Rrëfimi i ushtarit për betejën e parë të UÇK-së, si ishte organizuar prita dhe si ishin zmbrapsur forcat serbe

26 nëntor 2024 | 21:10

Ish-ushtari i UÇK-së, Shemsedin Geci, ka rrëfyer për pjesëmarrjen e tij në betejën e parë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kundër forcave pushtuese serbe. Ai ka rrëfyer për gjithë ngjarjen kur 27 vite më herët e kishin organizuar një pritë kundër forcave të Serbisë në Rrezallën e Re

Deri tek vendi i ngjarjes thotë se e kishte dërguar Xhevahir Geci me një veturë Opel Ascona

“Unë deri aty kam shku me një Opel Ascona. Xhevahiri ka qenë shofer. Xhevahiri iu tha amanet ma ruani Shemin, se une isha më i riu. Jemi pozicionuar në dy pjesë të rrugës. Unë kam qenë me Zenun Kodrën dhe Nuri Gecin.”, ka treguar për FRONTAL Shemsedin Geci.

Ai ka thënë se i kishin pritur forcat serbe që do të vinin nga qyteti i Skenderajt, dhe se bashkë në grupin që kishte organizuar pritjen kishin qenë edhe Sabit Geci dhe Abedin Rexha, të cilët e kishin pasur me vete dhe një mitraloz të komandantit Adem Jashari.

“Pritja ka qenë që vijnë prej Skenderajt. S’kemi qenë shumë larg rrugës. Një pjesë ka qenë ku është gjuajtur granata e dorës me dorë në rrugë. Afërsia ka qenë shumë e madhe. Unë s’kam qenë aq afër. Me një anë kanë qenë Sabit Geci, Abedin Rexha të cilët e kanë pas një mitraloz të Adem Jasharit, një snajper”, ka shtuar tutje.

Ai thotë se Sabit Geci në momentin që forcat serbe ishin afruar tek vendi i pritës, Sabit Geci ua kishte hedhur mortajën dhe kjo kishte bërë që trupat serbe të ndalonin dhe të fillonin zmbrapsjen.

“Kur kanë ardhë forcat s’ka pas nevojë me dhanë urdhër. Sabit Geci e ka pas murtajën dhe kur ka ardhë tenka e parë e ka gjuajtur dhe është ndalur”, ka rrëfyer Shemsedin Geci.

Ai në FRONTAL ka thënë se forcat serbe të gjendura në pritë kanë gjuajtur me armë në mënyrë të pakontrolluar, meqë s’e dinin se nga po u vine sulmi. Shemsedin Geci thotë se në momentin kur forcat serbe ishin zmbrapsur, e kishin kuptuar që e kishin fituar betejën.

“Forcat serbe kanë gjuajtur në mënyrë të pakontrolluar se nuk e kanë ditur se nga po iu vjen. Ata janë tërhequr dhe e kuptuam që e fituam betejën”, ka thënë  ai.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një shpërthim ka ndodhur sonte në Prishtinë Në rrethana të…