e je kthy. Tan ditën kom nejt te ai plaku dhe prapë kom fjet aty. Më 28 shtator 1998, prapë jam çu herët, kah 4:30 dhe kam tentu me shku n’lagje. Prapë binte shi. Rruga m’u dok prapë ishte e bllokume. Jam kthy mrapa dhe n’mal, te vendi i quejtun “Gryka e Haxhve”, jam taku me Imer Deliun dhe Afrim Hysenajn. Imeri ka folë diçka me Afrimin dhe i tha shko te shokët e kallxoju se deri këtu s’ka shkie e mujnë me ardhë.
Ç’bëtë pastaj me Imerin?
Fillum me ec malit n’drejtim t’rrugës kryesore për me shku n’lagje. Kur jem afru ma ngat rrugës filloi m’u zdrit ma shumë edhe m’u pa ma larg. E pamë që afër rrugs kryesore ishin kanë t’ngrehun do najllana (tenda) ku shkijet kishin ndejt. Prej së largu u dokshin si tenka. Prej malit kemi hi te shpija e Habibit. Ju kemi afru shpisë së Imerit dhe, n’mes t’rrugës, ndërmjet shpisë së bacit Jonuz dhe bacit Sali, e kem gjetë t’shtrimë e t’vramë Ademin. E kem kapë Ademin e dekun dhe e kem shti n’hajat t’odës. I thashë Imerit hajde shkojmë te baba. Nji qen’ i jonë nuk na linte me hi mbrena n’shpi. Shkijet na shihnin. Ata ishin mbi lagjen e Sylkajve në Likoc. Hymë mbrenda n’shpi te baba. Kur e kom këqyr pej xhami babën ishin kanë veç kambët pa djeg. Krejt skelet i djegun trupi u kanë. N’vitin e mbram baba ishte i palëvizshëm dhe veç me krryle mujke me lëviz kadalë. I ka pasë 94 vjet. I thashë Imerit, baba e paska kry. Te podrumi ku e kisha lanë Alinë, nuk ish. U nishin veç zojtë e malit. Ia lypa ni cigare Imerit se thashë du m’u tranu. I kish pas edhe tri cigare, kurrë s’e harroj, “Monte Carlo”. Ma dha nja. Bashkim, këtu s’po ndihet za as i fëmive e as i grave, – m’tha. T’kqyrum çka ka ndodhë. I thashë – jo Imer, e di unë çka ka ndodhë, po s’kom guxu me t’kallxu. Unë jau kom ndi edhe piskamën. U habit. Tue fol kadalë kemi mbrri e jemi hi te robtë. S’pari e kena pa Alinë, kryt e hiqtë. Iu kish fry barki shumë. Jem shku ma anenaj te tjerë robë. E kem pa Pajazitin e afër tij halla e Imerit. Pak ma anej ish kan’ nana e Imerit. Ju ka gju sipri nans me lot n’sy. Mandej i ka kontrollu familjart e tjerë. Tanaj u shku te djali i vet i madh, Jetoni. Ja ka marrë sahatin e djalit pej dore. Unë jom ul kacul. S’kom pas ma fuqi as m’u çu n’kam’. Disa pej kufomave Imeri i ka mbulu me çka gjajke pej teshave. I kom thanë: Imer, m’doket ka diçka ner fustan t’grus tanë! Ajo e kish shti çikën e vet, t’voglën, Diturinë nër veti, e kish mbulu gati me trup t’vet. E ka pa Imeri çikën t’gjallë. E kom pa edhe unë kur i ka çelë sytë pak… E ka marrë një cucëll Imeri e u mundu me i dhanë me pi. Ma ka dhanë pak çikën n’dorë me mbajt derisa ai t’kqyr e kontrollon mos ka naja tjetër gjallë. M’pyeti ku asht gruja e vllaut tand dhe çikat e tij. I thashë: S’guxoj unë ma me shpurdh prej kti vendi. U tutsha mos ka mina. Imeri ka kqyr rreth e rreth, kur e ka pa grun e Hajrizit edhe dy çikat m’tha qe ku janë edhe gruja edhe dy çikat e Hajrizit. Unë s’kom guxu m’u afru. Hajrizi i ka pas dy çikat me gruen e parë, jo me këtë që u myt n’masakër… Ka ardh Imeri ma ka marrë Diturinë prej dore dhe kena dalë pej atyhi që me ardh drejt e në Lagjen e Strumcakve… E mbaj mend kur ju ka thanë Imeri juve se veç kjo çikë m’kish mbetë gjallë… [1]
[1] Rrëfimi i Bashkim Fazli Deliu. Dorëshkrim, nëntor, 2017