Rrëfimi prekës i vëllait të 25 vjeçares e cila vdiq bashkë me familjen në aksident
Vëllai i 25-vjeçares A.S. që humbi jetën e saj bashkë bashkëshortin, dy fëmijët dhe vjehrrën në një aksident rrugor që ndodhi të dielën në rrugën Suharekë-Duhël, ka rrëfyer sot për ngjarjen tragjike në një intervistë për mediumin zviceran 20min.ch.
Ylli V., i cili është vëllai i madh i 25-vjeçares që ndërroi jetë në aksidentin e djeshëm, ende nuk mund ta besojë ndarjen nga jeta të motrës së tij dhe nipit e mbesës.
“Rreth gjysmë ore para se të ndodhte aksidenti ne ishim ulur dhe po qëndronim bashkë”, kujton Ylli V. për mediumin 20.min.ch. “J.S, si gjithmonë bënte shaka. Në ditët e ardhshme ne kishim planifikuar që të shkonim në bregdetin shqiptar ku do të festonim edhe ditëlindjen e motrës sime”.
25 vjeçarja që ndërroi jetë të dielën, kishte ardhur në Kosovë bashkë me familjen e tij të premten.
Ylli V. tregon se ai bashkë me familjen e tij u nisën drejt Shqipërisë, ndërsa familja prej katër anëtarësh dhe gjyshja e tyre po shkonin tek vëllai i 32-vjeçarit, J.S.
“Ata donin të vinin të mërkurën [në Shqipëri]. Unë duhej t’ua rezervoja hotelin atyre”, thotë Ylli V.
Teksa ishte në veturë duke udhëtuar drejt Shqipërisë, Ylli V. u thirr nga një mik i tij dhe u njoftua për aksidentin.
“Isha i tronditur. Për shkak se isha duke vozitur në makinë, më duhej të ndaloja dhe të merrja frymë thellë. Gruaja ime pyeti se çfarë kishte ndodhur. Pastaj të dy filluam të qajmë”, vazhdon rrëfimi i Ylli V.
Familja katër anëtarëshe jetonte prej vitesh në qytetin Reinach të kantonit të Aargau në Zvicër. Ata ndodheshin me pushime në Kosovë.