Rrëfimi i veçantë i gruas që u kujdes 20 vjet për Lasgush Poradecin: Të pathënat nga jeta e poetit…
Efigjeni Vako është ndër të paktët njerëz që e njeh poetin ndryshe. Ashtu siç nuk mund ta shihte askush brenda mureve të shtëpisë së varfëruar. Të uritur, të arnuar, të nevrikosur. Detaje të përditshme, të pathëna deri më sot nga jeta e Lasgush Poradecit, nga ajo që i shërbeu për më shumë se 20 vite e ai e trajtoi njësoj si të bijat.
Përveç të bijave, miqve të besës apo atyre “të dërguarve”, mikeshave të kohëve të fundit, e gjithë ç’kanë dalë deri më sot nga vitet e jetesës së Lasgush Poradecit në Pogradec, hynte e dilte me lirinë e askujt tjetër në kullën e tij edhe dikush tjetër. Për Efigjeni Vakon, çupkën e vogël që u rrit në shtëpinë e tij, nuk është shkruar deri më sot. Ajo ishte pas çdo arne të kanatjereve të poetit, pas të vetmit kostum të vjetruar 30-vjeçar që qëndronte përherë i pastër. Ishte gjithnjë aty kur Poradecit i tekej në mes të të ftohtit për trahana apo për lakror me dy petë. Efigjeni, apo siç i thërriste shkrimtari Jefkë, ishte e vetmja që kishte lejen për t’i thirrur Llazar.
Priste e përcillte të gjithë që hynin e dilnin, di prej tij, ndryshe nga ditarët e poezitë, detaje nga jeta e përditshme. Nervozizmin, acarimet, sherret e shtëpisë. Nuk e ka të lehtë t’i tregojë, ngase i duket se me këto punë duhet të merren njerëzit “e mençur”, siç në fakt kanë bërë. Refuzon bindshëm deri sa kujtimet, e shkuara, e rrëmbejnë, dhe nis e tregon aq sa mundet. Me përparësen ende të pahequr, dhe me mendjen nga lakrori që ka lënë në furrë, ashtu siç fundja i ka kaluar e gjithë jeta, zbulon pak e nga pak kujtimet e jetës krah poetit. Nga ato kujtime që shkrimtarët vetëm mund t’i krijojnë, ndërsa ajo i ka jetuar. Kujtime që të bijat nuk e kanë të lehtë t’i ndajnë me të tjerët. Edhe pse, në fund, ai ishte edhe njeriu i izoluar me huqet e veta, siç shumëkush mund të jetë, ashtu siç ishte edhe poeti i madh që është gdhendur përmbi 3 metra në bronz në qendër të Pogradecit, aty ku shëtiste përditë.
Efigjeni, si jeni njohur me Lasgushin?
Ishim komshinj, kishim njohje të vjetër familjare. Unë isha më e vogla e shtëpisë kur hyra në shtëpinë e tij për të ndihmuar në ç’ju nevojitej. Isha vetëm 11 vjeçe kur kam shkuar për herë të parë, pastaj kam vijuar për më shumë se 20 vite ta ndihmoj.
Meqenëse e shoqja e tij, Nafia, ka qenë gjithmonë pa qejf nga ana shëndetësore, kishin nevojë qoftë për të gatuar, apo për gjëra të tjera. Ajo vinte nga familje aristokratësh dhe nuk dinte të gatuante mirë.
Ç’kujtoni nga koha kur hytë në shtëpinë e tij?
Po, kujtimet janë edhe më të hershme, sepse ne gjithnjë shoqëroheshim nga historitë e Lasgushit. Edhe ime motër, Rita Vako, na tregonte se si Llazari dilte me llastiqe dhe demek të vriste zogj. Vinte në shtëpi e thoshte vrava kaq zogj, po ai s’kishte vrarë asgjë se s’i vriste dot. Hipte në man rrinte aty, mendonte. Me të tilla histori unë jam rritur, deri sa shkova në moshën që të kuptoja e të krijoja kujtimet e mia.
Na tregoni disa prej tyre…
Unë i kam shërbyer Llazarit gjithnjë në kohën kur të bijat iknin në Tiranë, sepse edhe Nafia vdiq në moshë fare të re. I bëja ndonjë tërhanë, ndonjë petkë, ndonjë cironkë të qëruar. I lanja këmishat, i arnoja kanatieret apo të gjitha ç’kishte. Llazari hante gjithmonë shtrirë, qëndronte në krah të djathtë i shtrirë në dyshek dhe aty hante, bashkë me macen e qenin, Cucin. Hante me sytë nga dritarja. Merrte gotën e verës, hidhte pak verë, ndërsa shumicën e gotës e mbushte me ujë, kështu i dukej se pinte verë gjatë gjithë kohës. Aq mundësi kishte, nuk kishte para. Verë kishte sa për të ngjyrosur ujin. Ka qenë gjithnjë shumë keq nga ana ekonomike.
Çfarë i pëlqente të hante?
I pëlqente korani ose belushkat, por nuk kishte para t’i merrte. Kur munde, merrte cironka që ia pastroja. Kujtoj që peshkatari, e shumta që mund të bënte, ishte ta linte të merrte pa radhë, edhe pse njerëzit protestonin, ndërsa Llazari, me qesen e cironkave, kur mbërrinte te dera e shtëpisë thoshte me vete “bjeri, bjeri leckaman se Llazari ha koran”.
A e ndihmonte njeri financiarisht?
Jo, nuk e ndihmonte, po edhe sikur, ai ishte tepër krenar për t’i pranuar. Kur mbetej pa para, çka ndodhte shpesh, merrte borxh te miqtë e tij të ngushtë dhe ua kthente sapo mundej. Kërkonte më shumë te Todi Matua, me të ishte mik e rregulloheshin.
Kush hynte e dilte ne shtëpi?
Po vinin shumë njerëz nga Kosova, njerëz të lidhur me librin, unë nuk i njihja. Kujtoj një herë që erdhën tre vetë që kërkonin ta takonin dhe ngjitem në katin e tretë të kullës, i them: “Llazar, kanë erdhur tre vetë të të takojnë, janë me qeleshe”. -Aaaa kosovarë the. “Çfarë t’u them”, i thashë? -Le të presin të mbarojë punë Lasgushi, pastaj do ngrihet t’u japë përgjigje”. –”Ata janë në dera more Llazar”. –”Në janë në dera po të duan le të hyjnë, kështu siç jam të më shikojnë”. Se ishte me breçka. I them, “po ti je i paveshur more Llazar”. -”Po t’u pëlqejë, po mos t’u pëlqejë le të ikin”. Ata natyrisht që ngjiteshin edhe ashtu siç ishte.
Ashtu rrinte gjithë kohës nëpër shtëpi? I paveshur?
Si t’i donte qejfi rrinte, as pyeste njeri e as guxonte njeri t’i thonte që të vishej. Nuk dëgjonte asnjë. Edhe kur na çonte bashkë ekskursione në Volorek apo nga gjoli, lahej si “evropianët” pa gjë fare. Ne na linte në ndonjë anë, e vet shkonte. Për këtë arsye kërkonte gjithnjë të rrinte në vende pa njerëz.
Po nga Tirana nuk vinte njeri? Kolegë të tijtë?
Vinin edhe nga Tirana, po unë nuk i njihja e as i kujtoj tani.
Po të vinte Ismail Kadare apo Dritëroi, do ta njihnit apo jo?
Jo, Ismaili nuk vinte, me të Llazari takohej kur vinte në Tiranë. Ndërsa Dritëroi po. Kam qenë edhe unë një herë në shtëpi, kur ka ardhur.
Atë e vizitonin edhe shoqe në shtëpi, edhe atyre i paveshur u dilte?
Kushdo që të ish, ai një përgjigje kishte: “Lasgushi ky është, si të duan”. Pastaj me shoqet është abuzuar shumë. Sidomos me Anën dhe me Merin. Ato e kanë vizituar Lasgushin vetëm vitet e fundit, kur ai ishte mjaft i moshuar. Dhe qëllimet e vizitave ishin vetëm për t’i marrë dorëshkrime a ditarë. Ana ka ardhur më shumë, ndërsa Meri më pas, e më duket se përmes Anës edhe ajo. Asnjëra prej të dyjave nuk ka qenë aq e afërt me të, saç pretendojnë ato. Qëllimi i tyre ishte te letrat e kujtimet e tij, që donin t’i merrnin. Dhe me sa di, shumë gjëra që ai i ruante në kështjellë Ana arriti t’ia marrë.
Po shenja të Sigurimit të Shtetit a kishte përqark shtëpisë?
Po Sigurimi brenda në shtëpi nuk të vjen, është gjithnjë përjashta. Të dërgon të tjerë për të të vëzhguar. Anës e pas anës ishin gjithnjë. Edhe nuk e preknin në fakt, por Lasgushi e nuhaste nga larg. Nuçi Tira, komunist e kryetar dege, ishte mik me të dhe e ka mbrojtur.
Me atë varfëri që kishte, si jetonte, si vishej?
Ekonomia e shtëpia ishin si mos më keq. Veç një kapele republike pati tërë jetën dhe atë e kishte me një vrimë. Jefkë, vare me kujdes, më thosh, se s’kam ku gjej tjetër. Jefkë, shkundma një çik kostumin. Po ç’t’i shkundje, ai të ngelej në dorë, aq i vjetruar ishte. Në xhepin e tij mbante edhe një kuti shkrepëse me leka të shkoqura. Kur merrja i lanja rrobat, kanatjeret a benevrekët, i arnoja sepse i kishte të grisura. I bëja lakror, i hapja tërhanë në mes të dimrit, e thanim mbi krevat, sepse i tekej. Edhe kur ia gatisja, më thosh t’ia bëja të hollë që të mos harxhohej. E njëjta gjë edhe me kafen, një pako kishte racion, edhe atë e pinte të hollë që të zgjaste sa më shumë.
Ku shkruante?
Shkruante lart, në kështjellë. Kishte një kullë me tri kate. Në katin e parë kishte një vaskë nga ato të vjetrat, italianet, që ia kishin dhuruar. Lahej e ashtu dilte edhe nëpër shtëpi. Në kat të dytë kishte një dhomë gjumi. Ai vetë flinte përdhe, e kishte të shtruar. Kishte pikturat e tij, vatrën. Shkruante në një tavolinë prej dërrase afër krevatit.
Po me të shoqen, Nafien, si shkonte?
E shoqja ishte grua shumë e mirë. Të dy, sa herë ziheshin, më vinin mua të isha gjyqtare. Po dija unë se ç’ishin gjyqet. Kë të ndihmoja, Lagushin a Nafien?! Bënin gjyqe për t’u ndarë se Nafia nuk dinte të bënte lakror me saç. Janë ndarë me gjyqe kushedi sa herë. Nafia ishte 20 vite më e re se Lasgushi, e megjithatë vdiq shumë kohë përpara tij.
Nuk ziheshin vetëm për lakrorin, apo jo?
Po, zënkat ishin të ndryshme. Nafia ka ngelur shtatzënë 17 vite pas martesës, kohë shumë e gjatë. E në këto vite i thoshte ngaherë të shoqit “Europa të ka dëmtuar Llazar”. Edhe për këtë bënin gjyqe.
Pse i dinte Nafia historitë e rinisë së tij?
Ai vetë ia kishte treguar, ndaj edhe ajo bëhej shumë xheloze. Më thonte edhe mua ndonjëherë: Eh moj Jefkë, s’e di ti se ç’ka bërë ky moj, s’e di. I gërthiste shpesh për këto punë.
Të gjithë e dinin atëherë ndonjë dashuriçkë të poetit?
Ka ardhur njëherë në shtëpi Kostandin Taso ta pikturonte, dhe mbi kokë të krevatit të Llazarit sheh një pikturë, natyrë e qetë. Po këtë mo Lasgush ku e ke gjetur, e pyet. “Ia ka dhënë ajo, ia ka dhënë dashnorja”, ia priste Nafia. Dhe në fakt pikturën ia kishte dhënë Androniqi Zenko, me të cilën Llazari ka qenë i fejuar.
Ç’shokë kishte në Pogradec?
Përgjithësisht shoqërohej me njerëz të thjeshtë. Kujtoj Gjorgjin, një biçikletar, që e akuzoi Lasgushin se i merrte vargjet. Në fakt, Gjorgji ishte bejtexhi dhe ishin shokë bashkë, po më vonë sepse u fjalosën. Tregojnë se e kishin parë Lasgushin te deriçka e Gjorgjit një herë, që i hidhte një letër. Gjorgji thonte se në letër i kishte shkruar të pajtoheshin e ky në shenjë refuzimi shkon e ia hedhë në oborrin e shtëpisë. Ishte mjaft i përshtatur me njerëzit, kushdo që të ishte e trajtonte si të barabartë.
A e ngacmonin në rrugë, si i shënjestruar që ishte?
Fëmijët më shumë, sado që edhe ata i kishin të dëgjuara nga të mëdhenjtë. E pyesnin sa është ora dhe e tallnin. Ay nervozohej, sa mbante në xhep edhe orën e tavolinës, që kur ta pyesnin sa është ora për ta tallur ta kishte për t’ua hedhur.
Ku shkruante Llazari, kishte blloqe a letra?
Ku të mundej, në ç’t’i dilte përpara. Në copa letrash, në karta cigareje, anash gazetave që i lexonte shumë. Një herë më ka kushtuar edhe mua një poezi, po kujtoj vetëm strofën e parë, ngaqë as ua vija shumë veshin e as mbaja mend. Ishte: “Jefkë moj e mira shumë, ty çdo natë të shoh në gjumë”. Në shkollë unë nuk kam qenë e mirë dhe vinte më ndihmonte, takonte mësuesit. I thoja o Llazar, s’i kam mirë punët. “Jefkë, e di Llazari atë punë”, më thosh.
Po te shtëpia në Tiranë ke shkuar?
Posi jo, sa herë shkonim në Tiranë, shtëpinë e tij e kishim të hapur. Në të kishte mobilie, që i kishte sjellë vetë nga Vjena, edhe kolltuqet, tavolinat, krevatet. Dhomën e gjumit ku flinte me Nafien e kishte me dy krevate tek, flinin veç e veç. Më duket se i kanë ende këto plaçka. Shtëpinë e Tiranës e kishte marrë në kohën e Zogut, paguhej mirë atëherë si mësues./ ANI JAUPAJ/ Suplementi ‘Unë Gruaja’ botuar në vitin 2013!/(panorama.com.al)